1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fushatë zgjedhore në epokën e internetit

Jens Krepela27 Maj 2004

Chat në Deutsche Welle për zgjedhjet për parlamentin evropian

https://p.dw.com/p/Ar6U
Fotografi: dpa zb

Nuk zien puna në shtabin qendror zgjedhor të Partisë Liberale në Berlin. Kandidatja kryesore e partisë me moshë të re është ulur në një poltron përpara një laptopi ngjyrë argjëndi dhe po shtyp.

Megjithëse është vetëm në dhomë, pikërisht tani ajo po diskuton me qindra të interesuar për planet e saj në rast mandatimi për në parlamentin evropian. Me forumin e diskutimit në internet ke nevojë të mësohesh. Këtë gjë politikanja liberale e kuptoi pa kaluar shumë kohë. Për sqarime të gjata atje nuk ka vend:

"Dy herë më kanë këshilluar që të shkruaj fjali të shkurtra; megjithëse tek disa pyetje si kjo këtu për shembull bëhet fjalë për dogana, politikë sociale, zgjerimin e BE-së në lindje... dhe që t'i përmbledhësh këto në një fjali është e vështirë."

Fjali konçize, deklarata të forta - kjo ka rëndësi, sepse sapo kandidatja shtyp gërmën e fundit dhe më pas butonin enter, në ekran shfaqet pyetja tjetër. Pranë saj është ulur Rick Spökel, tekniku që e ka ngritur forumin virtual të bisedimit.

"Ato që dërgojmë që këtej shkojnë drejt e në internet, nuk i lexojmë edhe një herë. Pyetjet e përdoruesve lexohen edhe një herë nga moderatori, renditen sipas temave dhe natyrisht filtrohen dhe censurohen, sepse nuk duam të lëshohen sharje ndaj të ftuarve tanë. Pastaj pyetjet mbërrijnë tek ne. Avantazhi i kësaj është që gjatë përzgjedhjes tematike moderatori mund të mendohet edhe për radhën e pyetjeve. Kur ka për shembull 20 pyetje për një temë, ai vendos që në vijim të merremi me këtë çështje. Pra nuk ka censurim të mirëfilltë, përmbajtësor."

Kjo formë komunikimi është e vështirë edhe për politikët profesionistë, sepse rreziku që në nxitim e sipër të shtypësh diçka gabim është i madh.

"Është si në rastin e intervistës. Edhe kur jap intervistë në radio nuk mund të them, ju lutem ktheheni shiritin. Pra stresuese nuk është kjo, por duhet të kesh mendjen që të shtypësh shpejt dhe të përmbledhësh shumë pyetje."

Diskutimi virtual gjen jehonë të gjerë. Disa qindra të interesuar morrën pjesë në seancën me pyetje online - një punë e vështirë kjo për kandidaten në zgjedhje. Por si në një bisedë të mirë, koha gjatë chatit kalon shumë shpejt. Pas një ore Silvana Koch-Mehrin çohet nga poltroni.