1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani - Izrael: Konsultime qeveritare në harmoni

Tania Krämer/Vilma Filaj-Ballvora26 Shkurt 2014

Pothuajse i gjithë kabineti udhëtoi për në Izrael për konsultimet e pesta gjermano-izraelite midis dy qeverive. Kjo mirëpirtet në Izrael. Por çështje të debatueshme mbeten ndërtimi i vendbanimeve hebreje dhe Irani.

https://p.dw.com/p/1BFPi
Fotografi: Reuters

Gjatë gjithë mëngjesit të së martës (25.02.1014) njëri apo tjetri politikan i njohur dukej të ishte i zënë tek nxitonte përgjatë korridoreve të hotelit prestigjoz të Jeruzalemit "King David". Një takim në sallën "Oak Room", tjetri në sallën përkrah e midis pushimeve zhvilloheshin biseda të shkurtra në korridor. Ministrat gjermanë e izraelitë dukej se ndiheshin mirë gjatë këtij ekskursioni të shkurtër prej së përditshmes së tyre politike.

Kancelarja Angela Merkel udhëtoi për në Izrael me 14 ministra për konsultimet e pesta qeveritare gjermano-izraelite. Ky ishte një ndër delegacionet më të mëdha qeveritare qëkurse është vendosur në 2008 që të zhvillohen këto konsultime. Ky ishte një sinjal për Izraelin, për t'i vlerësuar marrëdhëniet krejt të veçanta midis dy vendeve.

Kritika të përmbajtura mbi politikën e vendbanimeve hebreje

Përpara këtij takimi u shkrua shumë si në mediet gjermane edhe në ato izraelite lidhur me tensionet në marrëdhëniet gjermano-izraelite. Në radhë të parë mediat fokusohen tek kritika gjermane ndaj politikës së ngulimeve hebreje, të cilat në dy vitet e fundit janë bërë shkas për një klimë jo të mirë midis kancelares Angela Merkel dhe kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanjahu. Por kjo klimë thuajse nuk u ndje aspak gjatë vizitës 24 orëshe. Kritika e qeverisë gjermane ndaj politikës së ndërtimit të vendbanimeve hebreje kësaj here ishte e përmbajtur. Në konferencën përmbyllëse të shtypit kancelarja Merkel tërhoqi vëmendjen me fjalë miqësore, që duhet kujdesur për ruajtjen e "paqes dhe integritetit territorial të njësive të veçanta – pra të territoreve palestineze. Problemi i vendbanimeve shihet me shqetësim, shtoi kancelarja.

Angela Merkel und Benjamin Netanjahu Regierungskonsultationen 25. Feb. 2014
Angela Merkel dhe Benjamin NetanjahuFotografi: picture-alliance/dpa

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu, i cili e cilësoi Angelën si „një mike të vërtetë“, hidhte vështrimin duke buzëqëshur në publik. Kritikën ndaj zgjerimit të vendbanimeve hebreje në territoret e Jordanit Perëndimor të pushtuara që nga viti 1967 kryeministri izraelit e konsideron si të pajustifikuar. Ai s'ka përse të shqetësohet shumë për këtë, sepse deri më sot qeverisë së tij nuk i është dashur të përballet me pasoja për politikën e ngulimeve hebreje. Pavarësisht se në Evropë shtohen zërat për një bojkot ekonomik, për të ushtruar më shumë presion.

Por kancelarja bëri të qartë, që Gjermania nuk do ta mbështesë një bojkot të tillë. "Ne besojmë, që bojkotet nuk mund të jenë përgjigja, për ta çuar përpara procesin e paqes ", tha ajo. Në vend të kësaj Berlini bazohet tek politika e afrimit dhe jo tek ajo e konfrontimit direkt. Për Izraelin Gjermania është një ndër partneret më të rëndësishme në BE.

Pikëpamje të ndryshme lidhur me Iranin

Por disa izraelitë madje do të dëshironin, që Gjermania si një „partnere e veçantë“ ndonjëherë të ushtrojë disi më shumë kritikë. Në kampin nacional-religjozIm national të ngulimeve hebreje natyrisht që ka një mendim tjetër. "Në shtetin tonë askush nuk duhet të na thotë, se ku t'i vendosim kufijtë tanë“, thotë Shalom Heiman, i cili që prej shtatë vjetësh bashkë me familjen e tij jeton në vendbanimin Eli, në thellësi të Jordanit Perëndimor.

Sa i përket temës së Iranit dolën në pah pikëpamjet e ndryshme. Kancelarja mbrojti bisedimet aktuale me Iranin duke argumentuar, se "pritja e mëtejshme nuk do t'i bëjë më mirë gjërat“. Kryeministri Netanjahu në të kundërt duke përfituar nga rasti i konferencës së përbashkët të shtypit, foli gjatë lidhur me kërcënimin nga Irani. Në këtë kontekst ai tërhoqi vëmendjen, se kemi të bëjmë me një qeveri iraniane, e cila edhe nën presidentin e ri Hassan Rohani nuk ka ndryshuar. Jo pasurim i uraniumit dhe jo zbutje e sanksioneve, këto janë kërkesat e njohura dhe të përsëritura nga ana e Izraelit.

Forcim i marrëdhënieve bilaterale

Deutschland Israel Regierungskonsultationen Merkel und Peres
Merkel dhe presidetni izrael Peres gjatë dekorimit të kancelaresFotografi: Reuters

Krahas temave politilke u bisedua edhe për bashkëpunimin bilateral. Katalogu i marrëveshjeve të përbashkëta është voluminoz. Në këtë kontekst vlen të theksohet marrëveshja e konsullatave, që qeveria gjermane e vlerëson si „një dëshmi të veçantë të besimit“. Në bazë të kësaj marrëveshjeje këtej e tutje një shtetas izraelit gjen mbështetjen e punonjësve konsullorë gjermanë në ato vende, ku Izraeli nuk ka ambasadat e veta.

Një tjetër marrëveshje është ajo e "Working Holiday Visa", që u mundëson të rinjve izraelitë të punojnë për një vit në Gjermani. Vlejnë të përmenden edhe projektet e përbashkëta për zhvillimin në Afrikë si dhe zgjidhja e çështjes së rëndësishme të të ashtuquajturave „pensionet e getove“, fjala është për pagën e pensioneve për rreth 20.000 izraelitë të mbijetuar nga Holokausti.

Nderim i lartë për Angela Merkel

Vizita e Angela Merkel në Izrael lidhej edhe me një nderim të veçantë. Presidenti Shimon Peres e dekoroi kancelaren me „Medaljen e Presidentit“, urdhëri më i lartë ky në Izrael. "Ne jemi thellësisht mirënjohës për qëndrimin tuaj të bazuar mbi vlera dhe për mënyrën se si ju i përçoni brezit të ri vizionin për një botë më të mirë, që i kundërvihet antisemitizmit dhe përgënjeshtrimit të Holokaustit", tha Peres në fjalën e tij. Ai vlerësoi angazhimin e kancelares për sigurinë e Izraelit dhe për procesin e paqes në Lindjen e Mesme.