1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Gjithçka mund të arrish me shami në kokë!"

AYGÜL CIZMECIOGLU17 Prill 2006

Vajza të reja përpiqen të dalin nga prangat e paragjykimeve e patriarkalizmit përmes repit dhe hiphopit. "Dynja" – qendra e vajzave në Berlinin Perëndimor u shpall fituese e çmimit berlinez të integrimit

https://p.dw.com/p/Ar0q
Turke me shami koke me ngjyrat e flamurit gjerman
Turke me shami koke me ngjyrat e flamurit gjermanFotografi: dpa

Tinguj të fortë kumbojnë përmes altoparlanteve të vjetër. Aroma e byrekut të porsa pjekur të çpon hundët. Vajza me shami koke ngjyrë rozë dhe bluza që nuk arrijnë të mbulojnë barkun kërcejnë nën ritmin e muzikës. Rahma, Gufran dhe Dorra takohen gati çdo ditë në qendrën e vajzave "Dynja" për të intonuar poezitë e tyre. Essra 11-vjeçare është e ndrojtur, por kur merr mikrofonin në dorë, pamja e saj ndryshon tërësisht: Ajo duket sikur të ishte lindur për muzikën rap. "Më pëlqen rapi për shkak të teksteve. Kur zihem me mamanë ose me vëllezrit, ose kur jam e dashuruar filloj dhe shkruaj dhe e këndoj ashtu si më del nga shpirti," – thotë Essra.

Tre mësuese të muzikës u ndihmojnë vajzave të shprehin më së miri dëshirat dhe ankthet, të reflektojnë ndaj së përditshmes, pa e ndjerë presionin e prindërve dhe të familjes. Kjo e forcon vetëbesimin e vajzave, thotë Suza Gunzner, njëra nga mësueset: "Rapi dhe hiphopi dominohen nga djemtë. Vajzat janë zakonisht në sfond. Ne duam të arrijmë që ato ta marrin vetë mikrofonin në dorë dhe të tregojnë që kanë ç'të thonë."

Disa nga vajzat, si për shembull Gufran, sheh se ka pësuar përmirësime edhe në shkollë, që kur vjen rregullisht në qendrën Dynja. Libanezja 11-vjeçare thotë se në shtëpinë e saj flitet vetëm arabisht. Shamia e kokës dhe gjermanishtja e dobët e ndanin nga nxënëset e tjera. Me anë të repit tani ka filluar ta ndjejë më mirë gjuhën. "Më parë kur duhej të mbaja ndonjë referat në shkollë kisha frikë të flisja. Tani jam çliruar dhe kam guxim të tregoj ndonjë histori. Të tjerët mendojnë se kush ka shami në kokë nuk mund të arrijë asgjë. Por ata e kanë gabim. Mund të arrish gjithçka, pavarësisht se çfarë ke veshur, minifund apo shami koke," – thotë Gufran.

Prindrit e vajzave nuk ishin shumë të entuziazmuar kur dëgjuan për projektin. Shumë prej tyre mendonin se vajzat "do të dilnin nga binarët" dhe do të përgojoheshin nga shoqëria. Edukatorja Semra Hanli dhe koleget e saj kaluan orë të tëra debatesh me prindërit. "Janë vajza që vijnë nga familje besimtarësh. Prindrit i kanë edukuar sipas disa parimeve, ku turpi, nderi, krenaria, familja luajnë rol shumë të rëndësishëm. Ato presin që vajzat të mos i shkelin këto parime. Këtu vajzat mund të jenë si të duan, dhe të tregojnë personalitetin e tyre të vërtetë."

Shumica e prindërve ndërkohë kanë fituar besim tek projekti. Disku që kanë prodhuar vajzat me këngët e tyre u tregohet me krenari familjeve të tjera që vijnë për vizitë, thotë Gufran. Vetëm vëllezërit ia kanë pak zilinë. Sepse 11-vjeçarja e sheh veten në fillim të një karrire të gjatë muzikore.