1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania në shënjestrën e IS?

Noami Conrad25 Shtator 2014

Gjithnjë e më shumë xhihadistë gjermanë shkojnë të luftojnë në Siri dhe Irak. Autoritetet gjermane shqetësohen për të kthyerit, të cilët mund të kryejnë sulme.

https://p.dw.com/p/1DKrp
Propagande e IS
Fotografi: picture alliance/abaca

Me një shikim serioz, shefi i shërbimeve të fshehta gjermane Hans-Georg Maassen, u tregon një video pjestarëve të parlamentit dhe asistentëve të tyre.

Videoja tregon disa trupa në luftë. Disa burra, luftëtarë të organizatës terroriste që e quan veten "Shteti Islamik" (IS), qendrojnë para një pellgu me gjak dhe tallen me të vdekurit duke qeshur.

Në një klip të dytë, para kameras shfaqen dy të rinj. Ata thonë se sa herë që shkojnë në luftë shpresojnë të gjejnë dikë për të vrarë.

Burrat në të dy klipet flasin gjermanisht: 400 xhihadistë nga Gjermania mendohet se kanë udhëtuar në drejtim të Sirisë dhe Irakut për t'iu bashkuar IS, shpjegon Maassen dhe vazhdon duke thënë se numri po rritet.

125 vetë janë kthyer në Gjermani

Kristiandemokratët (CDU) dhe partnerët e tyre bavarezë kanë ftuar ekspertë në një mbledhje speciale për të disktuar rreth rreziqeve të mundshme, që mund t'i vijnë Gjermanisë nga xhihadistët. Të gjithë sepcialistët janë të një mendimi: xhihadistët e kthyer nga Iraku dhe Siria janë një kërcënim real për Gjermaninë. Të paktën 125 xhihadistë gjermanë janë kthyer në Gjermani, sipas Maasen, 25 prej të cilëve janë ‘në veprime luftarake'.

"Në shumë raste, ne thjesht nuk e dimë se çfarë bëjnë këta njerëz në Siri dhe Irak", thotë Maassen. Jo të gjithë xhihadistët përdorin rrjetet sociale për të treguar atë që kanë bërë. Shumë prej tyre thjesht zhduken nga radari dhe më pas shfaqen në Gjermani.

Sulme të mundshme në Gjermani

Ata janë burim shqetësimi për forcat e sigurisë, frikë për sulme të mundshmë në Gjermani. Maassen tregon një hartë të zezë të Gjermanisë që mbytët në gjak. Është një thirrje e xhihadistëve kundër Gjermanisë, thotë shefi i shërbimeve inteligjente. "Ne jemi gjithashtu në shënjestrën e IS", thotë Maassen.

Guido Steinberg nga Instituti gjerman për Shkencë dhe Politikë thotë se Kalifi i vetëshpallur Abu Bakr al-Baghdadi ka thënë se do të sulmojë Europën. Por ai dyshon nëse ai do të mund t'i zhvendosë forcat e tij larg Sirisë dhe Irakut. Sidoqoftë supozon Steinberg: "Ai do të përdorë mundësitë e ofrura nga luftëtarët dhe strukturat në Europë."

Dhe në Europë, sipas Massen-it janë shumë vetë, të cilët mbështesin qëllimet dhe ideologjinë e IS. Ai tha gjithashtu se tek rreth 6200 salafistët në Gjermani pati eufori kur u shpall Shteti Islamik. Kalifati IS do të ndërtojë një shtet që karakterizohet nga dhuna në disa pjesë të Lindjes së mesme, çka për shumë ekstremistë është realizimi i ëndrrave të tyre.

'Europa e rrezikuar nga sulmet'

Sa më shumë përfshihet Perëndimi në Siri dhe Irak, aq më shumë rritet rreziku i kthimit mbrapsh të këtyre sulmeve beson Maassen. Sulmet ajërore kundër bazave të IS janë një motiv hakmarrjeje ndaj Perëndimit.

Si Maassen ashtu edhe Steinberg theksojnë se nuk ka një zgjidhje të lehtë. IS mund të gjenerojë shumë të konsiderueshme parash nga shitja e naftës nga territoret e pushtuara. Steinberg mendon se vetë ndërhyrja tokësore do të mund të largojë militantët e IS nga Siria dhe Iraku.

Përveç kësaj Turqia ka ndaluar luftëtarët të cilët duan të kalojnë kufirin për të ndihmuar sirianët e Partisë Punëtore Kurde (PKK) në luftë kundër IS. Frika e qeverisë turke është forcimi i milicisë kurde, të cilët ishin në luftë me shtetin turk në vitet 80'. Steinberg-u thotë se Gjermania duhet të ushtrojë presion tek Turiqa që të ketë paqe me PKK.

Për sa kohë që IS do të jetë i paprekshëm, më shumë xhihadistë gjermanë do t'i bashkohen luftimeve. Në disa raste autoritetet kanë ndaluar xhihadistë potencialë për të udhëtuar drejt Irakut dhe Sirisë. Sidoqoftë radikalizimi i të rinjve mund të ndodhë shumë shpejt, sepse janë nën ndikimin e mediave sociale. Jo të gjithë xhihadistët vijnë nga xhamitë.