1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fisher kërkon në SHBA zgjidhje diplomatike për Iranin

Georg Schwarte5 Maj 2006

Në Uashington këtyre ditëve nuk qëndroi vetëm kancelarja federale gjermane Angela Merkel por edhe ish-ministri i jashtëm gjerman Joshka Fisher. Joshka Fisher në Uashington shprehu qartë qëndrimin e tij për zënkat atomike me Iranin

https://p.dw.com/p/ArLZ
Ish-ministri i jashtëm gjerman, Joshka Fisher
Ish-ministri i jashtëm gjerman, Joshka FisherFotografi: AP

Ish-shefi i diploamcisë gjermane Joshka Fisher u shpreh qartë në Uashington. I liruar nga obligimet diplomatike që lidheshin me ish-postin e tij politik ai foli në Uashington për zënkat bërthamore me Iranin, as dy kilometra larg Shtëpisë së Bardhë, në selinë e Shoqatës për të drejtat ndërkombëtare (ASIL). Apeli i tij në adresë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte: bisedime të drejtëpërdrejta me qeverinë e Teheranit.

"Nuk ka mbetur shumë kohë dhe pa një një udhëheqje vendimtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës zënka me Iranin nuk do të ketë zgjidhje", tha Fisher.

Fisher kërkon një ofertë gjithëpërfshirëse negociuese për udhëheqjen e Iranit, shoqëruar me një garancë sigurie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kusht: Irani duhet të heq dorë nga pasurimi i uranit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë duhet t'i premtojnë Iranit rifillimin e plotë të marrdhënieve diplomatike.

"Ekziston një hapësirë kohore që duhet t'i lihet Iranit për të marrë këtë vendim strategjik. Nëse nuk mirret ky vendim atëherë ne kemi fituar legjitimitetin për një politikë izoluese", tha Joshka Fisher.

Ish-shefi i diplomacisë gjermane është i qartë: izolimi i Iranit, mosmilitarizimi i konfliktit duhet të jetë opcion. Po ashtu Fisher shton: Edhe pse Irani aktualisht e ndjen veten të fortë mud t'i ketë llogaritë e tij gabim. Por nga ana tjetër sipas Fisher të flasësh për opcione ushtarake është po aq e panevojshme:

"Kush flet në këtë gjendje për opcione ushtarake me të cilat bota do të përfundonte në një ankth, nuk vepron me mençuri", tha Fisher.

Para pak kohësh Fisher së bashku me pesë ish-homologët e tij, në mesin e tyre edhe ish-sekretarja amerikane e shtetit Medlin Ollbrajt i janë drejtuar me një letër të hapur presidentit amerikan Xhorxh Bush. Porosia e tyre e përbashkët: një veprim arbitrar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit do të kishte ndikime katastrofale në sigurinë ndërkombëtare. Gjashtë ish-ministrat e jashtëm kanë propozuar në letrën e tyre që qeveria Bush të rifilloj bisedimet me udhëheqjen në Teheran. Sipas Fisher:

"Disa siç duket besojnë se të gjithë ata që angazhohen me mjete diplomatike janë frikacak - vetëm kush kërkon aksione ushtarake - është i fortë. Kjo nuk është përvoja ime", theksoi Joshka Fisher.

Pothuajse dy orë foli ish-ministri i jashtëm gjerman. Në fund të fjalës së tij ai u ndal edhe tek 'Koalicioni i të gatshmëve' një nocion ky i cili është përdorur fillimisht nga amerikanët në prag të të luftës më Irakun. Ky nociaon tash përmendet nga sekretarja amerikane e shtetit Kondoleza Rajs edhe kur flitet për mundësinë e sulmeve ushtarake ndaj Iranit. Në rast nevoje Shtetet e Bashkuara do të veprojnë me një 'Koalicion të tillë të të gatshmëve', përsërit Rajs. Pa përmendur emrin e sekretares amerikane të shtetit, Fosher tha se kjo nuk mund të jetë zgjidhja për të ardhmen e botës:

"Nuk besoj që të gjitha kërcënimet dhe sfidat mund të zgjidhen me një koalicion të të gatshmëve. Ndoshta për këtë jam shumë konzervativ", nënvizoi Fisher.

Ai ka shtuar se beson gjithnjë e më tepër në forcën e institucioneve. "Kush vjen në pyetje, nëse jo Kombet e Bashkuara", pyeti Fisher, rrudhi krahët, qeshi dhe u falendërua për duartrokitjet e pjesëmarrësve.