1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania eksporton kualifikimin si produkt në botë

Sabine Kinkartz16 Nëntor 2006

Mallrat gjermane janë të preferuara gjithandej në botë. Megjithatë kohëve të fundit është rritur shumë interesimi jo për gjërat e tregut por për shërbimet publike të të gjitha llojeve. Këtu bën pjesë edhe shkollimi dhe kualifikimi i mëtejshëm.

https://p.dw.com/p/Aqyg
Fotografi: AP

Për sukses nevojiten kohë dhe durim, kjo është kredoja e Erik Svehles, sekretar i përgjithshëm i Akademisë ndërkombëtare administrativo-ekonomike me seli në qytetin Volfenbytel. Ka tre vjet që kjo Akademi ofron në Kinë kualifikim klasik për afaristë, kaulifikon menaxherë dhe ofron kualifikime të mëtejshme në drejtime të ndryshme të çertifikuara nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë gjermane.

"Por në një gjuhë tjetër dhe sipas një sistemi krejt tjetër nga ai të cilin e kemi këtu në Gjermani. Kjo do të thotë se ndërrimin klasik në mes të praktikës dhe teorisë në Gjermani, gjë që nuk ekziston në Kinë, ne duhet ta ristrukturojmë me kohë më të gjata praktike të cilat kryhen në ndërrmarrje të ndryshme. Por për këtë ne duhet që fillimisht të përgatisim ndërrmarrjet për të pranuar praktikantë pasi që kjo është diçka e re për to. Po ashtu ndërrmarrjet kineze nuk janë të gatshme të shpenzojnë të holla për kualifikime të mëtutjeshme. Eshtë një punë shumë e vështirë që sistemin të cilin e kemi aktualisht në Gjermani ta përcjellim në tregun kinez. Dhe kjo arrihet vetëm nëse bashkëpunojnë ndërrmarrjet e mëdha", sqaron Svehla.

Akademia gjermane ka investuar një gjysëm milioni euro në Kinë, ka shkolluar trajnues dhe ka ndërmjetësuar për dhënjen e licencave dhe pret që vitin e ardhshëm të fillohet me angazhimin konkret. Kjo për faktin se nevoja për fuqi punëtore të kualifikuar është shumë e madhe në Kinë. Para së gjithash interesim të madh kanë shfaqur edhe në sektorët e industrisë gjermane të cilët prodhojnë në Kinë.

"Ajo është në të vërtetë e pranishme çdokund. Dhe ajo ka çdokund një nevojë gjigante për fuqi të kualifikuar dhe drejtuese. Dhe nëse unë arrij të zhvilloj një produkt për të cilin kanë nevojë këto ndërrmarrje dhe këto ndërrmarrje mund t'i shfrytëzoj si inovatorë atëherë mund t'i bind autoritetet, shkollat partnere apo institutet, atëherë arrit t'i bind organizatat dhe përfundimisht të gjithë pjesëmarrësit se kjo masë edhe shpaguhet pastaj", sqaron Svehla.

Në mbarë botën tregu i shkollimit dhe kualifikimi të mëtejshëm është një fushë që zgjerohet gjithnjë e më shumë. Kjo është kuptuar me kohë sqaron Suzane Burger nga Ministria federale për edukim dhe hulumtim:

"Nëse shihni shifrat e eksportit australian atëherë eksporti i shërbimeve të shkollimit është faktori i dytë për nga madhësia. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është rrafshi i pestë. Kjo do të thotë se nevoja për kualifikim profesional në mbarë botën është një treg në rritje e sipër. Për Gjermaninë do të ishte një humbje e madhe, po të kemi parasysh imazhin që kemi në botë nëse tani nuk do të pozicionoheshim si duhet", thotë Burger.

Rreth 40 mijë institucione arsimore ekzistojnë në Gjermani por vetëm tetë deri në dhjetë përqind e tyre kanë arritur të zbulojnë tregun e huaj. Kjo ka bërë që eksporti i arsimimit të mos figuroj fare në statistikat federale të eksportit. Këtë gjendje dëshiron ta ndryshoj qeveria federale. Për këtë qëllim ajo ka nisur para pesë vitesh një iniciativë e cila mbështetet me nga një milionë euro në vit. Ajo informon dhe këshillon institucionet arsimore të interesuara të veprojnë jashtë shtetit, vendos kontakte me të huajtë dhe organizon udhëtime të delegacioneve jashtë shtetit. Kjo nuk është vetëm nxitje ekonomike por edhe ngritje e imazhit gjerman, thuhet në ministri çka miratohet edhe nga Erik Svehla:

"Nëse një vajzë e varfër nga pjesët rurale e cila nuk ka pasur kurrë shansin për një kualifikim të mirë ka mundësinë që përmes një burse nga Degusa, BMV-ja apo një ndërrmarrje tjetër e fuqishme të kryej një kualifikim adekuat dhe më vonë të bëhet asistente në një prej këtyre ndërrmarrjeve atëherë kjo do të ishte ajo çfarë do të përkujdesej për një imazh pozitiv tëgjermanëve dhe ekonomisë gjermane jashtë shtetit", sqaron Svehla.

Gjermanët e kanë të vështirë deri sa të futen në biznes, po u futen njëherë pastaj edhe mbesin. Ne konsiderohemi si njerëz të zellshëm, modest, dhe para së gjithash të qëndrueshëm, thuhet në Ministrinë Federale të Arsimit. Amerikanët dhe britanikët pas përfundimit të projekteve dhe me rastin e paraqitjeve të problemeve shpesh janë ta paarritshëm për të biseduar me ta, tek gjermanët gjendja paraqitet ndryshe. Një vlerësim me të cilin pajtohet plotësisht Alaa Ezz nga Dhoma tregtare gjermano-egjiptase. Vetëm para disa vitesh gjermanët kishin një pjesë prej vetëm 39 përqind në projektet e arsimimit profesional në Egjipt, tani më teëpr se 90 përqind.

"Me Gjermaninë në pjesën tonë të botës na lidh para së gjithash një gjë: Cilesia. Kjo vlen për një produkt të gatshëm por edhe për arsimimin dhe kualifikimin", sqaron Ezz.