1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillojnë protesta masive antiqeveritare në Liban

Jörg Kaminski2 Dhjetor 2006

Hisbollahu këkon përfaqësim më të madh në qeveri

https://p.dw.com/p/ArK0
Pamje nga protesta
Pamje nga protestaFotografi: AP

Mijëra policë dhe ushtarë u vunë sot në veprim me automjete të blinduara në Beirut. Me tela me gjemba dhe me barrikada prej hekuri ata rrethuan me një rreze të madhe ndërtesat qeveritare në qendër; pasi opozita libaneze prosiriane bëri thirrje për demonstrata masive. Demonstratat udhëhiqen nga milicia Hisbollah, e cila kërkon një peshë më të madhe në qeveri.

Në kryeqytetin libanez Beirut dolën mijëra vetë nëpër rrugë. Përkrahësit e opozitës dhe Hisbollahu vërshuan në qendër të qytetit. Atje kryetari i partisë shiite Hassan Nasrallah filloi protesta masive kundër qeverisë pro-perëndimore. Në një fjalim të shkurtër televiziv Nasrallah bëri edhe një herë të qartë pozicionin e vet dhe të aleatëve.

"Të dashur libanezë, kjo qeveri është në detyrë prej më shumë se një viti. Ajo ka bërë deklarata pompoze dhe shumë premtime të rëndësishme. Por pas gjithë kësaj kohe del se kjo qeveri është e dobët. Ajo nuk i ka mbajtur premtimet dhe nuk ka arritur asgjë."

Ky fjalim shfaqi efekt në Beirut që një natë më parë. Qindra përkrahës të Hisbollahut dolën me makina në rrugët e kryeqytetit. Ata valëvitën flamujt e verdhë të partisë së tyre. Makinat i zbukuronte portreti i Hassan Nasrallahut.

Por protesta e sotme përreth selisë së qeverisë në Beirut, e planifikuar që të zgjasë disa ditë, do të ishte më e qetë. Organizatorët nga radhët e opozitës u kishin bërë thirrje përkrahësve që të sillnin vetëm flamuj libanezë, jo edhe flamuj apo distinktivë të partive të tyre pro-siriane.

Në sheshet në zemër të Beirutit janë ngritur çadra. Gjeneratorë energjie dhe banja të lëvizshme do të garantojnë që mijëra demonstruesit, të cilët kërkojnë rrëzimin e qeverisë Fuad Siniora, të qëndrojnë atje për kohë të gjatë. Në fjalën e tij kreu i Hisbollahut Nasrallah kishte premtuar protesta masive të qeta dhe të qytetëruara.

"Ju ftojmë të gjithëve nga të tëra anët e Libanit, pjesëtarë të të gjitha feve. Pavarësisht dallimeve në pikëpamje demonstroni paqësisht dhe në mënyrë të civilizuar. Do t'i tregojmë botës se ç'mendojmë dhe do t'i çojmë çështjet përpara në paqe dhe në formë politike. Kjo është zgjedhja jonë."

Gjendja e sigurisë përreth Grand Serail-it, selisë së kryeministrit Siniora, ishte e tendosur. Tanke të ushtrisë kishin dalë atje dhe trupat speciale qëndronin në gatishmëri. Rreth 20.000 ushtarë në Beirut siguronin qetësinë dhe rendin. Shefi i ushtrisë bëri të qartë se do të mbyteshin që në ndezje përleshjet e dhunshme. Edhe Hisbollahu ishte i pranishëm me personel sigurie. Disa mijëra pjesëtarë të milicisë së mirëorganizuar do të garantojnë disiplinën, u tha.

Kryeministri Siniora as që mendon të lëshojë pe kundrejt kërkesave të opozitës për më shumë pushtet në qeveri. Nuk më bëjnë përshtypje as protestat, deklaroi Siniora në një fjalim radiofonik drejtuar kombit. Qeveria e tij do të luftojë kundër kthimit nën tutelë, tha kryeministri duke nënkuptuar mbizotërimin për tri dekada të Sirisë në Liban. Forcat përreth Siniorës i akuzojnë Hisbollahun dhe aleatët e tij se me porosi të Sirisë duan të destabilizojnë gjendjen në Liban.