1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjendet i vrarë aktivisti për paqe i rrëmbyer në Irak

Björn Blaschke11 Mars 2006

Pengu amerikan është ekzekutuar

https://p.dw.com/p/ArMD
Fotografi: Montage DW/AP

Në Irak është vrarë një peng amerikan. Trupi pa jetë i 54-vjeçarit është identifikuar të premten, ka bërë të ditur ministria e punëve të jashtme e ShBA. Shtetasi amerikan ishte një nga katër pjesëtarët e një grupi të krishterë që predikonte paqen të cilët u rrëmbyen në Irak në nëntor të vitit të kaluar.

Shtetasi amerikan Tom Fox është gjetur i vdekur në Bagdad ditën e enjte. Shërbimi inteligjent amerikan FBI e ka identifikuar trupin pa jetë të 54-vjeçarit ditën e premte ka bërë të ditur një punonjës i ministrisë amerikane të punëve të jashtme. Qeveria i ka shprehur ngushëllimet familjes së viktimës ka thënë më tej zëdhënësi. Tom Fox ishte rrëmbyer në 26 nëntor të vitit të kaluar në kryeqytetin irakian bashkë me tre aktivistë të tjerë të një grupi të krishterë, predikues të paqes, dy kanadezë dhe një britanik. Fati i tre pengjeve të tjerë është ende i errët. Për herë të fundit ata ishin parë një një rregjistrim video të transmetuar nga kanali televiziv arab Al Xhazira. Fox mungonte në video.

Një grup me emrin "Brigadat e shpatës së drejtësisë" kishte marrë përsipër autorësinë e rrëmbimit dhe kishte kërcënuar me vrajsen e pengjeve nëse nuk do të liroheshin të gjithë të burgosurit irakianë nga burgjet e vendit.

Zëdhënësi i qeverisë amerikane që ka bërë të ditur vdekjen e bashkëatdhetarit të tij Tom Fox, u ka bërë thirrje grupeve militante në Irak të lirojnë të gjithë pengjet e tjerë. Ndër të huajt e rrëmbyer në Irak ndodhen edhe dy gjermanët, Rene Bräulich und Thomas Nitzschke. Mbi ta nuk ka asnjë informacion.

Dy inxhinierët gjermanë u rrëmbyen nga njerëz të armatosur në 24 janar rrugës për në një fabrikë në qytetin industrial Baixhi në veri të Bagdadit. Megjithë përpjekjet deri tani nuk është bërë i mundur lirimi i tyre.