1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gerhard Shrëderi siguron Ankaranë për mbështetje për anëtarësim të plotë në BE

Baha Gyngyr24 Shkurt 2004

Kancelari gjerman përfundon sot viziten në Ankara.

https://p.dw.com/p/ArIE
Fotografi: AP
Kancelari gjerman, Gerhard Shrëder e pati të lehtë me mikpritësit e tij turq, sepse ai i siguroi ata se Gjermania e mbështet dëshirën e Turqisë për t'u bërë anëtare me të drejta të plota e BE. Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan theksoi nga ana tjetër se vendi i tij është i vendosur që t'i vazhdojë reformat dhe të verë në jetë kriteret e Kopenhagenit. Shrëderi e pati të lehtë para së gjithash, sepse kundërshtarja e tij kristjandemokrate Angela Merkel vetëm një javë më parë e tërboi kryeministrin turk dhe opinionin publik turk me ofertën e saj: Turqia do të bënte mirë ta harronte hyrjen në BE, të fiksuar me marrëveshjen e asociimit në vitin 1963 dhe të kërkuar më 1987 dhe të kënaqet me një "partneritet të privilegjuar". Dhe kështu që simpatia e opinionit publik turk, në fund të dusheve me ujë të ngrohtë dhe të ftohtë ishte qartazi në anën e socialdemokratit Shrëder. Edhe ministri i tij i Gjelbër i jashtëm, Joshka Fisher u shpreh para pak kohësh me fjalë lëvduese për Turqinë. Shrëderi u betua para qeverisë në Ankara dhe para botës gjermano-turke të biznesit në Stamboll se përjashtohet një tërheqje nga premtimet 40-vjecare. Qeveria kuq-e gjelbër në Berlin madje shkon edhe një hap më tej: ajo është e mendimit se zgjidhja e konfliktit të Qipros, e lehtësuar nga Ankaraja duhet të shpërblehet në mënyrë të vecantë. Në fund të fundit, mosmarrëveshja historike turko-greke për ishullin e Mesdheut, e cila pritet të hyjë në 1 maj si republikë e ribashkuar në BE nuk ka të bëjë fare me kriteret e Kopenhagenit. Komisioni Evropian do të vendosë për atë, nëse Turqia në cështjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut si dhe në zhvillimin ekonomik i ka plotësuar kërkesat, për t'i dhënë pastaj asaj në dhjetor dritë të gjelbër për fillimin e negociatave. Që negociatat për anëtarësim nuk nisen me synimin për t'i ndërprerë ato, por me synimin e një përfundimi me sukses dikur, kjo nuk është sekret as në Ankara. Erdogani tërheq vëmendjen për sinjalet pozitive psikologjike, të cilat do ta rrisnin kredibilitetin politik dhe financiar të Turqisë në atë masë, sa investorët e huaj do të vërshonin sërish më fort në vend dhe do ta nxisnin edhe më tej zellin për reforma. Interesi kryesor i të dyja palëve është jo vetëm në favoret reciproke ekonomike: një vend me popullsi myslimane dhe me një sistem funksionues pluralist demokratik, që orientohet në vlerat dhe normat evropiane do të rriste stabilitetin në rajon. Vec kësaj, një sintezë e tillë e llojit turk do të ishte një rast model për botën islame, e cila pret me ankth prej dekadash, nëse do të ketë sukses prova turke. Evropa duhet ta shfrytëzojë shansin për të konfirmuar se fe dhe kultura të ndryshme janë në gjendje të kontribuojnë së bashku për konsolidimin e paqes botërore. Asnjë vend tjetër si Turqia nuk është në gjendje t'ia paraqesë më mirë Evropës këtë dëshmi.