1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

FMN-ja në ethe për gjetjen e një drejtori të ri

Hans-Peter Riese5 Mars 2004

Pas dorëheqjes së Horst Këhlerit po zhvillohet me furi diskutime për zgjedhjen e një drejtori të ri të FMN-së. Gjetja e një pasardhësi të denjë për të do të jetë tepër e vështirë.

https://p.dw.com/p/ArTn
Nga punimet e Komitetit financiar të FMN-së
Nga punimet e Komitetit financiar të FMN-sëFotografi: AP

FMN-ja është përfshirë nga ethet për gjetjen e një drejtori të ri. Kjo sepse emërimi i drejtorëve të FMN-së shoqërohet me bisedime të gjata dhe të komplikuara mes qeverive të vendeve të ndryshme. Dorëheqja e parakohëshme e Horst Këhlerit prej këtij posti për shkak se opozita gjermane e ka propozuar si kandidat për postin e presidentit gjerman, nuk lë shumë kohë për bisedime të gjata, për gjetjen e personit që do të zërë një prej posteve më të rëndësishëme në parketin ndërkombëtar.

Kush do të jetë pasuesi i 61-vjeçarit Këhler, që është propozuar për postin e presidentit gjerman? Paraardhësi i Këhlerii, francezi Mishel Kamdesy e kishte paralajmëruar katër vjet më parë dorëheqjen e tij nga ky post, duke argumentuar me moshën e tij. Në këtë mënyrë ai i kishte dhënë mjaft kohë Komitetit financiar të FMN-së për të rënë dakord për një drejtor të ri. Kurse tani edhe pse koha në dispozicion është mjaft e shkurtër, asnjë prej vendeve nuk ka paraqitur zyrtarisht ndonjë kandidaturë. Francezët, britanikët, spanjollët dhe italianët janë përfshirë në një veprimtari aktive që të ofrojnë kandidatë nga vendet e tyre për këtë post. Zgjedhja e drejtorit të FMN-së bëhet sipas një procedure tepër të komplikuar, gjatë së cilës vendet anëtare të FMN-së përdorin ndikimin e tyre politik për të pasur në këtë post një qytetar nga vendi i tyre. Debatet gjithsesi janë të programuara.

Horst Këhleri u zgjodh në këtë post para katër vjetësh sepse qeveria federale gjermane asokohe nuk ishte në gjendje që t'i bindte shtetet e tjera, e sidomos amerikanët, që kandidati i saj socialdemokrat, Kajo Koh-Vezer, ishte më i miri për këtë post. Për këtë si drejtor konsensual u propozua Horst Këhler, që mori miratimin e qeverisë socialdemokrate të Berlinit edhe pse politikisht i takon kampit kundërshtar.

Me 17,1 % të aksioneve të FMN-së amerikanët vërtet që nuk kanë shumicën e votave. Por politikisht ata kanë peshën më të madhe, sepse i kanë aksionet vetë dhe jo në grup me shtete të tjera.

Meqënëse presidenti i Bankës Botërore është tradicionalisht një amerikan, në krye të FMN-së zgjidhjet një jo-amerikan, i cili, sikurse tregoi rasti i gjermanit Koh-Veser, nuk mund të zgjidhet në këtë post në rast se administrata në Uashington bën rezistencë.

BE ka së bashku 30% të aksioneve të FMN-së, por shtetet anëtare të BE-së deri tani nuk ja kanë dalë asnjë herë mbanë që t'i bashkojnë votat e tyre që u takojnë në bazë të përqindjeve të aksioneve. Në këtë mes Gjermania ka 6,1%, Franca dhe Britania e Madhe nga 5%.

Me përvojën, kompentencën profesionale dhe dijen e tij Këhleri ishte një drejtor mjaft i zoti dhe i padiskutueshëm. Sigurisht që gjetja e një pasardhësi do të jetë tepër e vështirë. Gjithsesi Gjermania nuk ka ndonjë të drejtë që në këtë post të emërohet sërish një gjerman. Ka shumë kohë që vendet e Botës së III kërkojnë që në këtë post të emërohet një kandidat nga këto vende. Nga ana tjetër me zgjerimin e BE drejt lindjes, pretendime për këtë post mund të ngrenë edhe vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore.