1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fitime pa risk - Opiumi produkt i vetëm eksporti në Afganistan

Jyrgen Hanefeld8 Shkurt 2004
https://p.dw.com/p/ArU6
Afganistani, prodhuesi më i madh i opiumit në botë, organizon konferencën ndërkombëtare për luftën kundër tregtisë, kultivimit dhe konsumit të drogës. Në këtë konferencë dyditore në Kabul marrin pjesë përfaqësues të qeverisë afgane, të organizatave ndërkombëtare si dhe të dërguar të vendeve të ndryshme. Pjesëmarrësit duan të diskutojnë jo vetëm për strategjitë kundër ekonomisë së opiumit, por edhe për hartimin e planeve konkrete. Veprimi në këtë drejtim është urgjentisht i domosdoshëm, sepse rritja e vrullshme e prodhimit të drogës po minon procesin e paqes dhe po rrezikon ripërtëritjen ekonomike të Afganistanit. Kultivimi i opiumit përbën gati gjysmën e produktit bruto të vendit në malësitë e Hindukushit.

Policit të vetmuar që drejton trafikun në udhëkryqin kryesor të Kundusit i kalojnë shumë gjëra përpara syve: karroca me kalë, bicikleta, gamile apo motcikleta, kamionë apo gomerë, ushtarë gjermanë që përshëndesin miqësisht nga xhipat e tyre, e cdo ditë edhe qindra kg. opium i virgjër. Kundusi është pika e tranzitit për provincën verilindore të Afganistanit, Badakshan, rajon ky ku tradicionalisht kultivohet lulëkuqja e opiumit, thotë Adam Bouloukos, punonjës i zyrës së OKB-së për luftën kundër kriminalitetit të drogës: "Nga Afganistani e kanë prejardhjen 75% deri në 80% e produktit botëror të opiumit, prej nga përftohet edhe pjesa përkatëse e heroinës. Vetëm në Badakshan gjatë vitit të kaluar është zgjeruar me 55% sipërfaqja e kultivimit."

Toka këtu është mjaft pjellore, konstaton eksperti i shkencave agrare Ken Henings, i cili është i dërguari i agjencisë agrare të SHBA për të ndihmuar në rindërtimin e Afganistanit: "Këtur rritet gjithcka, grurë dhe pambuk, oriz e patatet e për fat të keq edhe opium."

Bujqit janë ata që fitojnë më shumë prej kultivimit të lulëkuqeve: deri në 400 euro janë të ardhurat nga 1 kg. opium. Sipas përllogaritjeve të OKB-së fitimi nga kultivimi i drogës dhe kontrabanda me të përbëjnë më shumë se gjysmën e produktit bruto në Afganistan: "Ekonomia e opiumit po minon procesin e paqes. Në një vend, ku nuk ka asnjë degë tjetër të ekonomisë dhe që është në gjendje të eksportojë vetëm stafidhe dhe shegë, në një vend, ku nuk janë studiuar si duhet lëndët e para nëntokësore, është shqetësues fakti që qarkullojnë sasi të mëdha parashë ilegale që vijnë nga kontrabanda e drogës."

Në konferencën ndërkombëtare në Kabul do të diskutohet për hartimin e strategjive kundër këtij biznesi. Synohet që kjo strategji të nisë që nga programet sqaruese për prodhimin e produkteve bujqësore alternativë e deri tek përpilimi i masave efikase të përndjekjes penale për ata që janë përgjegjës: "Ndërkohë kultivuesit e opiumit ashtu si edhe kontrabandistët veprojnë në një zonë që nuk paraqet aspak rezik për ta. Ata nuk rezikohen nga përndjekja, nga izolimi apo ndalimi për krimin që kryejnë."

Përgjegjëse për luftën kundër kriminalitetit të drogës duhej të ishte vetë policia e Afganistanit, por ajo ka nevojë të kualifikohet. Këtë detyrë e kanë marrë përsipër gjermanët. Derisa të avancojnë kurset e kualifikimit të organizuara nga pala gjermane, janë britanikët ata që në kuadër të trupës ndërkombëtare të mbrojtjes, ISAF, kujdesen për këtë problem. Faza e parë e kësaj iniciative gjatë vitit të kaluar pothuajse dështoi: bujqit e opiumit morrën para pasi premtuan, se do të kultivojnë produkte të tjera. Por rezultati ishte i tillë, që duke shpresuar tek komnpesimi joshës që iu ofrua bujqit e zgjeruan edhe më shumë sipërfaqet e kultivimit të opiumit. Kohët e fundit britanikët kanë përdorur për herë të parë edhe dhunën kundër këtij biznesi duke hedhur në erë një laborator të heroinës. Por edhe ky veprim është kritikuar nga trupa ndërkombëtare ISAF. Përdorimi i dhunës shqetëson dhe frikëson popullsinë fshatare, nga ana tjetër nuk duhet që bujqit të dëmtohen apo të ndëshkohen: "Shumë bujq detyrohen prej kontrabdansitëve që të kultivojnë opium, sepse ata janë në borxh. Kontrabandistët janë zakonisht pronarë tokash. Sidoqoftë këtu nuk kemi të bëjmë me kartele të mëdha si në Amerikën Latine. Në Afganistan veprohet në struktura të vogla rajonale brenda bashkësive etnike." Adam Bouloukos thotë, se edhe instancat zyrtare bashkë me udhëheqësit rajonalë janë të implikuara në biznesin e drogës, por ai nuk përmend emra.

Guvernatori ushtarak i krahinës Kundus është gjenerali 33 vjecar Mohamed Daoud, i cili sic thotë është komandant i 30.000 burrave të armatosur. Por tek sheh duart e tij të bardha si të ndonjë femre thua, se vështirë që ai të ketë mbajtur ndonjëherë armë në dorë. Daoud thotë, "se është i pari që do t´i kish shkatërruar fushat e lulëkuqeve. Ndoshta ka komandantë të implikuar në kontrabandë, por unë nuk jam prej tyre. Unë i urrej njerëzit e drogës. Ju premtoj, se nëse do të kem pak mbështetje nga Gjermania unë do ta nis vetë luftën kundër drogës." Përpara se gjenerali Daoud të largohet për të hyrë në xhami, ai përbetohet sërish, se si mund të jetë ai i implikuar në kontrabandën e drogës, tek dihet që Kurani ndalon cdo formë të narkotikëve?