1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizitë e suksesshme e Fyles në Tiranë

dpa/Mimoza Kelmendi12 Nëntor 2013

Shoqëruar nga protestat e opozitëskundër qeverisë, Komisioneri i BE-së për zgjerimin pati në Tiranë një sërë takimesh me krerët e lartë të politikës. Por më i veçanti ishte ai me të rinjtë nga rajoni.

https://p.dw.com/p/1AFoS
Stefan FyleFotografi: dapd

Fillimisht Stefan Fyle u takua me Kryeministrin Edi Rama, ndërkohë që jashtë selisë së qeverisë, Partia Demokratike kishte ftuar ithtarët e saj të protestonin për një votë të lirë dhe kundër asgjësimit të armëve kimike nga Siria në Shqipëri. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, eurokomisioneri tha se dialogu politik mes qeverisë dhe opozitës është thelbësor për të rigjallëruar jetën politike të vendit. Përveç rekomandimit pozitiv për dhënien e statusit të vendit kandidat, Komisioni Evropian ka theksuar edhe pesë prioritete kyçe, të cilat ende duhen përmbushur, tha ai. Kryeministri Rama shprehu vendosmërinë 100% për përmbushjen e prioriteteve.

Shqipëria - faktor stabiliteti në rajon

Më pas Fyle u prit nga presidenti Bujar Nishani, i cili ka vlerësuar progres raportin e Komisionit Evropian për objektivitetin në njohjen e arritjeve të Shqipërisë dhe rekomandimin për marrjen e statusit të vendit kandidat pa kushte. Nga ana e tij, Komisioneri i BE-së për zgjerim theksoi “rëndësinë që partnerët evropianë i kushtojnë rolit sa më aktiv të Shqipërisë dhe shqiptarëve për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal“. Fyle u takua edhe me kryetarin e Parlamentit, Ilir Metën dhe kreun e opozitës, kryetarin e PD, Lulzim Basha. Gjatë ditës së hënë u zhvillua edhe një bashkëbisedim mes Komisionerit për Zgjerimin dhe studentëve jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, Kroacia, Mali i Zi, dhe Serbia. I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama. Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, theksoi: "Ëndërra europiane tani është një perspektivë e prekshme. Europa dhe rinia janë dy nocione që i japin kuptim njëra-tjetrës. Ajo bashkon zërin me veprimin e moshatarëve të tjerë të Europës. Rinisë i takon të luajë rolin e lokomotivës:"

BE: Shtohen shpresat për vendet e Ballkanit

Fjalën e morën edhe shumë të rinj. Një student nga Kroacia theksoi se "Shqipëria mund të mbështetet tek asistenca e Kroacisë në rrugën e anëtarësimit në BE”. Më pas një studente nga Kosova, tha se kemi shpresa që do ta shohim Shqipërinë në BE në një të ardhme të afërt, duke treguar kështu rrugën edhe për Kosovën”. Fyle duke iu drejtuar stundentëve tha: "Nuk kam frikë fare për të ardhmen se e di që do ketë komisionerë shumë të aftë për Zgjerimin. Është e vërtetë që kjo është politika jonë më e suksesshme, nga 6 shtete në fillim në 28 sot. Unë e di se shumica e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor e shohin të ardhmen në BE. Për një prej jush, kjo u bë realitet se Kroacia u bë. Procesi për pjesën tjetër të rajonit është realist. Negociatat për Malin e Zi filluan vjet, vendosëm çeljen e negociatave me Serbinë, negociatat për MSA me Kosovën kanë filluar. Statusi për vendin kandidat për Shqipërinë është i arritshëm. Arsyeja pse s'po përmend Bosnjën apo Maqedoninë jo se nuk më interesojnë këto dy vende, por se këto dy vende në të ardhmen mund të bëjnë reforma themelore, që BE të bëhet realitet”.