1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fitimprurëse si tregtia me armë dhe drogë

Nina Bednarz27 Maj 2004

Organizata terre des hommes e alarmuar për rritjen e tregtisë me fëmijë

https://p.dw.com/p/Ar6T
Tregti me fëmijë shqiptarë në Greqi
Tregti me fëmijë shqiptarë në GreqiFotografi: TdH

Shifrat e paraqitura nga organizata terre des hommes janë alarmuese. Sipas përllogaritjeve çdo muaj shiten dhe kthehen në skllevër rreth një milion fëmijë. Tregtia me të miturit është pothuajse po aq fitimprurëse sa edhe ajo me armë dhe drogë. Ata duhet të jetojnë në kushte çnjerëzore si skllavë pune, prostituta ose shërbëtorë shtëpie. Por tregtia me fëmijë nuk është më vetëm dukuri e vendeve në zhvillim, thotë Boris Scharlowski, bashkërendues i fushatës kundër tregtisë me fëmijë të organizatës terre des hommes në Gjermani:

"Sipas përllogaritjeve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe të komisariatit të lartë për refugjatët të Organizatës së Komebeve të Bashkuara vetëm nga shtetet e Evropës jugore dhe juglindore mbërrijnë çdo vit në vendet anëtare të Bashkimit Evropian 120.000 gra dhe fëmijë. Sipas OSBE-së gratë dhe fëmijët e tregtuar janë kryesisht nga rrethi i vendeve në anëtarësim si dhe nga vende të tjera të Evropës lindore si për shembull Federata Ruse, Shqipëria ose Rumania."

Të miturit tregtohen me fitim në shtete më të pasura. Sipas OSBE-së një vajzë nga Timisoara në Rumani kushton midis 45 dhe 175 eurove. Në vendin e destinimit çmimi është dhjetëfish më i lartë. Scharlowski:

"Shitja e fëmijëve shërben shpesh si përgatitje për veprimtari të tjera të jashtëligjshme ekonomike si tregtia me drogë dhe prostitucioni. Lulëzimi i tregtisë me fëmijë po bëhet gjithnjë e më tërheqës edhe për grupe të reja personash. Ne kemi shembuj nga vende të caktuara, ku edhe nëpunësit e shtetit marrin pjesë gjerësisht në këtë tregti."

Tregtia me fëmijë me qëllim shfrytëzimi seksual vazhdon të rritet. Në Itali një e treta e prostitutave të huaja janë të mitura. Në Spanjë dhe Francë fëmijët romë nga Evropa lindore duhet të punojnë si lypës dhe në Gjermani të miturit detyrohen të vjedhin. terre des hommes lufton prej vitesh kundër tregtisë me fëmijë. Në Evropë përpjekjet janë përqendruar tek sensibilizimi i shoqërisë për problemin.

Por organizata po mundohet të bëjë për vete edhe politikanët. Aktualisht vëmendja është e drejtuar nga Brukseli. Në prag të zgjedhjeve për parlamentin evropian terre des hommes kërkon nga politikanët mbrojtje më të mirë për fëmijët e tregtuar. Tregtia me fëmijë duhet dënuar si krim kundër njerëzimit.