1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fushata elektorale në Serbi sipas notave të Sheshelit

Stephan Ozsváth14 Prill 2016

Njohësit e rrethanave në Serbi janë të sigurtë se ultranacionalisti Vojisllav Sheshel do të kthehet në Parlament. Ai po i jep tonin edhe rrjedhës së fushatës elektorale. Ndërsa Vuçiqi po përpiqet të mbahet në garë.

https://p.dw.com/p/1IUsa
Vojislav Sheshel
Vojisllav SheshelFotografi: picture alliance/AA/K. Maslarevic

Një miting partiak në sallën e sporteve në Kralevë. Këtu ka ardhur ylli aktual serb, Aleksandar Vuçiq, partia e të cilit ka organizuar ardhjen e njerëzve me autobusë. Kanë ardhur mbi 4.000 vetë. Persona të paguar mbajnë në duar flamuj partiak. E gjithë fushata parazgjedhore e Partisë Pëparimtare Serbe bazohet tek kryeministri Vuçiq. Mesazhet e tij janë shumë të thjeshta: ai është zgjidhja më e mirë për vendin, ai do të fitojë dhe në fund një brohoritje - "Rroftë Serbia".

Banka Botëore pohon se gjendja ekonomike në Serbi është pak më e mirë dhe se investorët e huaj sërish po vijnë në këtë vend. Bilanci tregtar me botën e jashtme pothuajse është balancuar. Edhe papunësia është zvogëluar pak, ndonëse ende është dramatike: 18 % e shtetasve serbë janë të papunë, sipas të dhënave zyrtare. Por jozyrtarisht thuhet se kjo shifër është më e lartë. Sipas sondazheve të fundit, problemet më të mëdha të qytetarëve në Serbi janë papunësia dhe korrupsioni.

Aleksandar Vucic
Vuçiq: dhimbje koke nga e kaluaraFotografi: picture-alliance/dpa/K. Sulejmanovic

Vuçiqi ka një përgjigje për këto sfida, thonë simpatizantët e tij në Kralevë. Njëri thotë se kryeministri e ka udhëhequr vendin në mënyrë të shkëlqyer dhe duhet të mbetet në këtë post, "nëse duam prosperitet". Ndërsa një minator thotë se ai dhe shokët e tij janë të gatshëm të japin kontributin e tyre për zhvillimin e vendit. Ata thonë se Vuçiqi u pëlqen edhe për faktin se është i sinqertë, nuk premton tepër dhe sjell stabilitet. "Rrogat janë të rregullta, edhe pse ndoshta janë më të ulëta. Me rëndësi është që vijnë me kohë", thotë ai.

Konkurrenti nga e kaluara

Por Vuçiqi paraqitet gjithnjë e më autoritar në ushtrimin e pushtetit. Gazetarët ankohen për censurë të butë, përmes tregut të reklamave, i cili është nën kontrollin e shtetit dhe njerëzve të afërt me shtetin. Në qeveri nuk ekziston pothuajse askush që vendos, përveç Vuçiqit. Ai është gjithkush dhe gjithçka në qeveri.

Vuçiqi flet tërë kohën për reforma, por gjithmonë gjen ndonjë shkas për të mos i realizuar ato, thotë profesori Florian Bieber, nga Qendra e Studimeve për Evropën Juglindore, me seli në Grac të Austrisë. "Njëherë është shkak populli serb, i cili mbase nuk po do reforma. Pastaj shkak janë problemet me Bashkimin Evropian. Më pas vështirësitë me Rusinë. Pastaj armiqtë e brendshëm dhe mediat kritike në vend. Vuçiqi gjithmonë gjen ndonjë shpjegim për të mos i bërë reformat e premtuara", thotë ai. "Duket sikur Vuçiq vet po krijon probleme për tëaparaqitur veten si zgjidhjen më të mirë“, komenton Bieber.

Por Vuçiqi tani ka edhe një konkurrent, i cili vjen nga e kaluara e tij personale. Radikali Vojisllav Sheshel po zhvillon një fushatë aktive, ndërsa fushatën e tij e ka ndihmuar edhe vendimi i fundit i Tribunalit të Hagës, i cili e ka shpallur atë të pafajshëm ndaj akuzave për krime lufte në hapsirat e ish-Jugosllavisë. Tani pritet edhe vendimi i shkallës së dytë, por Shesheli është duke shfrytëzuar me të madhe vendimin e shkallës së parë.

Vojisllav Sheshel
Shesheli: Nuk duam BEFotografi: DW

Shesheli në mitingje me të madhe pohon se në Hagë e ka konfirmuar legjitimitetin e idesë së tij për një "Serbi të Madhe". "Tani jemi ne ata që duhet ta realizojmë këtë ide", thërret Shesheli, para mijëra simpatizantëve të tij, duke shtuar: "Me mjete demokratike, sepse ju e dini që unë jam një demokrat i madh!" Radikalëve po u ecën mirë fushata. Në disa sondazhe thuhet se ata mund të jenë edhe forca e tretë më e fuqishme në përbërjen e ardhshme të parlamentit.

Vuçiqi ka një pjesë të fajit

Shesheli përcakton edhe tonin e kësaj fushate, ndërsa Vuçiqi po e ndjek, thekson Dushan Janjiq. Sipas tij, Shesheli është duke kthyer një pjesë të madhe të zgjedhësve të dikurshëm, të cilët në zgjedhjet e kaluara kanë votuar për presidentin Tomisllav Nikoliq dhe kryeministrin Aleksandar Vuçiq, që dikur kanë qenë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sheshelit. "Shesheli gjithmonë do të provokojë dhe do të jetë një problem kronik në parlamentin e Serbisë", mendon Janjiq.

Ideja e Sheshelit - për Rusinë dhe kundër Bashkimit Evropian - është më pak e pakëndëshme për Vuçiqin se sa pjesa e së kaluarës së përbashkët me Sheshelin. Në vitin 2008, Vuçiqi ishte udhëheqës i protestave kundër dorëzimit të Radovan Karaxhiqit në Hagë, ku ai është dënuar për krime lufte dhe gjenocid. Por vetëm pak më vonë, Vuçiqi e ka zbuluar papritur dashurinë ndaj BE-së.

Në një interivstë për mediat gjermane Vuçiqi pranon "pjesën e fajit të tij", sepse është i vetëdijshëm që "idetë nacionaliste gjithmonë gjejnë një tokë pjellore". Tani thotë se nuk duhet të luajmë me të ardhmen e Serbisë. "Serbia e respekton integritetin territorial të vendeve fqinje.“ Serbia dëshiron të ndryshojë dhe të bëhet një vend, i cili do të tërhiqte edhe investorët e huaj. "Fabrikat sjellin punë, para dhe bukë, pra edhe një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.“