1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gazprom mbylli rubinetin e gazit për Ukrainën

Karla Engelhard2 Janar 2006

Bllokimi i eksporteve të gazit- dëm për imazhin e Rusisë

https://p.dw.com/p/Aqgq
Selia qendrore e gazpromit në Moskë
Selia qendrore e gazpromit në MoskëFotografi: AP

Presioni në linjën gazsjellëse ka nisur të ulet. Inxhinierët në qendrën e izolimit përpara kufirit rus njoftuan, se linjat e furnizimit për në Ukrainë, gradualisht po mbyllen. Mbeten të hapura vetëm linjat e tranzitit për konsumatorët në Perëndim, ndër to edhe për Gjermaninë, deklaroi përgjegjësi i këtij sektori.

Monopolisti rus i gazit, Gazprom, e zbatoi me seriozitet kërcënimin e ditëve të fundit. Pasi Ukraina nuk ish e gatshme, që me fillimin e vitit të ri të paguante çmimin e vlefshëm në tregun botëror, që përbën rritjen e pesëfishtë të çmimit që kish paguar ajo deri dje, koncerni rus i mbylli linjat e furnizimit. Për Gazpromin fajin e ka Kievi. Sergej Kuprianov, zëdhënës i koncernit të dielën në mëngjes deklaroi: "Ukraina qysh në fillim ndoqi kursin e konfliktit dhe qysh në fillim ishte përgatitur të përfitonte prej gazit të destinuar për konsumatorët evropianë. Thënë më thjeshtë: ajo donte të vidhte gazin që shkon për në Evropë. Fakti që Ukraina i ka refuzuar propozimet tona, flet për këtë."

Në minutën e fundit presidenti rus, Vladimir Putin, ofroi një kompromis. Sipas tij Ukraina deri në mars 2006 mund të merrte gaz me çmimin më të ulët në fuqi, dhe duke filluar nga prilli do të vlente çmimi i tregut ndërkombëtar. Për këtë Kievi duhej të hiqte dorë prej blerjes së gazit të kontraktuar me Turkmeninë me çmim të ulët. Në këtë mënyrë Ukrainës i duhej që t'a linte krejtësisht në duart ruse furnizimin me gaz të vendit. Për qeverinë e Jushenkos këto kushte ishin të papranueshme. Presidenti i Ukrainës akuzon Moskën, se po ushtron "presion politik". Në të kundërt Putin tregohet i moderuar: "Unë e shoh qëndrimin e ashpër të qeverisë ruse, e po ashtu edhe të Gazpromit. Por dua të theksoj, se Ukraina nuk është një pushtet absolut, as baron nafte që kujdeset për interesat e veta. Ukraina është në radhë të parë populli vëlla ukrainas. Ne duhet të mendojmë për marrëdhëniet e shumëanshme mes Ukrainës dhe Rusisë."

Qysh tani Rusia dhe Putini kanë pësuar një humbje të ndjeshme imazhi prej grindjes për gazin. Në Ukrainë janë shtuar zërat antirusë, e po ashtu edhe në nivelin ndërkombëtar ka nisur të humbasë prestigji i vendit si një furnizues bazë dhe solid i energjisë. Kritikët ndër të tjera, akuzojnë Putinin, se Rusia i keqpërdor burimet e saj energjetike për qëllime të politikës së pushtetit. Me fillimin e vitit Rusia për herë të parë ka marrë përsipër kryesinë e radhë në grupin e vendeve të industrializuara G8. Qëllimi është që presidenca ruse e G8 të garantojë furnizimin me gaz në kushte të pranueshme, ka deklaruar Putin qysh në mes të dhjetorit.