1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjendja është me të vërtetë e vështirë

Christoph Heinzle29 Tetor 2005

Të plagosur dhe të traumatizuar në rajonet e prekura nga tërmeti në Pakistan

https://p.dw.com/p/ArNY
Të mbijetuar nga tërmeti në Pakistan
Të mbijetuar nga tërmeti në PakistanFotografi: AP

Plagë të infektuara dhe thyerje të pamjekuara, raste tetanozi dhe djegiesh, kërcënimi i epidemive: të gjitha këto bëjnë që kujdesi mjekësor në rajonet e katastrofës në Pakistan të mbetet tejet i vështirë. Me pasojat psiqike të tërmetit, traumat dhe gjendjet e shokut, ekipet e ndihmës nuk kanë thuajse fare kohë të merren. Të prekur janë kryesisht fëmijët.

Fëmijët janë ata për të cilët rreziku është më i madh. Ata kanë nevojë për mjekim të shpejtë dhe përkudesje tani mëse tre javë pas tërmetit të rëndë i cili ka tronditur thellë shumë prej tyre. Kështu shprehet një mjek pakistanez në një prej kampeve për viktimat e tërmetit:"Shumë prej fëmijëve që kanë ardhur këtu ishin të tronditur dhe traumatizuar. Ditët e para pas tërmetit fëmijët e vegjël zgjoheshin natën dhe bërtisnin nga frika. U detyruam t'u jepnim qetësues që të flinin sërish."
Lart në malësitë e pazhvilluara të Pakistanit verior jetëgjatësia është e shkurtër, përqindja e fëmijëve në popullsi e lartë. Një numër i madh i atyre që humbën jetën ishin fëmijë. Edhe shumë prej të plagosurve dhe sëmurëve janë fëmijë. Johannes van de Weerd nga "Mjekë pa kufij" thotë: "Pjesa më e madhe e fëmijëve ishin në shkollë në kohën e tërmetit, ata janë më të prekurit dhe traumatizuarit. Tani ata janë më të ndjeshëm ndaj kushteve të vështira të motit këtu, janë të rrezikuar nga pneumonitë dhe sëmudje të tjera të rrugëve të frymëmarrjes."
Organizata Botërore e Shëndetësisë bën të ditur se pas tërmetit temperaturat në shumë vende kanë rënë në pikën e ngrirjes, rasti i sëmundjeve infektive është shtuar, ka patur raste ngrirjeje kryesisht tek të moshuarit dhe fëmijët. Përveç kësaj ka ende shumë të plagosur nga tërmeti që nuk kanë marrë trajtim mjekësor. Të gjithëve u janë infektuar plagët, në shumë raste janë konstatuar raste tetanozi. "Në 90% të rasteve kemi të bëjmë me thyerje kockash", thotë Dr.Shoaib një nga mjekët e emergjencës në spitalet fushore të ngritura me nxitim.
Një pjesë e madhe e sistemit shëndetësor në rajonin e katastrofës është shkatërruar ose dëmtuar rëndë. As një e treta e rreth 75.000 të plagosurve nuk mund të mjekohej në spitale njofton OBSH. Problemi kryesor vazhdon të jetë pamundësia e depërtimit në pjesën më të madhe të fshatrave.
Rreth 100.000 çadra janë shpërndarë deri tani, 200.000 duhet të vijnë përpara mesit të nëntorit që shënon fillimin e dimrit, por përsëri mungojnë edhe 200.000 paralajmëron Organizata Ndërkombëtare për Migracion IOM. Ky është një problem edhe për ata të plagosur që kanë mundur të marrin mjekim thotë Johannes de Weerd nga "Mjekë pa kufij":"Gjendja është vërtet e vështirë pasi nuk ka materiale të mjaftueshme për srehime. Një gjë është t'i mjekosh të plagosurit e një tjetër t'u ofrosh atyre një strehë që të mbrohen nga i ftohti."
Vetëm tre ose katër javë u mbetet ekipeve të ndihmës për të furnizuar me sendet më të domosdoshme tre milionë të prekurit në zonën e katastrofës. Por për këtë duhen urgjentisht më shumë fonde, para për ndihmat dhe transport. Në mes të nëntorit fillon dëbora që arrin dy deri tre metra lartësi, temperaturat bien më shumë dhe kështu ulen në mënyrë drastike edhe shanset për mbijetesë të mijëra vetëve.