1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkohet më shumë mbrojtje klimatike

4 Maj 2019

Pas afro tri javësh janë zgjedhjet evropiane. Interesimi i Gjermanëve është i lartë, siç e dëshmon trendi aktual i ARD-së për Gjermaninë. Mjedisi është një nga temat më shqetësuese.

https://p.dw.com/p/3Huor
Fridays-for-Future-Proteste vor RWE - Hauptversammlung
Protestat "Fridays-for-Future" zhvillohen çdo të premte në Gjermani dhe kërkojnë të bëhet më shumë për mbrojtjen e mjedisit. Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Weihrauch

Prej muajsh të tërë, të rinjtë janë duke demonstruar kundër shkatërrimit të mjedisit, konsumit të tepërt të energjisë, rritjes së emisionit të CO2-shit, për transportimin e bagëtisë dhe ndotjen e tokës, ajrit dhe ujërave nëntokësore. Apeli i tyre: Politikanët duhet të bëjnë shumë më tepër për të mbrojtur mjedisin dhe klimën.

Lëvizja padyshim që ka prekur në nerv shumë njerëz në Gjermani. Sipas trendit aktual të ARD-së për Gjermaninë, 81 përqind e qytetarëve shohin një nevojë të madhe për veprim për mbrojtjen e klimës. Instituti i hulumtimit të opinionit infratest dimap bëri një sondazh përfaqësues në krye të javës.

Vetëm 17 përqind e të anketuarve shohin ose më pak ose aspak nevojë për të përmirësuar mbrojtjen e klimës. Shumica e këtyre janë përkrahës të AfD-së populiste djathtiste, në radhët e të cilës mbizotëron bindja se ndryshimi i klimës nuk ka ardhur nga njerëzit. 

Tetëdhjetë e pesë përqind e të anketuarve besojnë se transformimi klimatik nuk mund të ndalet pa kufizime në stilin e jetesës që bëjmë ne. Gjermania duhet të jetë e para dhe të shërbejë si model për mbrojtjen e klimës, thonë 81 përqind e të anketuarve. Megjithatë, 68 për qind e qytetarëve mendojnë se ndryshimet duhet të vijnë nga industria dhe jo nga individët. .

Infografik Deutschland Trend Handlungsbedarf Klimaschutz EN

Mos ma prek kuletën

Por pa shtrenjtim jetese. Për shembull, shumica e gjermanëve refuzojnë të paguajnë një shtesë tatimore për benzinën dhe naftën e ngrohjes, për mbrojtjen e klimës. Një taksë e tillë e CO2 aktualisht është duke u diskutuar në mënyrë kontroverse në koalicionin e madh CDU/CSU-SPD. Tatimi synon të ndihmojë  uljen e çlirimit të dioksidit të karbonit që dëmton klimën dhe të nxisë teknologji më miqësore ndaj klimës. 
62 për qind e të anketuarve, kësisoj një shumicë e qartë në trendin aktual të ARD-së për Gjermaninë, e hedh poshtë këtë ide.  Vetëm 34 për qind janë në favor të një takse CO2. Të anketuarit më të rinj deri në moshën 49 vjeçare, janë më të hapur për këtë tatim shtesë, por edhe tek ata  mbizotëron refuzimi.

Shpresat po pakësohen

Edhe pse  në dhjetë vitet e fundit janë mbyllur shumë marrëveshje ndërkombëtare për të luftuar ndryshimet klimatike  dhe Gjermania është zotuar gjithashtu se do t'i reduktojë ndjeshëm emetimet e gazrave serrë, qytetarët gjermanë janë mjaft skeptikë. Në vitin 2009, 17 për qind e qytetarëve mendonin se asnjë forcë politike nuk ishte në gjendje ta zgjidhte çështjen e ndryshimeve klimatike. Ndërkohë numri i tyre është rritur në 37 për qind.

Sipas trendit të ARD-së, të anketuarit i konsiderojnë vetëm Të Gjelbrit të besueshëm dhe të aftë për të bërë ndryshime në mbrojtje të klimës. 

Koalicioni i Madh pa maxhorancë

Nëse të dielën e ardhshëm do të bëheshin zgjedhjet për Bundestagun, partia e Gjelbër do të kapte 20 për qind të votave dhe do të bëhej forca e dytë politike në Gjermani. Sa për krahasim: në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, Të Gjelbrit nuk arritën të merrnin as nëntë për qind të elektoratit, duke u bërë kështu grupi më i vogël parlamentar në Bundestag. 

Koalicioni i madh, i përbërë nga CDU, CSU dhe SPD, do ta humbte  shumicën në Bundestag. Kjo përkon me rezultatet e sondazheve: 6 2 për qind e të anketuarve janë më pak ose aspak të kënaqur me qeverinë në Berlin. Por ka pasur edhe më keq se kaq.  

Kancelarja po pengon

Politikanë, më saktë politikanja, më e preferuar është dhe mbetet Kancelarja Federale Angela Merkel. 55 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me punën e saj. Megjithatë, kryetarja e  CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer, e cila thuhet se ka ambicie për kancelare, ka humbur popullaritet. Vetëm një e treta e të anketuarve kanë simpati për të.
Më 26 maj, Gjermania do të votojë për Parlamentin Evropian. Interesimi i gjermanëve është i madh. Në trendin e ARD-së për Gjermaninë, 53 për qind e të anketuarve thonë se janë shumë të interesuar për zgjedhjet evropiane. Pesë vjet më parë, në të njëjtën kohë para zgjedhjeve, ishin vetëm 35 për qind.

Infografik Deutschland Trend Zukunft der EU EN
E ardhmja e BE?

Po Evropës

Anëtarësia e Gjermanisë në Bashkimin Evropian vlerësohet si e dobishme  nga 46 për qind e të pyeturve. 37 për qind janë më të lëkundur dhe mendojnë se ka edhe argumente pro dhe argumente kundër. 14 për qind e shohin anëtarësinë e Gjermanisë në BE si disavantazh. 

Çdo i dyti ndër të anketuarit do të dëshironte të shihte bashkëpunim më të fortë midis vendeve evropiane. Pak më shumë se çereku preferojnë që Gjermania t'ia marrë sërish kompetencat BE-së, së paku për disa çështje. Shumica e këtyre janë simpatizantë të AfD-së. 

Tre të katërtat e të anketuarve - pra, më shumë se pesë vjet më parë - besojnë se gjermanëve u ka bërë mirë ekonomikisht anëtarësia në BE. Përveç kësaj, shtatë  prej dhjetë të pyeturve besojnë se BE-ja e bën më të sigurt jetën për qytetarët. Katër ndër pesë të anketuar do të donin që BE-ja të bëhej më e dukshme në politikën e jashtme. 
Edhe pse ndaj BE-së gjermanët janë shumë pozitivë, një përgjigje do të duhej t'ua hapte më shumë veshët politikanëve. Pothuajse gjysma e shtetasve gjermanë thonë se nuk e kuptojnë mënyrën se si Bashkimi Evropian punon në Bruksel. Një shifër, që ka mbetur e njëjtë, si pesë vjet  më parë.