1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania do të ndihmojë në rivlerësimin e dokumentave të epokës së Sadam Huseinit

Bernd Gresler26 Nëntor 2004

Për të rivlerësuar materialet e shërbimeve sekrete, qeveria e përkohshme irakiane do të bashkëpunojë me autoritetin berlinez që administron aktet e sigurimit të shtetit. Ky është fillimi i një bashkëpunimi afatgjatë u shpreh Ministri për të drejtat e njeriut, Baktjar Mustafa Amin, pas bisedimeve me të ngarkuarën për aktet e Stazit, Mariane Birthler në Berlin. Autoriteti gjerman do të informojë përfaqësuesit irakianë mbi dokumentimin, administrimin dhe përdorimin e akteve sekrete të ish-Republikës demokrate gjermane. Puna e Ministrit për të drejtat e njeriut nuk do të përqëndrohet vetem tek dokumentimi, e rëndëisshme është rishqyrtimi i së kaluarës së dhunshme në kohën e Sadam Huseinit

https://p.dw.com/p/Ar5K



Përmes fakteve të hidhura Ministri irakian i të drejtave të njeriut, Baktjar Mustafa Amin përshkroi një ditë pune. Mesatarisht vriten 26 vetë në ditë në Bagdat. Morgjet nuk mbajnë më dhe mjekët e paktë ligjorë janë tepër të ngarkuar në këtë vend të shkatërruar nga lufta.
"Deri më tani kemi gjetur 283 vende me varre masive, po qe se na e lejon situata e sigurisë atëhere me siguri do të gjenden më shumë. Kur kemi shkruar në Hatra për të zbuuar një varr masiv ndeshëm në 12 të tillë vetëm në këtë vend."

Më shumë se një milionë vetë të humbur në epokën e Sadam Huseinit, kërkohen sot nga të afërmit e tyre. 5000 vetë kanë humbur jetën qysh prej rrëzimit të Sadam Huesinit. Për këto vrasje përgjegjës janë përkrahësit e regjimit të vjetër:
"Pikërisht ata që janë përgjegjës për varret masive, vrasin për çdo ditë civilë të pafajshëm, fëmijë, diku hedhin në erë një xhami, apo vënë bombën në kishë. Madje edhe sheshet e futbollit, si tani sëfundi në Bagdat, ku humbën jetën 57 fëmijë duke luajtur futboll. Lista është e gjatë"-tha Ministri irakian i të drejtave të njeriut.

E shkuara dhe e tashmja përzihen në një lëmsh të ndërlikuar, të cilin e ka të pamundur ta zgjidhë, Ministria e re për të drejtat e njeriut, pasi ajo ka vetëm shumë pak mjete në dispozicion. Të afërmit e viktimave të kryengritjes kurde në vitin 1991 kërkojnë sqarim, po ashtu edhe familjet e ushtarëve të rinj, që kanë humbur jetën në luftërat e fundit.
Qeveria irakiane po mbështetet tek ndihma e qeverisë gjermane në krijimin e atyre strukturave që kanë të bëjnë me kaq vuajtje e dhimbje. Edhe Instituti gjerman për rivlerësimin e akteve të Stazit do të ndihmojë në rishqyrtimin e akteve të regjimit të Sadamit.
"Politika irakiane e gjenocidit është nga rastet më të dokumentuara të gjenocidit pas Luftës së dytë botërore. Ata kanë regjistruar çdo gjë, përdorimin e armëve kimike, deportimin e fshatrave të tërë, shtypjen e opozitarëve, vrasjen e politikanëve jashtë Irakut, deri tek pagesat ndaj atyre që qëndronin në listën e emrave të porpogandistëve të regjimit të Sadamit, siç dihet edhe nga skandali për programin e atëhershëm "Naftë për bukën" - tha Mustafa Amin.

Shumë nga dokumentat janë asgjësuar në kohën e luftës, por qeveria ka në zotërim rafte me dokumenta të regjimit të vjetër, me një gjatësi prej 12 kilometrash. Shumë akte janë jashtë Irakut ose të fshehura. Synohet që këto të grumbullohen të gjitha së bashku dhe të sillen në siguri. Por ndërkohë qeveria në Bagdat ka shqetësime të tjera. Në Irak sundon përditë dhuna, ka rreth 1,5 milionë të sëmurë dhe të plagosur, gati një milion e gjysmë janë refugjatë të cilët i pret një dimër i ashpër. Kjo nuk duhet harruar theksoi Ministri irakian i të drejtave të njeriut, Baktjar Mustafa Amin.