1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania do ta mbështesë Kosovën - pavarësisht nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

29 Mars 2010

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl Theodor zu Guttenberg, mbërriti në Prishtinë. Ai pohoi se reduktimi i trupave do të vazhdojë në varësi nga zhvillimet e sigurisë në Kosovë

https://p.dw.com/p/Mh02
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu GuttenbergFotografi: AP

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl Theodor zu Guttenberg, mbërriti në orën 14 në Prishtinë. Agjendën e tij të ngjeshur dyditore ai e filloi me takimin te presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Pas takimit me presidentin Sejdiu ministri Guttenberg tha se priten zhvillime pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës:

"Jemi në pritje të një vendimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që po shqyrton ligjshmërinë për pavarësinë e Kosovës. Natyrisht që pas këtij vendimi do të ketë zhvillime.

Nuk e di se çfarë. Mirëpo ajo që mund të them është, se qendrimi i Gjermanisë për pavarësinë është artikuluar më herët dhe ky qendrim nuk do të ndryshojë."

Kundërshtojmë vendimet e veçuara për KFOR-in

Auslandseinsätze der Bundeswehr KFOR Bewaffnete Soldaten der Bundeswehr bei einer Straßenkontrolle nördlich von Mitrovica Kosovo
Ushtarë gjermanë të KFOR-it në KosovëFotografi: picture-alliance/dpa

Karl Theodor Zu Guttenberg theksoi më tej se një reduktim i trupave gjermane të KFOR-it do të bëhet vetëm pas një vendimi të përbashkët:

"Angazhimi i trupave gjermane ne kuadër të KFOR-it në Kosovë nuk do të ndryshojë. Ndërkaq reduktimi do të vazhdojë në varësi nga zhvillimet në Kosovë, përsa i përket çështjes së sigurisë. Qeveria gjermane mendon që reduktimi duhet të ndodhë si vendim i përgjithshëm i KFOR-it, jo si vendim individual shtetesh."

Një tërheqje eventuale e mëtejshme e trupave gjermane të KFOR-it do të shqyrtohet jo më herët se vjeshta, tha Gutenbergu. Kosova sipas tij është në rrugë të mbarë për të mundësuar fazën tjetër të tërheqjes së trupave.

Aktualisht, të angazhuar në Kosovë janë rreth 1500 ushtarë gjermanë. Në tri muajt e kaluar kontigjenti gjerman i KFOR-it u reduktua me 700 ushtarë. Misioni në Kosovë është për ushtrinë gjermane misioni i dytë për nga numri i trupave, pas misionit në Afganistan.

Ministri gjerman i Mbrojtjes u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Sonte në mbrëmje ai do të informohet për situatën ushtarake në Kosovë nga komandanti gjerman i KFOR-it, Markus Bentler. Nesër takimet vazhdojnë me shefat e misioneve ndërkombëtare në Kosovë: të Eulexit dhe të Zyrës Civile Ndërkombëtare.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë/ Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica