1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fushata zgjedhore dikton frymën aksioniste në Izrael

Peter Philipp29 Dhjetor 2005

Shpallja e pjesës veriore të Rripit të Gazës, si "zonë e sigurisë" mund të sjellë vota për Ariel Sharonin tani në prag të fushatës zgjedhore, por nuk do të sjellë siguri për Izraelin

https://p.dw.com/p/Aqrd
Zona e ndaluar, Gaza
Zona e ndaluar, GazaFotografi: AP

Rrethinat e Rripit të Gazës nuk janë më të banuara. Deri në shtator kanë qenë tri vendbanime hebreje, të cilat sipas marrëveshjes do të duheshin të tërhiqeshin duke mbetur si territore palestineze. Pas 37 vjetëve pushtimi, zonat e lira u shndërruan në territore të grumbullimit të ekstremistëve të armatosur palestinezë, të cilët vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit të policisë palestineze. Përkunder asaj, se aty ekziston linja e demarkacionit, këta radikalë shfrytëzojnë vakuumin duke qëlluar me raketa në territorin izraelit.
Banorët e vendbanimeve përreth- si Beit Lahoun, Beit Lahia janë informuar në mënyrë paralajmëruese nga ana e shtetit izraelit përmes fletushkave të shpërndara nga avionët, që të mos të ofrohen pranë kufirit izraelit. Që nga mbrëmja e së mërkurës do të qëllohet ndaj atyre, të cilët gjenden në këtë pjesë në afërsi me territorin izraelit. Dhe vërtetë, vetëm disa minuta pas kalimit të afatit kohor të përcaktuar me herët, tanket palestineze u gjetën në vendin e paralajmëruar ne shenjë gadishmërie për të ndërmarre aksione.

Gjendja ushtarake në këto rrethina është e emërtuar me kodin makabër "Qielli i kaltër". Vendi ku janë vendosur trupat, qe quhet "vendi i lëvizjes ushtarake". Nga ky vend mund të fillojnë sulmet edhe jashtë territorit izraelit. Në sytë e palestinezëve, instalimi i zonës së ndalimit duket si një revidim i pjesshëm i marrëveshjes për tërheqjen e trupave izraelite nga territoret e pushtuara palestineze. Siguria si argument për shumë palestinezë nuk është aq e vlefshme. Presidenti Mahmud Abbas ka kërkuar sërish nga radikalët brenda radhëve te tij, që të heqin dorë prej sulmeve me raketa, sepse ato po rrezikojnë procesin e normalizimit të jetës. Në të njëjtën kohë, ai e ka fajësuar edhe Izraelin se me mirë do të ishte që të angazhohet për t'i dhene kuptim të plotë procesit të paqes se sa krijimit të zonave të sigurisë. Me siguri se zonat rrethuese nuk do të sjellin siguri sepse të mbash të rrethuar një lokalitet tre kilometra afër kufirit, nuk mund të pengosh sulmet me raketa, të cilat mund të hidhen edhe prej 10 km largësi. Një fakt tjetër është edhe përvoja e Libanit Jugor ku nuk kanë sjellë rezultate zonat e sigurisë.
Nëse qeveria e Sharonit nuk ka planifikuar aplikimin e kësaj strategjie edhe në pjesët e tjera të Rripit të Gazës, atëherë edhe masat më të reja të vendosura në pjesën veriore të Rripit të Gazës mund të jenë vetëm pjesë e fushatës zgjedhore, prandaj ato mund të sjellin vota, por jo edhe siguri.