1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

300609 EM-Finale

30 Qershor 2009

Futbollistët e rinj gjermanë nën moshën 21 vjeç, U21, fitojnë për herë të parë titullin kampion i Evropës. Në lojën finale zhvilluar në Malmo të Suedisë ata mundën ekipin e Anglisë 4:0.

https://p.dw.com/p/IdzC
Kapiteni i ekipit Sami Khedira dhe Andreas Beck pas fitores 4-0 ndaj Anglisë
Kapiteni i ekipit Sami Khedira dhe Andreas Beck pas fitores 4-0 ndaj AnglisëFotografi: AP

Në takimin e fundit të Kampionatit Evropian për ekipet e të rinjve U21, të tetin në radhë, futbollistët e rinj gjermanë fituan kundër ekipit anglez, duke u shpallur kampionë të Evropës.

E meritojnë! Pasi pas vështirësive që patën në fillim, futbollistët gjermanë luajtën jashtëzakonisht mirë në sulm. Në minutën e 23- të Gonzalo Castro shënon golin e parë. Pas këtij goli gjermanët luajnë me shumë vetësiguri dhe shquhen gjatë gjithë ndeshjes si ekip. Pak pas pushimit të pjesës së parë shënohet goli i dytë.

Mesut Özil - Lojtari më i mirë i ekipit

Mesut Özil me trofenë e fitores
Mesut Özil me trofenë e fitoresFotografi: AP

Pak pas pushimit të pjesës së parë shënohet goli i dytë. Lojtari më i mirë i ekipit, Mesut Özil, shënon golin e dytë në këtë turne. Dhe në vend që ata të jenë më të tërhequr dhe të ruajnë këtë rezultat, futbollistët gjermanë luftojnë dhe fitojnë gjithmonë e më shumë mundësi për të bërë gola të tjerë. Sulmuesi Sandro Wagner, i cili për herë të parë luajti qysh në fillim të lojës shënon golin e tretë në minutën e 79 dhe pesë minuta më vonë edhe të katërtin dhe të fundit në këtë takim.

I pyetur nëse në karierën e tij si i ri është kjo fitore përjetimi më i bukur deri tani, Özil përgjigjet: "Unë kam fituar me Bremenin një kupë, por kjo këtu është kupa e Kampionatit Evropian. Ne zbatuam të gjitha ato që na kishte thënë traineri. Kjo na e bëri më të lehtë. Dua të lavdëroj edhe një herë ekpin. Ne luajtëm shumë mirë dhe tani jemi shumë të lumtur." Özil u vlerësua edhe si lojtari më i mirë në këtë mbrëmje.

Traineri Hrubesch: Djemtë arritën, çfarë mund të arrinin

Traineri Horst Hrubesch është krenar për djemtë e tij. Pasi lëvdoi ekipin dhe e vlerësoi këtë fitore si një ngjarje të madhe shtoi: "Në turne hymë dalëngadalë. Në tri ndeshjet e para, me përjashtim të asaj Spanjën, ne nuk luajtëm mirë. Por në gjysëmfinale e morëm veten mirë dhe tani duhet të them se ata arritën, çfarë mund të arrinin".

Edhe mbrojtësi Mats Hummels shprehet i lumtur për këtë fitore: "Nga njëra anë ishte shumë e thjeshtë, sepse secili ishte shumë luftarak në lojë dhe secili ka mbështetur tjetrin. Ishte e pamundur që sot të mos fitonim. Pulpat e këmbëve të mia nuk kanë marrë fund komplet, përkundrazi ato ishin sot fenomenale".

Për DFB tri trofe

Për federatën gjermane të futbollit, DFB, ky titull është vërtet i veçantë, sepse ekipi i të rinjve U21 nuk e ka fituar kurrë këtë titull. Për këtë DFB kryeson tani edhe si shoqatë duke marrë në të njëjtën kohë tri trofe. Në maj ishin futbollistët e ekipit U17 dhe më pas ata U19 që fituan në tetor të vitit të kaluar kupën e Kampionatit Evropian. Në lojën e fundit të këtij turneu në Malmo ishin të pranishëm krahas presidentit të UEFA-s Michel Platini dhe trainerit të Anglisë Fabio Capello, edhe presidenti i DFB-së Theo Zwanziger, traineri i kombëtares gjermane Joachim Lëw, menaxheri i kombëtares gjermane Oliver Bierhoff si dhe prominentë të tjerë.

Autor: Sarah Faupel/Mimoza Cika-Klemendi
Redaktor: Pandeli Pani