1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fluksi i pandalshëm i refugjatëve - Italia kërkon solidaritet nga BE

Bernd Riegert/Lindita Arapi9 Korrik 2014

Numri i refugjatëve, që duan të hyjnë në Europë, rritet dita-ditës. Ministrat e Brendshëm të BE gjatë takimit në Milano nuk ranë në ujdi për shpërndarjen e përgjegjësisë. Italia kërkon më shumë solidaritet nga BE.

https://p.dw.com/p/1CYak
Flüchtlinge Italien
Fotografi: Reuters

Rreth 65.000 refugjatë kanë ardhur në brigjet italianë në gjashtë muajt e fundit. Kjo shifër përbën numrin e përgjithshëm të refugjatëve për të gjithë 2013-n. Vendi jugor europian, vetë me probleme ekonomike, rënkon nën barrën e madhe të fluksit. Ministri i Brendshëm konservator italian, Angelino Alfano, e përdori presidencën e radhës, që ka kaluar tek Italia, për të kërkuar më shumë solidaritet nga partnerët europianë gjatë takimit të ministrave të Brendshëm të BE-së në Milano.

Ministrat e Brendshëm të BE në Milano
Ministrat e Brendshëm të BE në MilanoFotografi: DW/B. Riegert

"Kjo është një çështje europiane"

Që nga tetori i vitit 2013, kur para brigjeve italiane u mbytën së paku 366 refugjatë, marina italiane ndërmerr aksione shpëtimi ndaj varkave të tejmbushura me refugjatë dhe në gjendje rreziku. Aksioni "Mare Nostrum" i marinës italiane ka shpëtuar shumë jetë njerëzish, shprehet drejtori i një organizate, që ndihmon azilkërkuesit, Këshillit Italian të Refugjatëve, Christopher Hein. Por italianët duhet të mbështeten nga BE. "Kjo është një çështje europiane. Kufijtë në Detin Mesdhe duhen parë si kufij europianë, jo si kufijtë e jashtëm të një vendi të vetëm, pra të Italisë, ose Greqisë."

Rreth 9 milionë euro në muaj i kushton marinës italiane aksioni i shpëtimit. Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, ka mirëkuptim për kërkesat italiane për më shumë mbështetje, por nuk ofron një zgjidhje. Në takimin e ministrave të Brendshëm në Milano ai u shpreh për Deutsche Wellen se "nuk mund të jetë detyrë e marinës italiane marrja e refugjatëve. Edhe ideja që këtë detyrë ta marrë përsipër 'Frontex' nuk është realiste." Agjencia Europiane për Ruajtjen e kufijve, Frontex, patrullon në Detin Mesdhe, por nuk ka në dispozicion anije.

Tabelë me aplikimet e reja për azil në BE
Tabelë me aplikimet e reja për azil në BE

Refugjatët duan të kalojnë nga Italia në Europën Veriore

Procedurat e azilit në Itali kryhen në mënyrë të drejtë për refugjatët, që kanë shkelur tokën italiane, thotë Christopher Hein, nga Këshilli i Refugjatëve. Gati 80% të refugjatëve, që aktualisht vijnë nga Siria dhe vendet afrikane, iu njihet azili. Por shumë prej tyre nuk duan të qëndrojnë në Itali. Shumë kanë të afërm në vende të tjera të BE-së, Gjermani, apo Suedi. "Prandaj ata nuk duan të bëjnë kërkesë për azil në Itali, por duan të vazhdojnë më tej dhe vërtet ata vazhdojnë udhëtimin për në vende të tjera e kjo nuk mbështetet nga ligji."

Sipas rregullores së Dublinit, vendi i parë i mbërritjes së azilantit është përgjegjës për të. "Rezultati, që kemi, që Dublini nuk funksionon dhe refugjatët i kanë katër apo pesë shtete në BE, nuk është shenjë solidariteti", thotë ministri i Brendshëm gjerman, de Maiziere. Italisë duhet t'i jepet më shumë ndihmë për pritjen e refugjatëve.

BE grindet për shpërndarjen e refugjatëve

Komisioni Europian i ka bërë kërkesë vendeve anëtare të pranojnë më shumë refugjatë, edhe ata që duhet të zhvendosen nga kampet e Organizatës për refugjatët të Kombeve të Bashkuara. Deri më tani nga 28 vende anëtare, vetëm 13 prej tyre marrin pjesë në këto programe, thotë eurokomisionerja për çështjet e brendshme, Cecilia Malmstrëm. Gjermania mund të bëjë më shumë në këtë pikë, la të kuptohet ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere.

Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere në intervistë
Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere në intervistëFotografi: DW/B. Riegert

Megjithatë kjo nuk e ndryshon situatën aktuale. Barra brenda BE-së nuk është e shpërndarë në mënyrë të barabartë. "Ne kemi edhe vende, që krahasuar me numrin e popullsisë pranojnë shumë pak refugjatë", kritikoi ministri i Brendshëm gjerman në Milano. Këtu bëjnë vendet qendrore dhe lindore të Europës. "Zbatimi i njësuar i sistemit të azilit kërkon solidaritet dhe përgjegjësi europiane. Gjermania është gati për këtë", tha de Maiziere.

Ministrat e Brendshëm presin një rritje të mëtejshme të fluksit të refugjatëve në 2014-n për shkak të luftës civile në Siri dhe gjendjes jo të stabilizuar në Eritrea, Somali dhe Sudan. Shumica e shteteve anëtare të BE-së e refuzojnë shpërndarjen e refugjatëve mbi bazën e një kuote fikse. Edhe për Italinë kjo nuk do të ishte pozitive. Matur me numrin e refugjatëve për banorë, Italia zë vendin e 15 në BE.

Numrin më të madh të refugjatëve për banor e ka Suedia, Malta, dhe Austria. Prandaj ministri i Brendshëm suedez, Tobias Bildstrëm, nuk i kupton ankesat e Italisë. "Italia bën një punë të shkëlqyer, kur bëhet fjalë për shpëtimin e njerëzve në det, por shumica e njerëzve, që mbërrijnë në brigjet italiane, rishfaqen pastaj në Gjermani, apo Suedi. Vetëm Gjermania dhe Suedia së bashku kanë pranuar dy të tretat e azilkërkuesve nga Siria.

Ndihmë për vendet e origjinës

Ministrat e Brendshëm të BE-së ishin të një mendimi: Ata duhet të bashkëpunojnë më shumë me vendet e origjinës dhe ato të tranzitit. BE duhet të kujdeset që të përmirësohen kushtet e jetesës në vend. Vëmendje e veçantë këtu do t'i kushtohet Libisë. Ky vend është rruga kryesore e tranzitit për refugjatët nga Afrika Veriore. "Askush nuk mund t'ia dalë vetë. Por duhet edhe durim", tha ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere. Për Christopher Hein nga Këshilli i refugjatëve mbetet shpresa që të rritet më shumë sensibliteti në Europë për çështjen e refugjatëve.