1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania vend emigrimi

Nina Werkhäuser14 Korrik 2006

Në samitin e parë të integrimit, kancelarja gjermane Angela Merkel ftoi 80 ekspertë në zyrat e saj në Berlin - Përfaqësues të migrantëve që jetojnë në Gjermani, të kishave dhe organizatave të tjera fetare, nga sindikatat, ekonomia si edhe landet dhe komunat e ndryshme gjermane. Pjesëmarrësit debatuan së bashku se si mund të përmirësohet politika e integrimit të të huajve në vend.

https://p.dw.com/p/Ar04
Fotografi: AP

Kancelarja gjermane Angela Merkel ishte aq e kënaqur me zhvillimin e samitit të integrimit, sa që e quajti atë "një ngjarje pothuajse historike". 80 pjesëtarët e këtij samiti, ndër ta shumë emigrantë, diskutuan 4 orë me njëri-tjetrin, në një atmosferë vërtet shumë kulturore.

"Kishim ëmbëlsia turke, që na u ofruan në pjata elegante. Kjo ishte diçka shumë e bukur" - tregon kancelarja Merkel.

Vetëm fakti se gjermanë dhe të huaj, me apo pa pashaportë gjermane, mundën të bisedojnë së bashku mbi problemet e integrimit, ishte një rezultat i rëndësishëm i këtij samiti.

"Shumë pjesëmarrës ishin të mendimit se përparimi më i madh i samitit të sotëm dhe dialogut të tij, ishte se ne nuk folëm mbi njëri-tjetrin, ashtu sic ka ndodhur shpesh në shoqëri, por së bashku" thotë kancelarja gjermane.

Por jo të gjithë ata që donin të thonin diçka, patën mundësinë për ta bërë atë. Por Angela Merkel kuptoi gjatë këtij samiti se:

"Dëshira më e madhe e shumë njerëzve këtu është, që ata që jetojnë në këtë vend prej vitesh, të gjejnë një derë të hapur, e cila u thotë "mirësevini"."

Për zëvendëskancelarin dhe ministrin e punës Franc Myntefering, problemi më i madh për migrantët, i cili ëshë papunësia, ka të bëjë me mosditurinë e gjuhës gjermane dhe arsimin e dobët që kanë gëzuar ata. Por Myntefering theksoi në të njejtën kohë se të huajt kanë ndihmuar në rritjen e nivelit të jetesës në Gjermani.

"Çfarë do të ndodhte në Gjermani pa njerëzit që kemi? Sa i lartë do të ishte niveli i jetesës? Ne nuk i bëjmë kurrë në mënyrë perfekte llogaritë. Në rast se Gjermania nuk do të kishte pasur kaq shumë njerëz të rinj gjatë 50 viteve të fundit, atëherë niveli ynë i jetesës nuk do të ishte kaq i lartë."


Dialogu do të vazhdohet tani në 6 grupe pune, të cilat do të fokusohen tek tema si zhvillimi i gjuhës, arsimi dhe emancipimi. Edhe dialogu me fenë islamike do të vazhdohet me intensitet, por nga ministria e brendshme. Pas një viti do të prezantohen rezultatet e të ashtuquajturit "plani i integrimit". Por këto rezultate nuk do të shndërrohen në ligje, thekson kancelarja gjermane:

"Nuk duhet t´i japim më shumë rëndësi se ç´duhet këtij samiti për integrimin dhe procesve që lidhen me të. Askush nuk duhet të mendojë se duam të krijojmë një lloj parlamenti të dytë."

Reagimet e para ndaj samitit të integrimit ishin pozitive. Sipas mendimit të kryetarit të shoqatës turke në Gjermani, Kenan Kolet, Gjermania po e pranon më në fund faktin se është një vend emigrimi.