1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillojnë punimet për pastrimin e rrënojave në Katovicë

Thomas Rautenberg30 Janar 2006

67 të vdekur dhe 141 të plagosur pas shëmbjes së çatisë së ndërtesës së panaireve në Poloni

https://p.dw.com/p/ArCC
Qirinj për viktimat
Qirinj për viktimatFotografi: AP

Në sallën e panaireve në Katovicë do të fillojë pas pak pastrimi i rrënojave. Kontigjenti i qenëve të brigadës së shpëtimit ndodhet në gadishmëri për të kontrolluar për herë të fundit, cep më cep, nëse nën rrënoja fshihet ndonjë viktimë e pazbuluar. Pastrimin e vendit nga muret dhe çatia e rrëzuar, e bën një firmë e specializuar për këtë. Gjithsej janë 67 të vdekur dhe 141 të plagosur, shumë prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë. Për ministrin polak të ndërtimit Jerzy Polaczek shkaku i katastrofës është i qartë: Tavani i ndërtesës është rrëzuar nën presionin e dëborës së ngrirë. Shumica e viktimave janë ofrues dhe vizitorë në një panair ndërkombtar për rritjen e pëllumbave:

"Gjatë kontrollit të çatisë, mbi pjesën e padëmtuar pamë që ishte një shtresë 50 cm e trashë dëbore të ngrirë. Ky informacion është i rëndësishëm, sepse ai bie në kundërshtim me atë që thotë shoqëria e panaireve, " – sqaron Polaczek.

Organizatorët e panairit në Katovicë vazhdojnë të ngulin këmbë që çatia e ndërtesës ishte pastruar nga dëbora para se të fillonte aktiviteti. Gregor Slyszyk nga organet e kontrolit në Katovice, thotë: "Se a e ka shkaktuar dëbora katastrofën apo jo, këtë duhet të ta tregojnë hetimet. Kjo çështje tani do të sqarohet nga prokuroria. Mund t‘ju siguroj, që gjithçka ka qenë në rregull dhe dëbora ka qenë e pastruar."

Presidenti polak Leh Kaczynski, ka paralajmëruar ndërkohë se do t‘i marrë vetë në dorë hetimet për rastin e fatkeqësisë. Kryeministri Kazimierz Marcinkiewicz ka parlajmëruar se mbas kësaj drame, do të shqyrtojë edhe një herë ligjet e ndërtimit:

"Duhet të bëjmë bilancin e gjithë aksionit të shpëtimit dhe duhet të nxjerrim konkluzionet tona. Neglizhencat në raste të tilla duhet të dënohen. Në Poloni ka disa ndërtesa të ngjashme. Por ka edhe pavione nga Spanja, për shembull nga një vend tjetër. Ato nuk mund të mbajnë as 10 e as 50 centimetër dëborë. Salla të tilla duhet të mbyllen, nuk lejohet të ndodhin përsëri drama të ngjashme."

Që nga fundjava, me urdhër të ministrit polak të punëve të brendshme, të gjitha ndërtesat publike po kontrollohen nga dëme dëbore nëpër çati.