1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjendje e jashtëzakonshme në Texas dhe Luiziana

Daniel Scheschkewitz23 Shtator 2005

Uragani "Rita", që po i afrohet gjirit të Texasit ka shkaktuar një ndër evakuimet më masive në historinë e SHBA-s. Rreth 2 milionë njerëz po largohen nga shtëpitë.

https://p.dw.com/p/ArNy
Hurrikani Rita nxiton drejt Texasit me shpejtësi 200 km/orë
Hurrikani Rita nxiton drejt Texasit me shpejtësi 200 km/orëFotografi: AP

Kryetarja e bashkisë së Galveston Island, ku nesër pritet të arrijë uragani i fuqishëm, u shpreh qartë se ata që do të rrinë në qytet, do të veprojnë pa përgjegjësi. Si Galveston ashtu edhe metropoli i Houston-it duken si qytete fantazma. Pothuajse askush nuk ndodhet më aty. Ndërkohë rrugët që të nxjerrin nga qyteti janë komplet të bllokuara, për shkak të kolonës pafund të makinave, që presin të largohen sa më parë. Shumica e njerëzve udhëton deri sa i mbaron nafta dhe mbeten pastaj në mes të rrugës. Kryetari i bashkisë së Houston-it, Bill White tregon:

"Sot në darkë do të merremi vetëm me ata që kanë mbetur në rrugë pa benzinë."

Ndryshe nga uragani Katrina, këtë rradhë duket sikur zyrat përkatëse i kanë marrë të gjitha masat. 250.000 banesa provizore ka vënë në dispozicion shteti i Texasit. Ndërkohë garda kombëtare ka dërguar rreth 5000 ushtarë. FEMA, zyra për mbrojtjen kundër katastrofave, e cila u kritikua ashpër se nuk kish marrë masa sigurie kur ndodhi uragani i Katrinës, ka vënë këtë rradhë 45 kamionë me ujë të pijshëm dhe 45 të tjerë me ushqime në dispozicion. Roland Vagener drejton një grup me 450 mjekë që janë stacionuar në Texas:

"Ne do të kemi shumë punë 24 orë pasi te këtë kaluar uragani. Shumë njerëz do të pësojnë infarkte në zemër, ose do të jenë prerë apo çarë nga ndonjë pemë pranë shtëpive të tyre. Pra ne do të punojmë pasi të ketë përfunduar stuhia" - shpjegon ai.

Ndërkohë uragani Rita vazhdon të nxitojë drejt Texasit. Ky uragan do të arrijë nesër me një shpejtësi prej 200 km në orë dhe do të shkaktojë dallgë rreth 8 metra të gjata edhe në shtetin fqinj Luiziana, ç´ka do të thotë shkatërrime të reja. Por ka disa njerëz që nuk duan të largohen nga shtëpitë e tyre. Si për shembull Ace Bible, i cili po blen ushqime në një ndër supermarketet e pakta që kanë mbetur hapur në Houston.

"Unë do të ulem përpara televizorit dhe do të shpresoj se stuhia nuk do të ma heqë çatinë nga koka. Unë i kam marrë masat. Kam blerë një gjenerator, kështu që nuk do të më ndodhë gjë" - thotë ai i qetë.