1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania i përmbahet përgjegjësisë së saj

11 Mars 2019

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas mbërriti për një vizitë të palajmëruar në Afganistan. Ai e siguroi Afganistanin për vazhdimin e mbështetjes nga Gjermania.

https://p.dw.com/p/3EmlU
Afghanistan Heiko Maas, Außenminister Deutschland in Kabul
Fotografi: picture-alliance/dpa/Thomas Imo/Photothek.Net/Auswärtiges Amt

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha se është synimi i Gjermanisë që të sigurojë njerëzit në Afganistan, se "ne angazhohemi edhe më tej për një zgjidhje paqësore të konfliktit dhe për zhvillimin ekonomik të rajonit". Maas mbërriti të dielën në mbrëmje në Masar-i-Scharif në veri të vendit. Atje ai vizitoi më parë kampin fushor të Bundeswehrit, Camp Marmal.

Gjermania merr pjesë me deri 1300 ushtarë në misionin e NATO-s "Resolute Support". Në kuadër të tij, Nato dhe shtetet aleate shkollojnë forcat afganase të sigurisë, të cilat shpesh ndodhen nën presionin e madh të luftërarëve islamikë radikalë talibanë. Jo më larg se në mes të shkurtit, kabineti vendosi zgjatjen e misionit të Bundeswehrit në Afganistan. Në një hap të mëtejshëm, parlamenti duhet të aprovojë zgjatjen e mandatit aktual, që përfundon në 31 mars. Me vizitën e tij ministri i Jashtëm kërkon një mbështetje të gjerë të Bundestagut.

Maas tha se është e qartë, që një proces paqeje duhet t'u hapë vërtet njerëzve në Afganistan rrugën për në një të ardhme të sigurtë. Ai nuk duhet të jetë një kthim në një të kaluar të dhimbshme. "Ka rëndësi që të ruhen përmirësimet e arritura vitet e fundit në Afganistan në fushën e të drejtave të njeriut dhe të sundimit të ligjit, por edhe për kushtet e jetesës të shumë njerëzve, para së gjithash të grave të reja", tha Maas

SHBA negociojnë me Talibanët

Në një ndryshim të rëndësishëm të politikës së tyre, SHBA nisën verën e kaluar bisedime direkte me Talibanët, për t'i dhënë fund konfliktit në Afganistan që zgjat që prej 17 vjetësh. Më parë SHBA patën deklaruar se kryengritësit islamistë duhet të negociojnë direkt me qeverinë afganase. Talibanët kontrollojnë pjesë të gjera të vendit dhe ushtrojnë prej vitesh akte terroriste.

Në raundin ndërkohë të gjashtë të bisedimeve SHBA-Taliban, i cili zhvillohet në Emiratin e Katarit dhe që po zgjat prej dy javësh, po diskutohen hollësitë e një tërheqjeje të trupave ndërkombëtare dhe çështja, si mund të pengohet, që Afganistani të bëhet një vend i sigurtë strehimi për terroristët.

Armëpushim dhe marrëveshje paqeje

Veç kësaj, SHBA ngulin këmbë që të vendoset një armëpushim dhe nisjen e bisedimeve direkte të Talibanëve me qeverinë afganase, gjë që islamistët deri tani e refuzojnë. Së fundi, rreth kryengritësve u tha se puna "ecën hap pas hapi". Palët janë shumë të kujdesshme dhe vigjilente në të gjitha përparimet. Deri tani ende nuk ka një dakordim për një dokument ose për një marrëveshje. Qeveria e SHBA shpreson se me Talibanët do të arrihet një marrëveshje paqeje para zgjedhjeve presidenciale në Afganistan në korrik.

Pason vizita në Pakistan

Të martën Maas do të vazhdojë rrugën për në Pakistan. "Me udhëtimin në Afganistan dhe në Pakistan ne duam të japim një sinjal të qartë: Gjermania i përmbahet përgjegjësisë së saj, të cilën e kemi marrë përsipër në Afganistan si vendi i dytë donator dhe ofrues i trupave", theksoi Maas. Pakistani sipas Maas luan një rol kyç për një Afganistan të qëndrueshëm. Prandaj ai do të bëjë thirrje në Islamabad për një bashkëpunim më të ngushtë të të dyja shteteve fqinje.