1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Numër i lartë abuzimesh seksuale të fëmijëve

17 Mars 2017

Gati një ndër shtatë qytetarë gjermanë është abuzuar seksualisht si fëmijë. Numri i viktimave është rritur. Tani kërkohet më shumë përkushtim politik.

https://p.dw.com/p/2ZLy8
Symbolbild Kindermissbrauch
Fotografi: BilderBox

Ekspertët kishin shpresuar për një rënie të numrit, por një studim i gjerë i Katedrës së Psikiatrisë për Fëmijë dhe Adoleshentë pranë Universitetit të Ulmit tregon të kundërtën. 12 për qind e të anketuarve në vitin 2011 kanë treguar se kanë përjetuar dhunë seksuale si fëmijë. Sipas sondazhit të fundit rreth 14 për qind e të pyeturve janë shprehur se janë abuzuar seksualisht në fëmijëri. Tek gratë ka pasur një rritje prej 15.2 për qind në 18 për qind, në radhët e burrave denduria ka qenë e njëjtë, rreth 9.5 për qind. Studiuesit kanë pyetur rreth 2500 qytetarë gjermanë të moshës 14 deri 94 vjeç. 

Nuk shfrytëzohen të gjitha mundësitë

Në një intervistë për DW thotë Komisioneri i  qeverisë federale për çështjet e abuzimit seksual të fëmijëve, Johannes Wilhelm Rërig, thotë se politikëbërësit ende nuk e kanë të qartë rëndësinë e kësaj çështje. Sipas tij angazhimi për mbrojtjen e fëmijëve dhe të adoleshentëve nga dhuna seksuale është bërë më i fortë. "Por ne nuk kemi arritur ende deri aty, sa të kemi një mbrojtje të plotë. Dhe për shkak se ne nuk i përdorim të gjitha mundësitë për veprim, niveli i abuzimeve vazhdon të jetë i lartë.

Johannes-Wilhelm Rörig
Komisioneri i  qeverisë federale për çështjet e abuzimit seksual të fëmijëve, Johannes Wilhelm RörigFotografi: Christine Fenzl

Vetëm pozicioni i një komisioneri nuk mjafton 

Në përgjigje të zbulimit të një numri të madh abuzimesh seksuale të fëmijës, ndër të tjera në institucionet shkollore dhe kishtare, qeveria gjermane krijoi në vitin 2010 postin e komisionerit për çështjet e abuzimit seksual të fëmijëve. Por sipas Johannes Wilhelm Rërig nuk mjafton vetëm që të krijohet pozicioni i një komisioneri për çështjet e abuzimit seksual të fëmijëve, por duhen marrë masa të vazhdueshme parandaluese dhe sqaruese. Në shumë shkolla ka mësues që thonë pse të merremi me këtë temë, te ne nuk ka pasur raste të tilla. Po ashtu edhe prindërit duhet ta kuptojnë se në rast se një shkollë fillon me merr masa parandaluese ajo nuk duhet të shihet me dyshim. 

Symbolbild Kindermissbrauch
Fotografi: picture-alliance/dpa/D. Bockwoldt

Pasojat e abuzimeve seksuale

Në përgjithësi abuzimet seksuale shkaktojnë çrregullime psikike në të gjithë gamën: të prekurit vuajnë nga probleme seksuale ose probleme në fushën e marrëdhënieve. Disa njerëz izolohen krejtësisht nga shoqëria, të tjerë jepen pas alkoolit ose drogave. Fëmijët dhe të rinjtë mund të bëhen agresivë, apo të vuajnë nga anoreksia apo shëndeti i tepërt. Pasojat për të prekurit janë të rënda, deri në rrezik për vetëvrasje.