1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fisheri humbet pike

Anila Shuka, Berlin24 Shkurt 2005

Vazhdon afera e vizave

https://p.dw.com/p/Ar4Z
Ministri i Jashtem i Gjermanise Joshka Fisher
Ministri i Jashtem i Gjermanise Joshka FisherFotografi: AP

Komisioni hetimor parlamentar i vizave, i cili u mblodh dje në Berlin, po e dëmton imazhin deri tani të pathyeshëm, të ministrit të jashtëm, Joshka Fisher. Të enjten komisioni dëgjoi funksionarë të Zyrës Federale Kriminale. Opozita ndërkohë po ngul këmbë që para komisionit të flasë edhe vetë ministri. Ky po mundohet të fitojë kohë. Akuza e opozitës është se politika e dhënies së vizave ka favorizuar lëvizjen e lirë në hapësirën e Shengenit të mijëra klandestinëve nga Evropa Lindore. Kryesisht bëhet fjala për keqpërdorime me vizat në ambasadat gjermane në Kiev, Moskë, Tiranë dhe Prishtinë. Anila Shuka informon nga Berlini:

Dëshmitarët e parë në komisionin hetimor parlamentar për të ashtuquajturën "aferë të vizave" ishin nëpunësit e Zyrës Federale Kriminale. Ata thanë, se praktika e dhënies së vizave gjermane jashtë shtetit i ka rënë në sy negativisht që më parë.

«Po shtohen shenjat që flasin për atë që Fisher ka qenë në dijeni të dhënies së vizvave, thotë përfaqësuesi i kristdemokratëve në komisionin hetimor, Ekard fon Kleden. "Duhet sqaruar, se përse, megjithë kritikat e Zyrës Kriminale, nuk ka patur asnjë reagim nga ministria e jashtme." Partitë e koalicionit nuk e pranojnë këtë akuzë. Ato thonë se gjithmonë kriminelët e kanë gjetur rrugën për të gjetur vizat në mënyrë ilegale.

Opozita kërkon që Fisheri të dalë sa më shpejt para komisionit hetimor.

"Gjatë ditëve të ardhshme do të dëgjoni disa fjalë të qarta për këtë çështje, iu përgjigj sot në Berlin Miniistri i Jashtëm i Gjermanisë Joshka Fisher, pyetjeve të gazetarëve"

Të shtunën në Këln do të mbahet kongresi i të gjelbërve për Landin Norrhein Vestfalisë. Në fjalën e tij Fisheri do të sqarojë antarët e partisë së vet për aferën e vizave.

Akuza e opozitës kristiandemokrate/kristiansociale ndaj të gjelbrit Fisher është: Zyra e të huajve mban përgjegjësi për keqpërdorimin e vizave në ambasadat e vendeve Lindore.

Ambasada gjermane në Kiev i ka thënë Zyrës Kriminale Federale, se shkaku i dyndjes së jashtëzakonshme të ukrainasve për të kërkuar vizë hyrje në Gjermani kanë qenë pikërisht dekretet e nxjerra nga ministria e jashtme. Njëri prej tyre, i njohur me emrin Folmer, sipas ish-sekretarit të shtetit, Lydger Folmer, jepte si udhëzim, që në rast se ambasada do të kishte dyshime për bonitetin e kandidatit për vizë, ajo mund të vendoste në favor të tij. Ndërkohë Folmer, që prej kohësh nuk ishte më në postin e sekretarit të shtetit dha dy javë më parë dorëheqjen nga të gjitha postet në partinë e gjelbër.

Por qëllimi i opozitës është të sulmojnë atë, që deri tani në të gjithë barometrat politikë ka qenë në krye të tabelës së klasifikimit. Siç bën të ditur një gazetë nga Lajpcigu, për herë të parë që nga nëntori i vitit 2001, Fisheri ka dalë në vendin e dytë të barometrit politik të kanalit të dytë televiziv ZDF. Është hera e parë në historinë gati shtatëvjeçare të qeverisjes së tij si ministër i jashtëm, që figura e Fisherit po humbet pikë.