1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fisher kërkon plan-aksioni - Zhvillohet në Bruksel semninari për antisemitizmin nga BE dhe Kongresi Evropian i Hebrejve

Bernd Riegert20 Shkurt 2004
https://p.dw.com/p/ArII
Sa i përhapur është antisemitizmi në Evropë dhe cfarë mund të bëhet për ta luftuar atë? Kjo është cështja qendrore e seminarit për antisemitizmin që organizojnë në Bruksel BE-ja dhe Kongresi Evropian i Hebrejve. Në hapje të seminarit ditën e enjte ministri gjerman i punëve të jashtme, Joshka Fisher, kërkoi që të hartohet një plan i përbashkët aksioni. Përfaqësues të organizatave hebrejve, nobelistë të paqes dhe i mbijetuari i Holokaustit Eli Viezel me fjalë të fuqishme bënë të qartë, se hebrejtë në Evropë duhet të frikësohen nga atakimet verbale dhe fizike. BE-ja nuk duhet të jetë indiferente, nëse ekstremistë të djathtë, islamistë, por edhe të majtë intelektualë, shprehen me urrejtje për hebrejtë, tha Eli Viezel: "Ka antisemistë që janë ekstremistë të djathtë, por ka edhe të majtë që janë kundërshtarë të Izraelit, të cilët evoluojnë në antisemitë dhe në mes tyre qëndron masa e gjerë e myslimanëve. E ju doni të më mbushni mendjen, që hebrejtë nuk kanë përse të frikësohen. Unë besoj, se nëse sot bashkësia hebreje thotë, që ka antisemitizëm dhe që kemi frikë, kjo duhet besuar dhe nuk duhet menduar, se ne jemi paranoikë." Zëvendëskryetarja e Këshillit Qendror të Hebrejve në Gjermani, Sharlote Knobloh, tha, se antisemitizmi i ri në Francë, në Belgjikë dhe në Britaninë e Madhe përhapet nga emigrantët myslimanë. Në Gjermani janë politikanë të papërgjegjshëm ata që ndezin klishetë antisemitiste, si ish-politikani liberal Jyrgen Mëleman. Shkrimtari Eli Viezel tha, se mediet arabe dhe palestineze, të cilat kanë publik edhe në Evropë, japin shpesh herë programe me përmbajtje antisemitiste. Madje edhe në shkollat palestineze nxënësit i mësojnë me urrejtjen për cifutët: "Unë kam parë në televizion, e mesiguri që edhe ju të tjerët keni parë, se si një mësues pyet nxënësit, cfarë doni të bëheni kur të rriteni. Nxënësit përgjigjen: ne duam të vrasim cifutët. Jo izraelitët, por cifutët! E cfarë mund të presësh prej këtyre fëmijëve?" Ministri i jashtëm gjerman, Joshka Fisher, u bëri thirrje evropianëve që t´i luftojnë tendencat antisemiste. Pikërisht demokracia gjermane nuk mund të funksionojë, nëse ajo nuk i mbron pakicat e saj. Kjo vlen jo vetëm për hebrejtë, por edhe për të gjitha minoritetet e tjera, theksoi Fisher: "Besoj, se një nga mësimet më të rëndësishme që duhet të nxjerrim, është se ne duhet t´u përmbahemi këtyre parimeve, aq më e nevojshme është kjo, në një kohë që ne nuk duhet të jemi të verbër dhe indiferentë. Nëse ne e bëjmë këtë, atëherë edhe po të ketë antisemitizëm në të ardhmen, ai do të jetë i izoluar vetëm tek një pakicë. Sa herë që një pakicë e tillë do të tentojë të ngrejë kokën ne do t´i kundërvihemi me vendosmëri dhe do t´ia këpusim kokën." Të gjithë pjesëmarrësit në seminar ishin të një mendjeje, se antisemitizmi i ri në Evropë është forcuar nën hijen e ashpërsimit të konfliktit në Lindjen e Mesme. Ndaj paqja mes Izraelit, një shteti palestinez dhe një perspektive për të rinjtë radikalë në vendet arabe është një detyrë imperative, tha ministri Fisher: "Ne duhet t´i kundërvihemi energjikisht antisemitizmit. Por detyra e dytë për ne është që të zgjidhim konfliktin në Lindjen e Mesme, të nxisim bashkëpunimin në hapësirën e Mesdheut, të koncpetojmë një vizion të ri për paqen dhe ta vëmë në jetë atë. Në këtë drejtim unë shoh një sfidë të madhe për Evropën e bashkuar." Kritika në adresë të politikës izraelite është legjitime, tha ministri izraelit për diasporën dhe Jeruzalemin, Natan Sharanki. Por sipas tij e drejta e ekzistencës së Izraelit nuk duhet të vihet në dyshim. Presidenti i Komisionit Evropian, Romano Prodi, hodhi poshtë akuzat e Kongresit Evropian të Hebrejve, sipas të cilave BE-ja është poziocionuar qartë në anën e palestinezëve. Edhe Joshka Fisher kërkoi një qëndrim më korrekt kundrejt BE-së. Prodi premtoi aksione të mëtejshme të BE-së kundër antisemitizmit në Evropë, por nga ana tjetër ai nënvizoi, se situata e hebrejve as që mund të krahasohet me atë të viteve 30 apo 40. Formësimi politik i Evropës është sot krejt ndryshe theksoi Prodi: "Vlerat tona themelore, shumëllojshmëria jonë kulturore dhe natyra jonë multietnike janë një fortifikatë kundër antisemitizmit dhe formave të reja të paragjykimeve." Ministri i jashtëm gjerman Fisher, i cili përpara tri ditësh u kthye nga vizita në Izrael theksoi shpresën që të gjitha këto të mos mbeten vetëm fjalë në erë: "Unë dëshiroj që prej këtej të nxirren konkluzionet e duhura. Jo për atë që ne të gjithë jemi dakord që të ulemi e të bisedojmë së bashku për këto probleme, por që ne të kemi edhe një plan aksioni. Ne duhet të krijojmë transparencë lidhur me antisemtizmin, në mënyrë që të reagojmë dhe të koordinohemi. Një konferencë e tillë është e dobishme vetëm nëse ajo do të ketë efekt në jetën e përditshme të vendeve anëtare të BE-së.