1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Faktet e nevojshme në proces rezikojnë sigurinë kombëtare" - Rëzohet apeli i El-Masrit

Frank Aishman3 Mars 2007

CIA më ka rëmbyer dhe më ka torturuar, kështu akuzon Kaled El- Masri shërbimin sekret të ShBA. Por drejtësia e ShBA nuk do të vazhdojë të merret më me këto sulme të ashpra kundër CIA-s. Këtë e vendosi gjykata federale pranverën e kaluar, e po këtë e konfirmoi edhe gjykata e apelit të premten (02.03) në Riçmond/Virxhinia pasi shqyrtoi ankesën e El-Masrit.

https://p.dw.com/p/ArJI
Kaled El-Masri
Kaled El-MasriFotografi: AP

Nënshtetasi gjerman me prejardhje libaneze - krejtësisht i pafajshëm - në fund të vitit 2003 u rëmbye nga një autobus në Maqedoni dhe muajt që pasuan ai përjetoi atë që ndodh, kur një shërbim sekret i ShBA në të ashtuquajturën lufta mbarëbotërore kundër terrorizmit i shfuqizon ligjet. Kështu mund të gjykojmë nëse të dhënat e El-Masrit janë të sakta. Por, të dhëna të tjera s´ka ofruar askush.

El-Masri: "Në Maqedoni unë nuk lejohesha të involvoja ambasadën, ndonjë përkthyes apo dikë tjetër. 23 ditë me radhë i mbyllur në një dhomë hoteli nuk lejohesha as të shoh nga dritarja. Më pas më çuan në aeroportin e Shkupit. Atje më kanë rrahur dhe më kanë droguar, më dërguan në Afganistan dhe përsëri më kanë shqelmuar dhe poshtëruar. Pesë muaj me radhë kam pasur frikë për vdekje. 37 ditë hyra në grevë urie. Më pas më kanë ushqyer me forcë. Dikur më lanë të lirë natën në një vend të braktisur, në një pyll në Shqipëri. Unë nuk e di përse më kanë trajtuar kështu."

Pikërisht për këtë arësye El-Masri në vitin 2005 ngriti akuzën kundër ish-shefit të CIA, Xhorxh Tenet, si dhe shoqërisë ajrore që dyshohej të kish marrë pjesë në këtë ngjarje. Ai do të marrë një dëmshpërblim simbolik prej 75.000 eurosh.

Rasti nuk ka bërë kaq bujë në ShBA sa në Evropë, e veçanërisht në Gjermani. Ndaj paditësit iu desh fillimisht që t´i prezantohej shtypit, teksa nëntorin e vitit të kaluar ai u lejua të udhëtojë për në ShBA: "Emri im është Kaled El-Masri. Unë dua sqarim dhe zhdëmtim. Unë dua të jetoj sërish jetën time dhe të ndihem i sigurtë."

Por ndërsa prokuroria e Mynihut ka lëshuar urdhër-arresti dhe është në kërkim të 13 të dyshuarve si agjentë të CIA-s që kanë kryer rëmbimin e El-Masrit, gjykata e apelit në Riçmond të shtetit Virxhinia ka konfrimuar vendimin e instancës së parë duke gjykuar: në një proces duhet të publikohet sekreti shtetëror, gjë që do të rezikonte sigurinë në ShBA, kështu janë shprehur njëzëri gjyqtarët. E pra nuk ka hapje të procesit dhe çështja mbyllet.

El-Masri në procesin e tij është mbështetur prej lëvizjes së të drejtave civile në ShBA, ACLU. Kjo organizatë argumenton ndryshe nga gjyqtarët: Rasti është shqyrtuar kaq me hollësi nëpër media, sa që nuk ka më sekrete për të zbuluar. Madje edhe avioni, me të cilin është çuar El-Masri në Afganistan njihet, një Boing 737 me numrin N313-P. Organizata për të drejtat civile në një deklaratë shtypi ankohet, se me këtë vendim nuk mund të mbulohen as rastet më ekstreme të shpërdorimit të pushtetit.

Megjithatë Kaled El-Masri nuk ka dështuar përfundimisht. Sipas të dhënave të organizatës ACLU ndërkohë po verifikohet me intensitet mundësia e ankesës pranë gjykatës supreme në ShBA.