1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Falimentimi i bankave - një tjetër pikë kulmore e krizës së kredive në SHBA

Tomas Shmidt/ Nju Jork14 Korrik 2008

Pikë e re kulmore në krizën e kredive në SHBA: me bankën e hipotekave dhe kursimeve IndyMac ka falimentuar një prej kredidhënësve më të mëdhenj në tregun e pasurive të patundshme të vendit.

https://p.dw.com/p/Ec7g
Kriza e hipotekave
Kriza e hipotekaveFotografi: AP

Autoriteti shtetëror për sigurimin e depozitave (FDIC) mori kontrollin e bankës e cila pritet të rihapet sot si IndyMac Federal Bank, FSB.

Një histori si në filmat e Hollivudit. Nga frika se banka nuk të ishte në gjendje të shlyente detyrimet ndaj depozituesve shumë klientë kanë tërhequr gjatë ditëve të kaluara më shumë se 1,3 miliardë dollarë nga depozitat e tyre. Kështu IndyMac u zhyt në një krizë të thellë likuiditeti. M.q.s. banka nuk kishte më mundësi të dilte vetë nga kriza të premten (11.7.) autoriteti për sigurimin e depozitave mori bankën nën kontroll. Me anë të sigurimit të depozitave në SHBA janë të siguruara si rregull depozitat deri në 100.000 dollarë. IndyMac kishte fillimisht depozita në shumë prej 19 miliardë dollarësh. Së fundi sipas të dhënave të autoriteteve shuma prej rreth 1 miliardë dollarësh nga gjithsej 10.000 klientë nuk ishte e mundur të sigurohej.

IndyMac gjatë bumit të pasurive të patundshme në SHBA ishte një nga kredidhënësit më të mëdhenj gjatë viteve të kaluara. Një mik i njeriut të thjeshtë. Banka u kishte dhënë shumë kredi klientëve me siguri të vogla.

Në një përpjekje të dëshpëruar shpëtimi banka ndaloi javën e shkuar biznesin e ri dhe bëri reduktime radikale në personel. Plot gjysma e 7200 vendeve të punës u shkurtua. Kriza e bankës e cila pati shumë humbje gjatë krizës në tregun e pasurive të patundshme bëri që kursi i aksioneve të bankës në bursën Walll Street-it të binte në nivel shumë të ulët. Tani ato janë fare pa vlerë.

Pas falimentimit të dytë më të rëndë në historinë e bankave në SHBA ,IndyMac do të drejtohet në të ardhmen nga autoriteti për sigurimin e depozitave dhe pritet të hapet sot sërish. Gjatë muajve të ardhshëm do të kërkohet një blerës për gjithë bankën ose për elementë të caktuar të saj. Zëdhënësi i autoritetit për sigurimin e depozitave David Barr u shpreh:

"Banka është nën kontrollin e autoritetit për sigurimin e depozitave. Ajo do të përpiqet gjatë 90 ditëve të ardhshme t'a shesë atë. Deri atëherë për klientët që kanë më pak se 100.000 dollarë nuk ndryshon asgjë."

Sipas stilit Hollivudian është edhe kërkimi publik për fajtorët e falimentimit. Për mbikqyrjen bankare fajtori është senatori demokrat i Nju Jorkut Charles Schumer i cili me shprehjen publikisht të dyshimeve të tij ndaj aftësisë paguese të bankës IndyMac çoi në rrënimin e saj. Por senatori thotë se mbikqyrja bankare ka dështuar në punën e saj dhe ky nuk është rast unik.

Pas falimentimit të IndyMac sektori bankar druhet se do të ketë edhe të tjera. Të premten pati zëra sipas të cilave Freddie Mac dhe Fannie Mae, dy financuesit më të mëdhenj të hipotekave në SHBA, do të merreshin në mbrojtje nga shteti për shkak të problemeve akute të likuiditetit.