1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania përkujton të vrarët e dy luftërave botërore

Marcel Fürstenau20 Nëntor 2006

Dita përkujtimore zë fill në një propozim të vitit 1920

https://p.dw.com/p/Aqyd
Pamje nga parlamenti gjerman
Pamje nga parlamenti gjermanFotografi: AP

Gjermania përkujtoi dje të vrarët në dy luftërat botërore dhe viktimat e nazizmit. Në veprimtarinë qendrore në parlament fjalën për ditën e zisë popullore e mbajti kancelarja Angela Merkel. Presidenti Horst Köhler mbajti fjalën tradicionale në kujtim të të vdekurve. Për të parën herë kreu i shtetit përfshiu në tekstin e tij edhe ushtarët dhe forcat e tjera që kanë humbur jetën në misionet jashtë vendit. Dita përkujtimore zë fill në një propozim të vitit 1920 të Lidhjes Popullore për Përkujdesjen e Varreve Gjermane të Luftës.

Është traditë që presidenti gjerman të mbajë fjalën tradicionale në kujtim të të vdekurve. Në nderim të viktimave të dhunës dhe luftës, të atyre që kanë humbur jetën si robër lufte, të dëbuar apo refugjatë. Fillimisht ky përkujtim i të vdekurve u referohej viktimave të luftërave botërore dhe të sundimit nazist. Këtë herë presidenti Horst Köhler lexoi një variant të zgjeruar të tekstit.

"Mbajmë zi për viktimat e luftërave dhe të luftërave civile të ditëve tona, për viktimat e terrorizmit dhe të përndjekjes politike, për ushtarët gjermanë dhe forcat e tjera që kanë humbur jetën në misionet jashtë vendit."

Referimin ndaj së tashmes dhe angazhimet që rrjedhin, sipas saj, prej kësaj e kishte bërë pak para fjalës së presidentit Köhler kancelarja Angela Merkel. Kryetarja kristiandemokrate e qeverisë pranoi përgjegjësinë gjermane në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, kriminalitetit të organizuar dhe përhaqjes së armëve të shfarrosjes në masë:

"Për këtë arsye marrim pjesë në kuadër të NATO-s dhe të OKB-së në misione për ruajtjen dhe vendosjen e paqes. Ky angazhim gjerman, evroipian e transatlantik është edhe një amanet i të rënëve në luftë."

Për tu ballafaquar dhe për tu qëndruar sfidave të së tashmes nevojiten një sërë masash parandaluese dhe reagimesh për përballimin e konflikteve, tha Merkel në fjalën e saj në Bundestag. Vetëm një shtet nuk mund ta bëjë këtë, sipas saj, nevojiten edhe masa sigurie:

"Por vetëm këto nuk mjaftojnë për të luftuar me efikasitet terrorizmin dhe çdo formë të ekstremizmit. Më i rëndësishëm është dialogu i kulturave dhe feve. Këtë dialog duhet ta fuqizojmë dukshëm; si në vendin tonë, ashtu edhe në rrafsh ndërkombëtar."

Pikërisht kështu e vlerëson punën e vet në mbarë botën edhe Lidhja Popullore për Përkujdesjen e Varreve Gjermane të Luftës. Në fjalën e tij presidenti i lidhjes Reinhard Führer tërhoqi vëmendjen nga zhvillimet pas kthesës politike të vitit 1989 në Evropë:

"Që prej rënies së perdes së hekurt ne arritëm të zbulojmë në vendet e Evropës qendrore dhe lindore eshtrat e 500.000 të rënëve. Ne jemi në gjendje ta bëjmë këtë punë vetëm sepse atje ka shumë njerëz me vullnet të mirë dhe të gatshëm për pajtim."

Sipas të dhënave të saj Lidhja Popullore për Përkujdesjen e Varreve Gjermane të Luftës kujdeset për pothuajse dy milion varre në më shumë se 800 varreza në 45 vende.