1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania - Thirrje për maturi SHBA e Iranit

23 Korrik 2018

Qeveria gjermane ka kritikuar tonin e ashpër në konfliktin mes SHBA dhe Iranit. Replikat mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij iranian, Hasan Rohani kanë shkaktuar rritjen e çmimit të naftës.

https://p.dw.com/p/31vJN
Symbolbild Kündigung Atomabkommen mit Iran durch USA
Fotografi: Getty Images/AFP/C. Barria

Pas shkallëzimit verbal të konfliktit mes SHBA dhe Iranit, ku presidenti Trump i kundërpërgjigjet ashpër presidentit iranian, Rohani "mos na kërcënoni më kurrë", reagon edhe qeveria gjermane. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme u shpreh se "ne mbështesim bisedimet dhe dialogun dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve, kjo vlen veçanërisht për palën iraniane, për maturi dhe çtensionim të retorikës." Kërcënimet me dhunë ushtarake nuk janë "asnjëherë ndihmuese".

Ndërkohë të hënën replikat e ashpra mes SHBA dhe Iranit çuan në rritjen e çmimit të naftës me 1,8% në 74,41 dollarë për fuçi. Investitorët i tremben faktit, që Irani mund të mbyllë një rrugë shumë të rëndësishme të furnizimit me naftë përmes Gjirit Persik dhe me këtë të shkaktojë ngushtica të mëdha në furnizimin me naftë.

Kërcënimi i Iranit

Në fundjavë ishte forcuar toni mes dy vendeve. Presidenti Rohani paralajmëroi në fundjavë nga ndjekja e një politike armiqësore kundër Republikës Islamike. "Amerika duhet ta dijë, se paqja me Iranin është nëna e çdo paqeje dhe një luftë me Iranin është nëna e të gjithavë luftërave", citoi  agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve, Isna kreun e shtetit iranian. "Mister Trump mos luani me bishtin e luanit." Rohani që përdori këtë proverb persian, u shpreh kështu para diplomatëve.

UN Generalversammlung in New York | Donald Trump, Präsident USA
Fotografi: Getty Images/S. Platt

Trump kundërpërgjigjet - Jini të kujdesshëm!

Trump u kundërpërgjigj ashpër me një referim të drejtpërdrejtë presidentit Rohani. "Asnjëherë mos guxoni të kërcënoni Shtetet e Bashkuara, ndryshe do të vuani pasoja, të cilat nuk i keni vuajtur kurrë më parë në histori. Ne nuk jemi më vendi që pranon fjalët tuaja demente të dhunës dhe vdekjes. Jini të kujdesshëm!"

Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo e krahasoi lidershipin iranian me mafian. Ai ka përfituar nga pazaret ilegale, korrupsioni dhe mashtrimi, tha ai. Ndërkohë Irani e akuzoi SHBA se po zhvillon luftë psikologjike dhe ndërhyn në punët e brendshme të Iranit. Presidenti amerikan, Donald Trump që në fillim të presidencës së tij ka kritikuar ashpër Iranin. Ai urdhëroi daljen nga marrëveshja atomike me Iranin, kundër vullnetit të shteteve të tjera nënshkruese. Trmup synon një marrëveshje tjetër pasuese, por të cilën Irani e refuzon kategorikisht.

la/(dpa, rtr)