1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania e para në botë sa i përket organizimit të panaireve

Klaus Feldkeller7 Qershor 2004

Edhe pse Gjermania zë vendin e parë në botë sa i përket organizimit të panaireve nga organizatorët kërkohen ndryshime në koncepte dhe shtrim i veprimtarisë jashtë vendit.

https://p.dw.com/p/Ar6S
Pamje nga panairi i anijeve në Dyseldorf
Pamje nga panairi i anijeve në DyseldorfFotografi: AP

Gjermania zë vendin e parë në botë sa i përket organizimit të panaireve. Rreth dy të tretat e panaireve ndërkombëtare për degë të ndryshme të industrisë organizohen në Gjermani. Çdo vit në Gjermani organizohen 140 panaire në të cilat marrin pjesë rreth 170.000 pjesëmarrës dhe rreth 10 milionë vizitorë. Tipar i rëndësishëm për panairet gjermane është karakteri i tyre ndërkombëtar.

Konjunktura e dobët e vitit të kaluar la edhe në sektorin e panaireve gjurmët e saj. Shkurtimi i buxheteve për udhëtimet si dhe shkaqe të organizimit të brendshëm të ndërmarrjeve kanë bërë që nëpër panaire të marrin pjesë më pak pjesëmarrës dhe të bierë edhe numri i vizitorëve. Për këtë disa nga dhjetë qendrat më të rëndësishme të organizimit të panaireve në Gjermani, si Frankfurti, Hanoveri, Dyseldorfi apo Mynihu duhet të shikojnë për të gjetur alternativa jashtë kufijve të Gjermanisë. Eksperti për ekonominë Frank Materrn von McKinsey thotë: "Eshtë e qartë që shoqëritë aksionare të organizimit të panaireve duhet të zgjerohen jashtë Gjermanisë. Në rast se shohim se sa të ardhura kanë këto shoqëri nga vendet e tjera, shifrat janë shumë të ulta. Gjermania vazhdon të jetë një ndër kombet më të fuqishme ekportuese të botës. Në krahasim me këtë shoqëritë e organizimit të panaireve janë të fokusuara shumë fuqishëm vetëm brenda vendit. Për shkak të potencialeve të tyre të fuqishme brenda vendit dhe përvojës ato nuk ka pse të mos përhapen edhe jashtë kufijve të Gjermanisë."

Por edhe brënda vendit duhet që shoqëritë dhe qytetet ku organizohen panairet të punojnë më tepër, sepse konkurrenca private nuk fle. Për këtë qëllim ato duhet të shtojnë ofertat që shoqërojnë panairet, si p.sh. në fushën e hotelerisë dhe të turizimit. Norbert Stëk thekson: "Hoteleria dhe panairet janë të lidhura me njëra-tjetrën, por nganjëherë ato duket sikur punojnë kundër njëra-tjetrës. Po ashtu duhet thënë se qytetet gjermane nuk janë aq tërheqëse, mungon marketingu për qytetet, ofertat speciale me rastin e panaireve etj. Po ashtu edhe çmimet për pjesëmarrjen në panaire janë shumë të shtrenjta dhe madje disa kërkojnë që stenda të merret me qera për të gjitha ditët e panairit. Pra edhe në këtë drejtim mund të mendohet për strategji dhe koncepte të përbashkëta."

Rënia e të ardhurave prej panaireve lidhet edhe me shkurtimin e kohës së organizimit të tyre. Kështu panairet zgjatin si rregull 4-5 ditë, pra dy ditë më pak se sa ishte mesatarja në vitet 90-të. Po ashtu edhe pjesëmarrja nëpër panaire po i nënshtrohet gjithnjë e më shumë analizës së raportit të efektivitetit kundrejt shpenzimeve. Një problem tjetër lidhet me pronësinë e objekteve ku zhvillohen panairet. Ato janë në dorë të komunave dhe të qyteteve. Për shkak të gjendjes së mjeruar ekonomike, po diskutohet gjithnjë e më tepër për privatizimin e panaireve. Në këtë mes nuk bëhet fjalë për një privatizim të plotë, por për atë të kapaciteteve të tepërta.