1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania hap ambasadë në Kosovë

Bekim Shehu / Prishtinë27 Shkurt 2008

Gjermania zyrtarisht shndërroi zyrën e saj ndërlidhëse në Kosovë në ambasadë gjermane. Në një ceremoni festive krahas flamurit të Gjermanisë dhe atij të BE-së u vendos edhe flamuri i Kosovës.

https://p.dw.com/p/DEPb
Një njeri që shkruan 'Thank You Germany' në Gilan, 16 shkurt 2008
Një njeri që shkruan 'Thank You Germany' në Gilan, 16 shkurt 2008Fotografi: AP
Nga dita e sotme Gjermania ka ngritur nivelin e përfaqësimit të saj në Kosovë. Zyrën e deritashme ndërlidhëse gjermane në Kosovë e shndërroi në Ambasadë të Republikës Federale Gjermane. Krahas flamurit gjerman dhe atij të BE-së, në ambientet e ambasadës u vendos dhe flamuri i Kosovës.
Ushtarë gjermanë në Kosovë
Ushtarë gjermanë në KosovëFotografi: AP
Bartësi i detyrës së ambasadorit gjerman në Kosovë, Karl Vokalek, tha se Gjermania do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën drejt integrimit në struktura evropiane dhe do të vazhdojë të mbrojë dhe zbatojë interesat e saj në Kosovë. "Nuk është një ndryshim i madh. Ka qenë një Zyrë ndërlidhëse në Kosovë, mirëpo faktikisht ka kryer të gjitha punët që kryen një ambasadë. Kosova deri në këtë kohë nuk ka qenë një vend i pavarur dhe marrëdhëniet diplomatike mund të lidhen vetëm me shtetet e pavarura dhe sovrane", tha Karl Vokalek, bartës i detyrës së ambasadorit gjerman në Kosovë. Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë u zyrtarizuan me 21 shkurt kur Gjermania njohu pavarësinë e Kosovës. Kjo u bë me një shkëmbim letrash ndërmjet presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu dhe atij të Gjermanisë Horst Köhler.