1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Felipe Kalderon shpallet president i Meksisës

Mihael Kastritius6 Shtator 2006

Qysh prej muajsh në Meksikë buçet sherri politik, se kush i ka fituar zgjedhjet presidenciale të 2 korrikut. Duke qenë se diferenca e votave ishte mjaft e ngushtë mes kandidatit konservator Felipe Kalderon dhe liberalit të majtë Andres Manuel Lopez Obrador, ky i fundit nuk donte ta pranonte humbjen. Tani gjykata supreme elektorale në Meksikë e ka shpallur Kalderonin fitues.

https://p.dw.com/p/Aqoe
Gjykata shpall Felipe Kalderon fitues të zgjedhjeve
Gjykata shpall Felipe Kalderon fitues të zgjedhjeveFotografi: picture-alliance/dpa

Nga ana juridike lufta për postin e presidentit është vendosur. 65 ditë pas zgjedhjeve, Leonel Kastillo i instancës së fundit gjyqësore lidhur me pretendimet e ngritura shqiptoi vendimin: "Rezultati i numërimit kompjuterik të votave rezulton, se qytetari Felipe de Jesus Kalderon Hinojosa, është kandidati që ka marrë votat më të shumta. Zgjedhjet presidenciale shpallen të vlefshme. Për periudhën nga 1 dhjetori 2006 deri më 30 nëntor 2012 ne e shpallim qytetarin Felipe de Jesus Kalderon Hinojosa president të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Meksikës."

Gjykata supreme elektorale udhëzoi rinumërimin e votave në nëntë përqind të qendrave të votimit, pas kësaj të dy kandidatët kryesorë humbën vota. Gjithsej rezultati u ngushtua me rreth 4.000 vota me diferencën 234.000 vota që përbën 0,56 për qind pikë, një rezultat mjaft i ngushtë ky për humbësin e zgjedhjeve, të majtin Andres Manuel Lopez Obrador.

Kërkesa kryesore e tij ishte rinumërimi i të gjitha votave, gjë që nuk u pranua. Megjithatë gjyqtarët nuk i kanë hedhur poshtë të gjitha pretendimet e tij. Ato monitoruan spotet elektorale televizive, që janë transmetuar direkt prej shoqatave të ndërmarrjeve për neoliberalin Felipe Kalderon. Gjyqtarja Alfonsa Navarro, e vlerësoi si antiligjor qëndrimin e presidentit konservator në post: "Presidenti Foks me pozicionimet indirekte metaforike ka shpalosur qëndrimin e tij politik. Ai madje u shpreh fare qartë për zgjedhjet presidenciale. Sipas mendimit tim kjo ndërhyrje
është një parregullsi e madhe, që kemi konstatuar në këto zgjedhje dhe që na ka shqetësuar."

Të gjitha këto parregullsi megjithatë s´përbënin arësye të mjaftueshme për anullimin e votimeve. Në përgjithësi zgjedhjet kanë qenë të pastra, përmblodhi kryeqygjtari duke përfunduar me shprehjen e dëshirës: "Pas stuhisë vjen qetësia."

Nëse del fjala e humbësit të zgjdhjeve Andres Manuel Lopez Obrador, stuhia do të nisë tani. Ai ka mobilizuar ndërkohë një "asamble popullore nacional-demokrate" me rastin e ditës së pavarësisë, më 16 shtator që duhet të shpallë presidentin e rezistencës. Me forcën e tij politike, "partia e revolucionit demokratik", ai do të krijojë një republikës popullore të orientuar nga baza.

Në Parlament fraksioni i tij, qysh pas këtyre zgjedhjeve është forca e dytë, që më 1 shtator pengoi raportin vjetor të presidentit në largim Foks. Të majtët duan të bllokojnë edhe seancën e miratimit në post të Felipe Kalderonit.

Ja se si shprehen deputetët e majtë: "Ne e ndjejmë veten të sulmuar, të cënuar dhe të plagosur prej vendimit të gjykatës supreme elektorale. Felipe Kalderon është një president i jashtëligjshëm." "Qëllimi i lëvizjes sonë paqësore, civile të rezistencës është të ndalojmë që ai të marrë pushtetin."

"Mashtrim" thërrisnin demonstruesit përpara gjykatës. Mbi një milionë njerëz do të mobilizojë për një javë në mbarë vendin partia e Orbradorit për asamblenë popullore të shtunën më 16 shtator. Meksika pas kësaj mund të ketë tre presidentë: atë aktual Vincente Foks, të zgjedhurin Felipe Kalderon dhe të shpallurin Andres Manuel Lopez Obrador.

Demokracia e re meksikane duhet t´u bëjë ballë sulmeve në rrugë. Sepse Lopez Obrador nuk e pranon humbjen.