1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjenerali gjerman Bühler morri detyrë e komandantit të KFOR-it

1 Shtator 2010

Gjenerali gjerman, Markus Bentler, i cili për një vit ishte në krye të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, i dorëzoi sot komandën një gjenerali tjetër gjerman, Erhard Bühler

https://p.dw.com/p/P1xN
Ushtarë të Bundeswehrit në Kosovë
Ushtarë të Bundeswehrit në KosovëFotografi: AP

Ceremonia e ndërrimit të komandës u bë në shtabin qendror të KFOR-it në Prishtinë me praninë e shumë ushtarakëve të lartë të NATO-s dhe autoriteteve civile kosovare. Në ceremoninë e ndërrimit të komandës i pranishëm ishte edhe zëvëndësministri gjerman i mbrojtjes Rudiger Wolf.

Të dy gjeneralët gjerman, ai që ishte deri tash në krye të KFOR-it, gjenerali Markus Bentler dhe gjenerali që sapo mori detyrën në krye të forcave paqerujatëse Erhard Bühler, i shërbyen dhe do t'i shërbejnë një qëllimi, ruajtjes së paqes dhe sigurisë për të gjithë qyetarët e Kosovës pa dallim përkatësie etnike. Kështu tha komandanti i krahut jugorë të NATO-os, admirali Mark Fizgerald, i cili i dorëzoi komandën e KFOR-it, gjeneralit gjerman, Erhard Buhler. Admirali, Fitzgerald, tha se komandanti i deritashëm i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler, shërbeu në Kosovë në një periudhë të vështirë të paqartësive dhe të paqëndrueshmërisë, mirëpo ai ia arriti që KFOR-i të jetë i paanashëm.

“Nuk mund ta parashikojë të ardhmën por mund të sigurojë të gjithë qytetarët e Kosovës se NATO-ja dhe KFOR-i do të mbesin të përkushtuar për Kosovën për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve” tha admirali Mark Fitzgerald.

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it i pranishëm ishte edhe zëvëndësministri gjerman i mbrojtjes, Rudiger Wolf. Ai gjatë fjalimit të tij para të pranishmëve, tha se falë ushtarëve të KFOR-it ai mund të qëndrojë në Kosovë dhe të flasë për përspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

”Qytetarët e Kosovës dhe Serbisë duhet të lënë prapa të kaluarën dhe të ecin përpara. Gjeneratat e reja duhet të rriten me kuptimin se paqja dhe bashkëpunimi janë më të fuqishëm sesa lufta dhe shkatërrimi. Prandaj është thelbësore që ta ruajmë atë çka është arritur deri tash dhe ta zhvillojmë në një përspektivë të përbashkët”, tha zëvëndësministri gjerman i mbrojtjes, Rudiger Wolf. Ai i ftoi të gjithë njerëzit në këtë rajon në veçanti qytetarët e Kosovës dhe Serbisë që të lënë prapa të kaluarën e vështirë dhe së bashku të ecin në rrugën e pajtimit. Në këtë proces sipas tij, maturia dhe durimi do të shpaguhen dhe përspektivat e reja mund të hapen në Evropë për Serbinë dhe për Kosovën.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Esat Ahmeti