1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Farsë zgjedhore në Minsk

Kornelia Rabic20 Mars 2006

Mbas fitores së Lukashenkos në zgjedhje: Evropa duhet të zhvillojë një strategji afatgjatë për Bjellorusinë

https://p.dw.com/p/ArM8
I ri bjellorus me flamurin e BE-së
I ri bjellorus me flamurin e BE-sëFotografi: AP

Si fitues i zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi u shpall të djelën (19.03) Aleksander Lukashenko. Afro 83 përqind e votave shkuan në favor të presidentit autoritar, ndërsa lideri i opozitës, Aleksander Milinkeviç, arriti të merrte vetëm 6 përqind, për dy kandidatët e tjerë mbetën tre për qind. Milinkeviç i quajti zgjedhjet një farse dhe bëri thirrje për protesta. Qysh të djelën në mbrëmje ishin mbledhur mbi 10 mijë protestues në Minsk, megjithëse presidenti i kishte ndaluar mitingjet. Lukashenko gëzon mbështetje të madhe në popull, por nuk mund të thuhet se zgjedhjet në Bjellorusi u zhvilluan në mënyrë të drejtë dhe demokratike.

Presidenti bjellorus, Aleksandër Lukashenko, mbeti në pushtet – rezultat që nuk befasoi askënd.

Burrë autoritar i shtetit kishte bërë gjithçka – edhe me ndihmën e shërbimit të fshehtë – për të arritur rezultatin e dëshiruar. Gjatë fushatës elektorale u arrestuan në masë opozitarë, u rrahën demonstrues paqësorë, u krimanilizuan gazetarë të pavarur. Ndërsa Lukashenko vetë ishte i pranishëm në të gjitha mediet, rivalët e tij e kishin shumë të vështirë të bënin të njohur alternativën e tyre politike dhe pesonale në rrethana të cenzurës dhe represionit.

Parë nga kjo anë mund të thuhet se 6 përqindshi i arritur nga opozitari Milinkeviç, ishte sukses. Megjithë përndjkjet dhe keqtrajtimet e javëve të fundit, 58-vjeçari u përpoq me këmbëngulje të realizonte këmbimin politik në vend, shkoi derë më derë si edhe kërkoi kontakte në Bruksel, Strasburg dhe Berlin. Me urtësinë e tij Milinkeviç, arriti të shikohej si figura e integrimit evropian e të lidhte forcat e pavarura në Bjellorusi, sigurisht vetëm në atë masë sa e lejonte regjimi i Lukashenkos.

Aleksandër Lukashenko, do të vazhdojë pra përsëri të udhëheqë vendin e tij të izoluar. Ky nuk është vetëm rezultat i manipulimit të gjerë të zgjedhjeve dhe zhvillimt të padrejtë të këtyre. Perëndimi, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e shohin që shumica e njerëzve në Bjellorusi nuk duan ndryshim në drejtim të raporteve demokratike. Presidenti i vendit gëzon simpati në popull, megjithë ose ndoshta për shkak të politikës represive.

Demokracia po shihet si një eksperiment me rezultat të panjohur. Për shumë bjellorusë baraz me kaosin dhe rrënimin social.

Një vështrim në Ukrainën fqinje i konfirmon këto shqetësime; mediat në vend bëjnë punën e tyre për t’i forcuar ato. Raportet ekonomike janë të qëndrueshme, megjithëse në një nivel të ulët dhe me mbështetje të vazhdueshme nga Rusia – një plus ky në favor të presidentit. 51 vjeçari sportiv Aleksander Lukashenko e çimentoi edhe më tej pushtetin, të cilin nuk do ta dorëzojë kurrë me dëshirë. Në vendin fqinjë të Bashkimit Evropian po krijohen raporte të ngjashme me ato të Koresë së Veriut. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta pranojnë që importimi i revolucioneve nga jashtë nuk ka kuptim. E megjithatë, demokracitë perëndimore kanë se ku të veprojnë: Lukashenkon dhe qeverinë e tij kukull ata mund t‘i izolojnë me ndalime udhëtimesh, mund të ftojnë studentë, të hapin programe me bursa dhe të nxisin nismat qytetare dhe projektetet e pavarura të mediave në Bjellorusi.

Ndryshimi i vetëdijes politike nuk vjen asnjëherë brenda natës. Evropës i duhet më shumë durim, po ashtu edhe forcave të pavarura në Bjellorusi.