1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania mbështet Fakultetin e Teknologjive të Informacionit në Tiranë

Arben Muka/ Tiranë2 Shkurt 2009

Fakulteti i Teknologjive të Informacionit është më i riu në Universitetin Politeknik në Tiranë. Stafi i fakultetit ka vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me shumë institucione shkencore të BE, ndër ta edhe në Gjermani.

https://p.dw.com/p/Glgq
Universiteti Politeknik në Tiranë
Universiteti Politeknik në TiranëFotografi: Arben Muka

Rreth 450 studentët e Fakultetit të Teknologjive të Informacionit frekuentojnë aktualisht tre drejtime bazë, për të marrë diplomë në inxhinierinë informatike, telekomunikacion dhe elektronikë. Stafi i fakultetit ka vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me shumë institucione kërkimore dhe shkencore nga vende të ndryshme të BE-së. Ndër partnerët më të ngushtë janë dhe universitetet gjermane.

Synimi për diplomën e përbashkët shqiptaro gjermane

Prof.dr Betim Çiço drejton Departamentin e Inxhinierisë Informatike, në këtë fakultet. Ai thotë se prej afër një dekade, në kuadër të programeve të Shërbimit të Shkëmbimit Akademik Gjerman, DAAD, ka patur lidhje konkrete me institucione të ndryshme shkencore e kërkimore gjermane.

Studentë të Universitetit Politeknik në Tiranë
Studentë të Universitetit Politeknik në TiranëFotografi: Arben Muka

"Ka nisur me Universitetin e Siegen-it, por që është intensifikuar në vazhdim me Universitetin e Marburg-ut, të Darmtstad-it. Në tre vitet e fundit jemi të fokusuar në mënyrë të veçantë me Universitetin e Humboldit në Berlin".

Po cilat janë efektet konkrete të kooperimit dypalësh? Në radhë të parë ardhja e profesorëve nga Gjermania, për të zhvilluar cikle të plota me leksione e seminare për lëndët bazë. Posaçërisht për programin e diplomës së nivelit të dytë, ku ndihet dhe nevoja më e madhe. P.sh. një lëndë është ajo e "Inxhinierisë së Soft-ve", të cilën e zhvillon shefi i institutit të informatikës në Universitetin e Humbold-it, prof. Klaus Bothe, dhe tjetra është lënda e "Sistemeve të shpërndara", nga profesori i Universitetit të Marburg-ut, Bernd Fleissleben.

Prof.dr. Betim Çiço, shef i Departamentit të Inxhinierisë Informatike në UT
Prof.dr. Betim Çiço, shef i Departamentit të Inxhinierisë Informatike në UPFotografi: Arben Muka

"Profesorët gjermanë jo vetëm që japin mësim, por dhe kontrollojnë detyrat gjatë procesit mësimor, duke e shoqëruar studentin deri në dhënien e provimit. Kjo i ka dhënë frymëmarrje cilësore zhvillimit të studimeve në fakultet, i ka vënë më shumë në lëvizje studentët për t‘u përgatitur dhe për të qënë aktivë gjatë diskutimeve në seminare apo në zhvillimin e detyrave e mikrotezave", thotë prof . Çiço, duke shprehur dëshirën e tij se "në një ditë jo të largët do të ketë një diplomë të përbashkët shqiptaro- gjermane, me njërin nga universitetet në Gjermani.

Aksesi për kryerjen e doktoraturës në Gjermani

Një aspekt tjetër i bashkëpunimit është dhe aksesi i të diplomuarve në Tiranë, për të vazhduar kualifikimin e mëtejshëm në Gjermani. Mihal Brumbulli ka përfunduar para një viti studimet në këtë fakultet me rezultate të shkëlqyera. Ai është tashmë asistent pedagog dhe nga 1 shkurti do të udhëtojë në Berlin, ku për 4 vite do të kryejë doktoraturën. Brumbulli ka ndjekur paraprakisht një modul rajonal që është mbajtur para pak kohe në Tiranë në inxhinierinë e soft-ve. Ai ka patur kontakte sistematike me prof . Klaus Bothe, si dhe së fundi me prof. Joachim Fischer, që do të jetë dhe udhëheqës shkencor për doktoraturën pranë Universitetit të Humboldit.

"Projekti im është nga fusha e sizmiologjisë. Ne kemi rënë dakort dhe me institutin e Sizmiologjisë në Tiranë për të bashkëpunuar edhe me Universitetin Politeknik dhe me atë të Humboldit, në atë që quhet projekti Metrik. Në thelb do të tentohet që në një kohë relativisht të shkurtër të aplikojmë në Shqipëri përvojën aktuale gjermane në fushën e sizmiologjisë", thotë Mihal Brumbulli.

Si Mihali janë dhe dy asistentë pedagogë të të tjerë, cilët kanë doktoruar tashmë në Gjermani, njëri në Universitetin e Darmstadt-it nën drejtimin e prof.dr. Mira Mezinit dhe tjetri në Universitetin e Marburg-ut, nën udhëheqjen shkencore të prof. Bernd Fleissleben.

Pasurimi i literaturës së specializuar

Lëndët zhvillohen në gjuhën angleze si një mënyrë efikase për komunikimin me pedagogët gjermanë. Për studentët që ndjekin masterin janë hapur dhe kurse të mësimit të gjuhës gjermane, në mënyrë që ata të kenë mundësi të shfletojnë literaturën e bollshme të kësaj fushe, që është siguruar nga partnerët gjermanë. Nga dy burimet kryesore Konferenca e Rektorëve të Gjermanisë dhe DAAD-i, Fakulteti i Teknologjive të Informacionit ka përfituar dhe një fond literature specialiteti me rreth 300 tituj, kryesisht publikime të pas vitit 2000. Këtu ka patur një kontribut të madh dr. Johan Munch, i cili ka arritur të koordinojë të gjitha fazat e mbështetjes me literaturën që nevojitej brenda programit që zhvillohet nga studentët e pëdagogët. Ndër ambiciet thelbësore të fakultetit të teknologjive të informacionit për të ardhmen e afërt mbetet dërgimi i deri 10 të sapodiplomuarve, për kualifikim të mëtejshëm në Gjermani, çfarë do të konsolidonte një bërthamë cilësore stafi pedagogjik, që do të përballonte zhvillimin në Tiranë të një kurikule të ngjashme me atë që zhvillohet nga partnerët në Gjermani.