1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Faeser kërkon dënimin e Hamas në konferencën e fesë islame

21 Nëntor 2023

Ministrja e Brendshme e Gjermanisë u shpreh për qëndrime të qarta për Hamasin nga grupet fetare në konferencën vjetore të qeverisë të fesë islame. Faeser tha se ata duhet të marrin "përgjegjësinë e tyre në shoqëri".

https://p.dw.com/p/4ZFva
Deutshcland Berlin | Deutsche Islam Konferenz | Innenministerin Nancy Faeser
Fotografi: Wolfgang Kumm/dpa/picture alliance

Konflikti i vazhdueshëm në Gaza, pas sulmeve terroriste të Hamasitndaj Izraelit më 7 tetor, duket se do të errësojë konferencën vjetore të fesë islame të qeverisë gjermane, e cila po mbahet sot në Berlin.

Ministrja e Brendshme Nancy Faeser tha për televizionin ARD se ajo shpresonte se organizatat islamike gjermane do të dënonin qartë sulmet e Hamasit në konferencë, në një kohë që hakmarrja e Izraelit në Gaza shkaktoi pakënaqësi në mesin e komunitetit të madh mysliman të Gjermanisë.

"Unë pres që organizatat myslimane të bëjnë komente shumë të qarta dhe të marrin përgjegjësi në shoqëri,” tha Faeser. Ajo shtoi se grupet fetare duhet të "dënojnë shumë qartë" sulmin e Hamasit dhe të mos përdorin "po, por" kur trajtojnë këtë çështje.

"Duhet të jetë e qartë se ne jemi në anën e Izraelit," tha Faeser, anëtare e Partisë Sociademokrate të qendrës së majtë në pushtet. Ajo shtoi se disa nga këto organizata i kishin përmbushur "shumë” përgjegjësitë e tyre, "të tjerat nuk i kishin përmbushur”.

Prioritet ka "lufta kundër antisemitizmit dhe islamofobisë në kohën e përçarjes në shoqëri”.

Konferenca e fesë islame përshkruhet nga organizatorët e saj si forumi qendror për "mbajtjen e një dialogu të rregullt dhe të vazhdueshëm midis të gjitha niveleve të qeverisjes dhe muslimanëve dhe përfaqësuesve të tyre në Gjermani", duke përfshirë "organizatat udhëheqëse islamike, iniciativa të reja jashtë strukturave tradicionale të xhamive, myslimanët. individë si dhe përfaqësues të politikës, administratës dhe shkencës”.

Konferenca e pare e fese islame
Fotografi: epd/IMAGO

Veprimtaria e këtij viti ishte planifikuar tashmë për të trajtuar çështje të tilla si gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi në internet. "Paqja sociale dhe kohezioni demokratik: Luftimi i antisemitizmit dhe islamofobisë në kohë të ndarjeve sociale".

Një nga organizatat kryesore myslimane të Gjermanisë, Këshilli Qendror i Myslimanëve, nuk ishte i ftuar në veprimtarinë e këtij viti. Presidenti i saj, Aiman Mazyek, i tha radios RBB të Berlinit të martën se ishte i befasuar që nuk u ftua, duke thënë se shkëmbimi i pikëpamjeve ishte veçanërisht i rëndësishëm në këtë moment.

Mazyek tha se duhet të vendoset një ekuilibër midis "dënimit të ekstremizmit, siç ishte terrorizmi i Hamasit më 7 tetor, dhe bërjes së qartë se lufta në Gaza, bombardimet izraelite, nuk mund të vazhdojnë". Ai tha se javët e fundit kanë qenë të vështira për myslimanët në Gjermani.

"Shumë myslimanë në vendin tonë janë të shqetësuar dhe kanë frikë të flasin; ata ndihen të frikësuar nga debati," tha Mazyek.

Diskursi publik në Gjermani është ndikuar ndjeshëm nga konflikti i gjashtë javëve të fundit në Lindjen e Mesme.

Faeser tha të martën se autoritetet gjermane nuk ishin të prirura të vendosnin askënd nën dyshim të përgjithshëm. Ajo tha se myslimanët duhet të jenë në gjendje të demonstrojnë në rrugë në mbështetje të viktimave në Rripin e Gazës, por brenda kufijve.

"Ne po luftojmë islamistët, jo myslimanët”, tha Faeser.

Javët e fundit, demonstratat në mbështetje të kauzës palestineze në favor të një armëpushimi janë shtuar në Gjermani, si në pjesën më të madhe të Evropës, si dhe reagimet e policisë ndaj disa prej këtyre demonstratave.

Policia bavareze njofton bastisje kundër personave të dyshuar për antisemitizëm

Ndërkohë, në Bavari, policia dhe qeveria e landit shpallën atë që ata e quajtën një "Ditë veprimi kundër antisemitizmit".

Policia kreu bastisje në të gjithë landin, duke vënë në shënjestër 17 të dyshuar, përfshirë nëntë vetë në kryeqytetin bavarez, Mynih, të moshës nga 18 deri në 62 vjeç. Pesëmbëdhjetë prej tyre ishin burra, dy të tjerët ishin gra.

"Hetimet kanë të bëjnë me vepra të kryera në fusha të ndryshme politike, por raste të lidhura me sulme nga organizata terroriste Hamas kundër Izraelit tërhiqnin vëmendjen”, thanë hetuesit.

Prokuroria e Mynihut dhe policia hetimore e njoftuan operacionin.

"Pas sulmit terrorist të Hamasit në Izrael, antisemitizmi në Gjermani ka marrë karburant të ri të rrezikshëm”, tha nga ana e tij ministri bavarez i Drejtësisë Georg Eisenreich. "Duhet të jetë e qartë për autorët: [Bavaria ndjek krimet antisemite me fuqinë e plotë të ligjit.”

Ministri i Brendshëm bavarez Joachim Herrmann, nga ana e tij, e përshkroi gjuhën e urrejtjes antisemitike si një krim që nuk është i parëndësishëm, duke shtuar se "mund të jetë pararendës i përshkallëzimeve të tjera". Ai tha se autoritetet po ndjekin të gjitha rastet, "gjithashtu për të trembur agjitatorët e mundshëm".

Duke gjykuar nga shembujt e dhënë nga forcat e rendit, arrestimet e së martës synonin kryesisht komentet e bëra në mediat sociale ose në komunikimet online.

Hetuesit përmendën tre shembuj, njëri që përfshin një shtetas gjermano-turk dhe tjetri një shtetas turk, të komenteve në mediat sociale ose në grupet e bisedave në WhatsApp që përziejnë thirrjet për një "Palestinë të lirë" me referenca për Holokaustin ose Adolf Hitlerin.

msh/wmr (AFP, dpa, KNA)