1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gazetaria sot është më e rrezikuar se kurrë

9 Tetor 2006

Vrasja e dy gazetarëve gjermanë në Afganistan dhe vrasja e gazetares ruse në Moskë janë në fokusin e shumë komenteve dhe analizave në shtypin e sotëm.

https://p.dw.com/p/ArnZ

Gazeta "Ostsee-Zeitung" e Rostokut boton një koment lidhur me vrasjet ndaj gazetarëve, citojmë: "Ceremonia e inagurimit të një monumenti organizuar këtë fund-javë në Bayeux të Normandisë në përkujtim të 2000 gazetarëve të vrarë u eklipsua nga lajmet për vrasjet më të fundit të gazetarëve në Afganistan dhe Rusi. "Rreziku është pjesë e profesionit tonë", kishte thënë një herë gazetarja ruse Ana Politkovskaja. Ajo nuk u ndrojt asnjëherë madje as ndaj kërcënimeve me vdekje. Ajo shkroi për shkeljen e të drejtave të njeriut në Rusi si edhe për luftën në Çeçeni. Ajo donte të tregonte të vërtetën. Gazetaria është sot më e rrezikuar se kurrë veçanërisht në rajone krize si Iraku dhe Afganistani. Por edhe në një vend si Rusia që ekonomikisht dhe politikisht synon drejt Evropës rreziku është i madh."

Gjendjen e medieve në Rusi gazeta e Bielefeldit "Neu Westfällisches" e komenton: "Vrasja e gazetares ruse Ana Politkovskaja dhe vrasja e dy reporterëve gjermanë në Afganistan nuk kanë lidhje të drejtpërdrejt me njëra-tjetrën por indirekt lidhen ngushtë. Edhe në Hindukush duhet që të raportohet çfarë ndodh në të vërtetë dhe jo çfarë do të dëshironte propaganda zyrtare. Bëhet fjalë për atë që të merren informacione të dorës së parë dhe jo të paraqitet një panoramë e pikturuar."

"Stuttgarter Zeitung" komenton: "Ana Politkovskaja ishte një grua e jashtëzakonshme dhe shumë trime. Në ditët e fundit të jetës ajo ka punuar për një artikull rreth torturës në republikën e Kaukazit. Ajo nuk mundi ta përfundonte artikullin pasi të shtunën u vra. Vrasjet me pagesë janë në Rusi një fenomen jo i rrallë. Rusia paraqet kështu një anë të shëmtuar të shoqërisë së saj. Vladimir Putin është përgjegjës për këtë por nesër presidenti rus do të vizitojë Drezdenin dhe do të paraqesë një fytyrë miqësore dhe do të flasë për miqësinë. Ndërkaq është Putini ai që vitet e fundit ka ndikuar që në Rusi të sundojë një klimë presioni dhe frike në rritje."

"Die Welt" nga Berlini shkruan për Rusinë dhe mediet: "Ajo duhet të ishte e kujdesshme. Kërcënime me vdekje Ana Politkovskaja kishte marrë prej kohësh. Shumë kolegë të saj të gazetës Novaja Gazjeta ishin vrarë. Kush kërcënohet në Rusinë e madhe dhe të plotfuqishme nga kjo gazetë e vogël, por që kërkon të pasqyrojë të vërtetën? Një pyetje e tillë do të duhet t´i shtrohet presidentit Putin në Gjermani. Një përgjigje konkrete të shpejtë me siguri nuk do të ketë. Prokuroria ruse e plotfuqishme por e varur nga Kremlini nuk ka shkëlqyer në raste të tilla në zbulimin e së vërtetës."

"Westfälische Anzeiger" që botohet në Ham, për vrasjen e gazetares në Rusi shkruan: "Ana Politkovskaja kishte krahas humanizmit të thellë edhe tri tipare të forta karakteri, guxim, vendosmëri dhe një ndjenjë të fuqishme për drejtësinë. Këto tri tipare karakteri në gazetari jo gjithmonë dhe jo kudo respektohen dhe vlerësohen në të njëjtën masë. Aq më shumë tani në Rusinë me president Vladimir Putin. Vrasjet si mjeti i fundit në një konflikt ku preken interesat e shtetit janë një damkë e së shkuarës në imazhin e Rusisë së Putinit. Një imazh i tillë është i pranishëm kudo në këtë vend. E rëndësishme është që të zbulohen motivet dhe për këtë të shtrosh pyetje është më se e domosdoshme."

"Thüringer Allgemeiner" e Erfurtit komenton kriminalitetin në Rusi: "Rusia po zhytet në moçalin e korrupsionit dhe shpërdorimit të pushtetit. Jo se shteti është i pafuqishëm, por edhe vetë presidenti hesht pasi lufta e pisët në Çeçeni i ka lidhur duart. Ai nuk mund të veprojë kundër oficerëve, që përdhosin të drejtat e njeriut dhe plaçkisin vendin e zhdukin dëshmitarët. Me sa duket gazetarja e guximshme Ana Politkovskaja, e cila në një hulumtim për pengmarrjen e Beslanit mundi t´i shpëtojë një helmimi, u kish shkelur në kallo këtyre zotërinjve. Ajo kritikonte edhe Gjermaninë, që pret me nderime presidentin Putin. Për këtë duhet menduar edhe nesër, kur në Drezden sërish do të shtrohet tapeti i kuq për presidentin rus në kuadër të dialogut të Petersburgut."