1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania dëshiron të ndërmjetësojë midis SHBA-së dhe Kinës

2 Qershor 2020

Gjermania nuk dëshiron që tensionet e tregtisë midis SHBA-së dhe Kinës të bëhen "të papajtueshme", deklaroi Ministri i Jashtëm Heiko Maas. Gjermania merr presidencën e radhës të Bashkimit Evropian muajin e ardhshëm.

https://p.dw.com/p/3d9Pc
Deutschland Berlin | Heiko Maas, Bundesaußenminister
Fotografi: Reuters/F. Bensch

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas tha se Gjermania dëshiron të ndihmojë në zgjidhjen e tensioneve midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës kur do të marrë presidencën e Bashkimit Evropian për gjysmën e dytë të këtij viti.

Në një intervistë me grupin e mediave Funke, një rrjet gjerman i gazetave, Maas tha se bota nuk mund të ndahet në dy sfera interesash.

"Ne evropianët posaçërisht nuk mund të jemi të interesuar që interesat konfliktuale midis Kinës dhe SHBA të bëhen të papajtueshme," tha Maas në intervistën e publikuar të hënën.

Të dyja vendet kanë qenë në pozita kundërshtuese gjatë gjithë presidencës së Presidentit Donald Trump. Lideri amerikan ka zhvilluar një luftë tregtare me Kinën dhe ua ka hedhur kinezëve fajin për pandeminë e virusit Corona.

Zyrtarët e qeverisë kineze kanë urdhëruar ndërmarrjet e mëdha shtetërore bujqësore që të ndalojnë blerjen e disa mallrave bujqësorë amerikanë. Rishikimi është përgjigja e Kinës ndaj rritjes së tensioneve me Shtetet e Bashkuara për shkak të Hong Kongut. Këtë e bëri të ditur agjensia e lajmeve Bloomberg.

Kompanive shtetërore tregtare Cofco dhe Sinograin iu kërkua të ndërpresin blerjet e tyre. Kërkesa ka të bëjë për fasulet e sojas, por edhe për mallra të tjera si mishi i derrit.

Samiti BE-Kinë

Javën e kaluar, administrata e Trumpit njoftoi se po rishqyrtonte statusin e veçantë tregtar dhe financiar të Hong Kongut, duke thënë se ai nuk ishte më gjysmë-autonom nga kontinenti kinez. Kjo deklaratë u bë pasi Kina propozoi një ligj të sigurisë në Hong Kong, që synon të ndalojë shkëputjen, subversionin dhe ndërhyrjen e huaj.

Maasi tha se Gjermania do të përballet me sfida kur të marrë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian më 1 korrik.

Ministri i jashtëm gjerman tha se një samit BE-Kinë në shtator do të bëhet ashtu siç ishte planifikuar.

"Ka shumë tema të rëndësishme që duhet të diskutojmë me Kinën," tha Maasi. Ai shtoi se BE synon të marrë një angazhim nga Pekini për "qëllime ambicioze klimatike dhe konkurrencë të ndershme globale".