1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermanët nuk janë të vetmit që po nisin rrugën drejt Hënës

Dirk Lorenzo16 Mars 2007

Në Bremen këto ditë ekspertët nga e gjithë bota kanë diskutuar mbi fluturimet e ardhshme në Hënë. Edhe Gjermania ka deklaruar tani një mision të vetin në Hënë, sepse edhe pas fluturimeve Apollo përpara mëse 40 vjetësh Hëna vazhdon të mbetet një fqinj enigmatik

https://p.dw.com/p/AqxH
Fotografi: picture-alliance/ dpa

"It´s one small step for a man - one gaint leap for mankind."

Këto fjalë të Neil Armstrongut, njeriut të parë që shkeli në Hënë, kanë mbetur të paharrueshme. Ishte një hap i vogël për të, por një arritje gjigande për njerëzimin. E megjithatë fluturimet Apollo në radhë të parë synonin vetëm një gjë: demonstrimin e pushtetit në luftën e ftohtë.

Pavarësisht nga provat mbi përbërjen e saj të sjella në Tokë, Hëna edhe sot e kësaj dite është një trup enigmatik, për të cilin studjuesit dinë më pak se sa për planetin Mars. Këtej e tutje për plotësimin e kësaj mangësie do të kontribuojë një mision gjerman, deklaron Friedhelm Klasen nga Qendra gjermane për Fluturimet në Hapësirë në Këln: "Gjermania do të kryejë fluturimin në Hënë në radhë të parë për arësye shkencore dhe teknologjike. Ne kemi një mision të nxitur nga shkenca dhe të mbështetur nga teknologjia. Ka një sërë njohurishë për Hënën, që tashmë janë vjetëruar. Ne duhet ta shohim këtë mision në planin ndërkombëtar. Ne kemi konstatuar për propozimet tona, se ato kanë vlerë të vërtetë, na çojnë përpara në aspektin shkencor dhe na sjellin njohuri të reja, pavarësisht nga misionet e tjera që po kryhen."

Gjermanët nuk janë kurrsesi të vetmit që po nisin kursin drejt Hënës. Në prill nga Kina niset një sondë hapësinore, në verë pason Japonia, India dhe ShBA do të nisen vitin e ardhshëm. Në Hënë ka mjaft për të studjuar: si është krijuar ajo? Si është përbërja e saktë e saj? Çfarë roli luan ajo për zhvillimin e Tokës? Këto janë pyetje bazë, mbi të cilat sot studjuesit nuk kanë përgjigje.

Instancat shtetërore në Gjermani prej kohësh e kanë lënë pas dore tendencën për në Hënë dhe tani atyre u duhet të zgjohen prej industrisë, e cila kërkon sfera të tjera misionesh për raketat e saj të tipit Ariane. Me shumë pak modifikim Ariane mund të konstruktohet në një raketë për në Hënë. Më së shpejti në vitin 2012 një mision gjerman drejt Hënës mund të nisë nga stacioni evropian i hapësirës në Guyana të Francës: "Ka shumë mundësi që ne do të nisemi nga Kourou. Eshtë praktikisht një fluturim direkt drejt Hënës: pak ditë fluturim dhe më pas një fazë katër vjeçare në orbitën përreth Hënës. Ne do të fluturojmë një orbitë polare në mënyrë që të mund të regjistrojmë hap pas hapi të gjithë Hënën."

Sonda gjermane do të ketë në bord kamera me ndjeshmëri të lartë për të fotografuar të gjithë Hënën në formë tridimensionale dhe për të kartografuar përbërjen kimike të sipërfaqes. Nga një pistë më e ulët prej rreth 50 km lartësi mund të dallohen blloqet shkëmbore vetëm një metër të larta. Me të tilla të dhëna në mënyrë ideale mund të përzgjidhen sheshet e zbarkimit për misionet e ardhshme. Por përse sonda hapësinore gjermane e propozuar prej Friedhelm Klasen nuk zbarkon direkt në Hënë?

"Sepse kjo kushton, më duhet ta them këtë fare hapur. Në arkat gjermane nuk i kemi këto para. Por me siguri që fondet e nevojshme do të gjenden në arkat evropiane gjatë viteve të ardhëshme. Ky do të ishte hapi i dytë drejt një misioni evropian të zbarkimit në Hënë. Në këtë rast Gjermania do të prezantohej shkëlqyeshëm si në nivelin shkencor edhe në atë teknologjik."

Ndonëse nga politika ka sinjale pozitive për të vënë në dispozicion më shumë se 300 milionë euro, Gjermania nuk mund të mbajë hapin me garën disa miliardëshe që vazhdon mes ShBA dhe Kinës për të dërguar njerëz në Hënë deri në vitin 2020. Misionet në fjalë synojnë prestigj, ndërkohë që sondat robotë vihen në përdorim për qëllime shkencore. Misioni i planifikuar tani u mundëson shkencëtarëve dhe industrisë gjermane që të aktivizohen në një nga fushat më dinamike aktualisht të studimeve në hapësirë. Ky mision mund të jetë një hap i vogël në studmin e Hënës, por që shënon njëkohësisht një arritje gjigande për Gjermaninë dhe Evropën për fluturimet në hapësirë.