1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

G8 i fal borxhet Afrikës - Ministrat e financave vendosin t´i falen borxhet vendeve më të varfëra

Kai Teofilovic12 Qershor 2005

Ministrat e financave të shtatë vendeve të industrializuara dhe Rusisë kanë rënë dakord për faljen e menjëhershme të 100% të borxheve vendeve të varfëra. Ministri britanik i financave Gordon Braun pas takimit dy ditor në Londër tha, se kjo marrëveshje është më e kompletuara në kuadër të luftës mbarëbotërore kundër varfërisë. Falja e borxheve kap mbi 40 miliardë dollarë. Fillimisht do të përfitojnë prej kësaj 18 shtetet më të varfëra dhe më pas edhe vende të tjera.

https://p.dw.com/p/AqkV
Toni Bler duke folur në takimin e ministrave të finanacave të G8 në Londër
Toni Bler duke folur në takimin e ministrave të finanacave të G8 në LondërFotografi: AP

Për një kohë të gjatë dukej sikur ministrat e financave të vendeve të G8 nuk mund të binin dakord për flajen kaq zemërgjerësisht të borxheve. Por së fundi ministri britanik i thesarit, Gordon Braun, shpalli se u arrit në një sukses. Sipas tij 18 vendet më të varfëra do të përfitojnë menjëherë nga falja e borxheve. Shumë prej këtyre shteteve ndodhen në Jug të Afrikës. Këto vende tashmë nuk do të kenë nevojë të kthejnë borxhin me rreth 40 miliardë dollarë. Paratë janë lëvruar nëpërmjet Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Afrikane të zhvillimit.

Siç deklaroi ministri Braun, nga plani i G8 mund të përfitojnë në disa etapa edhe 20 shtete të tjera. Për këtë duhet që të zbatohen reformat demokratike dhe të luftohet me efikasitet korrupsioni. Sipas ministri britanik të financave shuma e përgjithshme e borxheve të falura do të jetë mbi 55 miliardë dollarë. Qeveria britanike mund ta regjistrojë këtë vendim si një sukses të vetin.

Kryeministri Toni Bler dhe ministri i thesarit Braun luftën kundër varfërisë në Afrikë e kanë përcaktuar si një prej qëllimeve kryesore të presidencës së tyre të radhës në grupin e vendeve të industrializuara G8. Braun para pak ditësh prezantoi një të ashtuquajtur plan Marshall të ri për Afrikën. Në këtë plan është parashikuar jo vetëm falja me zermërgjerësi e borxheve, por edhe dyfishimi i ndihmës për zhvillimin dhe heqja e barrierave tregtare. Në këta dy sektorët e fundit ende nuk ka shenja për ndonjë sukses.

Ministrat e financnave të SHBA, Britanisë së Madhe, Francës, Kanadasë, Gjermanisë, Italiasë, Japonisë dhe Rusisë u takuan në Londër për të përgatitur takimin e nivelit të lartë që zhvillon punimet në fillim të korrikut në Gleneagles të Skocisë. Përpara se të takoheshin ministrat në Londër, Britania e Madhe dhe SHBA kishin rënë dakord midis tyre për faljen e borxheve.

Vetëm shtetet në Jug të Afrikës u kanë rreth 68 miliardë dollarë borxhe organizatave donatore ndërkombëtare. Vendet e pasura duan që si kompensim t´u venë para në dispozicion organizatave donatore për t´i zhdëmtuar ato nga falja e borxheve.

Nga marrëveshja e arritur në Londër përfitojnë ndër të tjera edhe vendet afrikane si Etiopia, Benini, Burkina Faso, Gana dhe Mali si dhe vendet amerikano-latine Bolivia dhe Guajana.

Ministri gjerman i financave Hans Eichel faljen e borxheve nga tetë vendet kryesore të industrializuara për vendet e varfëra të botës e cilësoi si një vendim historik. "Për ne ishte vendimtare që ky projekt është financuar në mënyrë solide", tha Eihel. Ministrja gjermane e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimit, Hajdedemarie Vitshorek-Cojl e përshendeti vendimin e marrë në Londër për faljen e borxheve të varfërve. Sipas saj me këtë projekt ministrat e financave të vendeve të industrializuara kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër varfërisë.

Edhe organizatat ndërkombëtare të ndihmës janë shprehur pozitivisht. Ato deklaruan, se shtetet afrikane mund të kursejnë këtej e tutje çdo vit 1.5 miliardë dollarë dhe këto para mund t´i investojnë për kujdesin shëndetësor, arsimin dhe përmirësimin e infrastrukturës.