1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjuetia për "Ariun e Artë"

Jochen Kürten11 Shkurt 2006

Historia e Berlinales

https://p.dw.com/p/Ar1M
Drejtuesi i edicioni të 56-të të Berlinales, Dieter Kosslick
Drejtuesi i edicioni të 56-të të Berlinales, Dieter Kosslick

Të enjten në Berlin filloi festivali i 56-të ndërkombëtar i filmit. "Berlinalja" siç quhet festivali i filmit nga banorët e Berlinit, cilësohet pas Kanës dhe bashkë me Venecian, festivali më i rëndësishëm kinematografik në botë. Çdo vit në shkurt vërshojnë më shumë se 150.000 vizitorë në kinema dhe me këto shifra Berlinale është festivali më i madh i publikut në të gjithë botën. Por Berlinale është njëkohësisht edhe pikë takimi për profesionistë të fushës së kinematografisë dhe për shtypin ndërkombëtar, për yje dhe yllëza të ekranit të madh që prej vitit 1951.

Berlinalja e parë u zhvillua në mes të rrënojave. Më 6 qershor 1951 u shfaq filmi "Rebecca" i regjizorit Alfred Hitchcock, artistja e famshme amerikane, Joan Fontaine shkeli mbi qilimin e parë të kuq. Gjashtë vjet pas përfundimit të luftës Gjermania donte të gjente një pikë lidhjeje edhe në sferën e kulturës. Në fund të fundit Berlini i mbarimit të viteve '20 kishte qenë një nga metropolet më të gjalla e interesante të artit në botë.
Gjatë viteteve '50 festivali i filmit në Berlin u shndërrua shpejt në një pikë takimi ndërkombëtare të kinemasë botërore. Filmi gjerman atëherë i gëzohej një publiku shumë të madh kryesisht me produkte të cekëta zbavitjeje. Hollivudi por edhe vende të tjera me kinematografi të zhvilluar dhe natyrisht edhe studiot e mëdha nga Gjermania dërgonin yjet e tyre në qilimin e kuq të Berlinales: Sophia Loren dhe Errol Flynn, Hans Albers dhe Hildegard Knef, të gjithë vinin për të bërë reklamë për filmat e rinj.
Berlinalja ka qenë kështu gjithnjë një aktivitet që synonte të përcillte tek publiku i gjerë shkëlqimin e botës së filmit. Numri i yjeve që kanë marrë pjesë në vite në Berlinale i mbush me krenari drejtorët respektivë të festivalit edhe kohët e fundit:"Sean Connery, Johny Depp, Joseph Finnes, Charlotte Gainsbourg, Anthony Hopkins...", numëron drejtuesi i Berlinales, Moritz de Hadeln. Në vitet '60 festivali u shndërrua edhe në një pikë takimi për artin filmik: regjizorë si Jean-Luc Godar apo François Truffaut prezantuan atje veprat e tyre të reja. Viti 1970 shënoi fillimin e krizës. Kohët ishin të ngarkuara me politikë, jehona e revoltës së vitit '68 dhe lufta e Vjetnamit nuk kaluan pa lënë gjurmë mbi festivalin. Pati protesta kundër filmit kritik ndaj Amerikës "O.K" të gjermanit Michael Verhoeven.
Si pasojë e këtyre viteve të trazuara krahas konkurimit në fund të të cilit ndahen çmimet "ariu i artë" dhe "ariu i argjendtë" u etablua edhe i ashtuquajturi "Forum". Në këtë seksion shfaqen kryesisht filma me karakter dokumentues ose eksperimentues. Përveç kësaj, seksioni "Forum" përfshinte edhe filma nga vende të cilat deri atëherë nuk qëndronin në dritën e prozhektorëve të botës së kinemasë. Për Ulrich Gregor, një nga drejtorët e Berlinales për shumë vite, vetëm atëherë Berlinalja u kthye në një forum të plotë të kinemasë botërore në të cilin janë të përfaqësuara të gjitha format e kinemasë.
"Spektri i zhanreve të ndryshme të kinematografisë që shfaqen këtu është shumë i gjerë,nga filmat e Hollivudit deri tek filmat e autorëve nga vende të ndryshme të botës, tek filmat dokumentarë dhe eksperimentalë."
Por në qendër të Berlinales ka qenë thuajse gjithnjë konkurimi. Aty janë shfaqur filma të famshëm fitues si "La Notte" e Michelangelo Antonioni-t apo "Hong Gaoliang" (Fusha e kuqe e grurit) nga Zhan Yimou. Në këtë festival yjet e filmit ndërkombëtar i përgjigjeshin pyetjeve të publikut dhe të shtypit.
Festivalet e Kanës, Berlinit dhe Venecias konkurrojnë gjithnjë për filmat më popullorë, për aktorët më të famshëm. Dieter Kosslick, drejtues i Berlinales prej pak vitesh, është në këtë drejtim mjeshtër në zanatin e tij:"Ky është një biznes marrëdhëniesh, duhet vërtet të njohësh shumë njerëz dhe t'i kuptosh ata. Duhet të flasësh gjuhën e tyre dhe mendoj se duhet të kesh edhe një lloj pasioni."
Pasioni i Kosslick gjatë viteteve të shkuara ka pasur në vëmendje kryesisht kinemanë gjermane të neglizhuar vite me rradhë nga paraardhësi i tij Moritz de Hadeln. Ndërkohë filmat gjermanë ftohen e shihen sërish me kënaqësi në Berlinale. Edhe publiku profesionist jo gjerman vjen në festivalin e Berlinit për të parë kinemanë gjermane siç thekson Heinz Badewitz, drejtues i "serisë gjermane":
"Grupi që ne synojmë të arrijmë janë blerësit ndërkombëtarë, drejtuesit e festivaleve që vijnë nga e gjithë bota për të parë në format kompakt të rejat e fundit e kinemasë gjermane dhe unë mendoj se Berlinalja është vendi më i mirë për këtë."
Krahas kinemasë gjermane në programin e festivalit është etabluar para së gjithash filmi nga disa vende aziatike. Filmat nga Kina dhe Tajvani, Koreja dhe Vjetnami kanë festuar suksese të mëdha në Berlin gjatë edicioneve të kaluara, një zhvillim ky i iniciuar nga Moritz de Hadeln dhe i çuar më tej nga Kosslick.
"Kinematografitë aziatike kanë aktualisht oferta shumë interesante. Diçka e re është një film shumë aktual korean. Bëhet fjalë për marrëdhëniet mes Koresë së Jugut dhe të Veriut, një film që unë besoj se para dy ose tre vjetësh nuk do të mund të xhirohej në Kore", thotë de Hadeln.
Berlinale ka qenë gjithnjë edhe një festival politik. Gjatë viteve '70 dhe '80 ai ishte vendi i shfaqjes së kinematografisë nga Europa Lindore. Shumë filma të polemizuar në vendet e origjinës nga ish Bashkimi Sovjetik apo nga lindja e Gjermanisë festonin aty premierat e tyre ndërkombëtare. Festivali i Berlinit ka bërë të vetat shumë nga zhvillimet e filmit ndërkombëtar, të rejat nga Hollivudi dhe kinemanë e re gjermane, valën e re nga Franca dhe kinemanë tensionuese të Azisë. Por vitin e kaluar në qendër ishte një kontinent i cili kurrë më parë nuk ishte shfaqur në listën e fituesve. Versioni afrikano-jugor i operas së famshme Carmen fitues i Ariut të Artë - kjo ishte për të gjithë një e papritur e madhe. Ndoshta kishim të bënim thjesht me një kolorit të ri të listës së fituesve por ka mundësi të bëhej fjalë edhe për fillimin e një tendence të re në festivalin ndërkombëtar të filmit të Berlinit.