1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania e interesuar në mbylljen e grindjes Rusi-Ukrainë

Anila Shuka, Berlin2 Janar 2006

Një e treta e gazit që përdor Gjermania kalon përmes Ukrainës. Qeveria gjermane e interesuar që grindja të përfundojë sa më shpejt, por nuk do të luajë rol ndërmjetësues

https://p.dw.com/p/Aqgp
Linjë gazmbajtëse në Rusi
Linjë gazmbajtëse në RusiFotografi: dpa - Report

"As nuk shtrohet për diskutim që Gjermania të luajë rol ndërmjetësues në këtë konflikt"- ka përsëritur të hënën në Berlin zëdhënësi i qeverisë gjermane, Tomas Shteg. Nisur nga fakti, ish-kancelari gjerman Gerhard Shrëder, tashmë është anëtar i këshillit mbikqyrës të koncernit gjymështetëror rus, Gazprom, ditët e fundit gazetarët kanë shtruar vazhdimisht pyetjen, se përse ai nuk ndërhyn që grindja mes Rusisë dhe Ukrainës të përfundojë sa më shpejt. Por asnjëra nga qeveritë e prekura nuk i ka kërkuar ndihmë Gjermanisë, kurse sa për ish-kancelarin Shrëder, ai nuk është më pjesë e qeverisë, kështu që "mund ta pyesni vetë" – iu përgjigj Shteg pyetjes përkatëse.

Ekonomia: Rezervat mjaftojnë për 75 ditë

Interesimi i Gjermanisë, ashtu si edhe i shumë vendeve të tjera të Evropes Perëndimoret për zgjidhjen e problemit megjithatë mbetet: Së pari, sepse afro 80 për qind e sasisë së gazit, që Gjermania importon nga Rusia vjen përmes Ukrainës. Kjo është gati një e treta e nevojave të Gjermanisë për gaz. Shkak për t'u shqetësuar, janë të mendimit gazetarët, por zëdhënësja e ministrisë së ekonomisë i qetëson: "Si nga sipërmarrësit ashtu edhe nga shoqatat e tregtarëve të gazit, kemi marrë garancinë që jemi të siguruar nga ndërprerje afatmesme. Rezervat e gazit zgjasin për 75 ditë, ndërkohë që ekziston mundësia të rrisim importimin nga Norvegjia."

Kriza mund të ndikojë në rritjen e çmimit të gazit

Në qoftë se ndërprerja e gazit do të zgjasë për një kohë afatgjate, atëherë njëri nga ndikimet do të jetë rritja e çmimit, thotë Klaus Hashker, zëdhënës i koncernit gjerman Gasag. Një lajm jo shumë i mirë për 17 milionë familjet që furnizohen me gaz, aq më tepër që viti i ri filloi me rritje të çmimit të gazit, që nuk kishin të bënin me grindjen aktuale, por me rritjen në përgjithësi të çmimit të naftës.

Linja e Baltikut - lehtësim apo varësi e re?

Në prizmin afatgjatë një shpresë për çlirimin deri diku të varësisë nga Ukraina përbën linja gazmbajtëse e Detit Baltik që Gazprom me dy koncerne gjermane Eon dhe BASF po ndërtojnë tani nga Rusia në Gjermani. "Kjo me siguri që do ta stabilizojë furnizimin me gaz," – thotë Hashker. "Ndërtimi i saj është pasqyrim i kërkesës së rritur në Evropën perëndimore, dhe ka mundësi që në të të përfshihen edhe vende të tjera." Por se a ekziston rreziku, që ashtu si edhe me Ukrainën, Rusia të pesëfishojë çmimin e gazit që do të kalojë nga linja e Baltikut, kësaj pyetjeje i shmangen si ekonomia ashtu edhe politika. Qeveria gjermane nuk e trajton këtë grindje si lojë e Rusisë për të dëshmuar pushtet, por si një problem që ka të bëjë me mosrespektimin e kontratave.