1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania në shifra

17 Prill 2010

Përzgjedhja e portreteve gjermane nuk ka qenë rastësi. Njerëzit, që portretohen prej nesh, janë kërkuar sipas kritereve statistikore. Këto të dhëna ne po ua tregojmë edhe juve.

https://p.dw.com/p/Mz8O

82 milionë vetë kanë jetuar në Gjermani në vitin 2008 sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave. Pjesa më e madhe e tyre janë të gjinisë femërore, 42 milionë. Shumica e popullsisë gjermane, gati 75 milionë, zotëron pasaportën gjermane. Një e pesta e banorëve janë me prejardhje migracioni, që do të thotë se ata vetë, prindërit, ose gjyshërit kanë ardhur në Gjermani nga vende të tjera. Më pak se 10 përqind e të gjithë personave, që jetojnë në Gjermani, nuk e kanë nënshtetësinë gjermane.

Nga gati 43 milionë persona të aftë për punë, rreth 10 përqind janë të mëvetësishëm, rreth 36 milionë janë punëmarrës. Punëdhënësi më i rëndësishëm është sektori i shërbimeve, i ndjekur nga sektori i prodhimit dhe industria e ndërtimit. Në vendin e tretë vjen shteti si punëdhënës: 4,5 milionë vetë punojnë në shërbimin publik. Megjithatë në vitin 2009 rreth 3,4 milionë vetë nuk kishin punë.

28 milionë vetë të moshës mbi 15 vjeçare kanë një dëftesë të shkollës nëntë, ose dhjetëvjeçare, 20 milionë kanë mbaruar shkollën e mesme. 26 milionë kanë mbaruar shkollën e lartë profesionale. Më shumë se 8,5 milionë kanë mbaruar universitetet, ose shkollat e barazvlefshme.

Një vështrim në strukturën e moshave tregon se gati një e treta e banorëve të Gjermanisë, rreth 61 milionë janë mbi 25 vjeç. Sa më të rinj të jenë njerëzit, aq më të rrallë janë në Gjermani. Fëmijët janë duke u pakësuar, gati 4 milionë janë nën moshën gjashtëvjeçare.

Për më tepër të pamartuarit, beqarë ose të ndarë, janë me 46 milionë pjesa më e madhe e popullsisë. Gati po aq është pjesa e të krishterëve katolikë dhe evangjelistë: 25,7 dhe 25,1 milionë. Sipas vlerësimeve 4,3 milionë vetë janë të fesë myslimane.

Landet më të mëdha nga sipërfaqja janë Bavaria, Saksonia e Poshtme dhe Baden -Vyrtembergu. Nëse si kriter merret numri i popullsisë, atëherë landi me popullsi më të madhe është landi Renania Veriore - Vestfalia. Një pamje krejt tjetër shfaqet po të shohësh dendësinë e popullsisë. Më shumë banorë jetojnë në Berlin, me 3 800 banorë për kilometër katror. Më shumë vend njerëzit kanë në Meklenburg - Pomerania : 72 vetë ndajnë së bashku një kilometër katror.

Autorin: Birgit Görtz / Aida Cama

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora