1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjykata Kushtetuese mbi financat në BE

Dafne Grathwolh / Vilma Filaj-Ballvora11 Korrik 2012

A do t’i rrëzojë Gjykata Kushtetuese Mekanizmin Evropian të Stabilitetit dhe Paktin Fiskal? Një diskutim plot tension i politikanëve, juristëve dhe ekonomistëve.

https://p.dw.com/p/15UzQ
Fotografi: Ronald Wittek/dapd

Ishte vetëm një seancë negociuese përpara marrjes së një vendimi gjithësesi të përkohshëm në një procedurë të përshpejtuar. Në këtë proces duhet të shqyrtohet çështja, nëse lejohet presidenti t'i nënshkruajë dhe t'i ngrejë në fuqi ligjet për Mekanizmin Evropian të Stabilitetit në BE (ESM), apo nëse duhet pritur deri në vendimin e seancës kryesore. Sidoqoftë vendimet e përkohshme mund të tregojnë, se si do të vendosë gjykata në çështjen kryesore. Në prag të kësaj seance ka pasur paralajmërime fare hapur nga Brukseli në adresë të Karlsruhes, në rast se gjyqtarët i shpallin si antikushtetuese ligjet për shpëtimin e euros.

Gjykim i vështirë

Në procesin e përshpejtuar do të vlerësohet, se çfarë mund të peshojë më rëndë: ndalimi i përkohshëm i instrumentave të stabilitetit, për të përcaktuar më pas në seancën qendrore se ato megjithatë janë konform kushtetutës - ndërkohë që tregjet financiare zhyten në krizë?  Apo si alternativë tani për tani të nënshkruhen si Mekanizmi Evropian i Stabilitetit ashtu edhe Pakti Fiskal, për t'i shpallur ato më pas  si antikushtetuese në seancën qendrore - e si marrëveshje jopopullore ato do të ishin të kësisoj të parevokueshme?

Bundesverfassungsgericht Verhandlung ESM Fiskalpakt
Fotografi: Reuters

Të tilla vendime me parashikim në avancë janë shumë të vështira, siç u shpreh presidenti i Gjykatës Kushtetuese, Andreas Voßkuhle në hapje të seancës. Ai tërhoqi vëmendjen për hapësirën e gjykimit të ligjëvënësit, gjë që duhet respektuar prej Gjykatës Kushtetuese. Kjo vlen veçanërisht në rastet si ky, kur bëhet fjalë për kushtetuetshmërinë e ligjeve, që duhen miratuar nga të dyja dhomat e parlamentit, sepse bëhet fjalë për marrëveshje të së drejtës ndërkombëtare me rëndësi të madhe politike, theksoi më tej Voßkuhle.

Bëhet fjalë për para…

Në pikëpyetje janë shumë para: 17 vende nënshkruese kontribuojnë duke i vënë në dispozicion ESM-së gjithsej 700 miliardë euro. Kjo marrëveshje do të zëvendësojë EFSF (Fasilitetin Evropian të Stabilitetit Financiar), që duhet të jetë afatgjatë në fuqi për të mbështetur vendet në vështirësi financiare. Pas samitit të fundit të BE-së në fund të qershorit edhe bankat duhet të kenë mundësi të mbështeten prej ESM-së. Pakti Fiskal i detyron shtetet nga njëra anë të ekuilibrojnë buxhetet dhe nga ana tjetër të përdorin sistemin e frenimit të borxheve të ankoruar në kushtetutat e tyre. Instanca e kontrollit duhet të jetë Gjykata Evropiane në Strasburg. Vetëm kush e zbaton Paktin Fiskal, ka pretendim ndaj parave nga fondi ESM.

Wolfgang Schäuble Vorstellung des Bundeshaushalts Bundespressekonferenz
Ministri gjerman i Financnave Wolfgang SchäubleFotografi: AP

Në këtë mënyrë ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, i mbrojti duke u paraqitur personalisht në Karlsruhe rregullat e SEM dhe të paktit fiskal: ESM, sipas Schäuble-s, është një instrument më efikas se sa EFSF. Kjo do të thotë, që Gjermania do të jetë më pak bashkëpërgjegjëse. Një shtyrje e konsiderueshme e afatit kohor të ESM dhe paktit fiskal do të shkaktonte humbje të rëndë të besimit në zonën e euros, do të rriste dyshimet ndaj vullnetit për ndihma dhe mund të forconte simptomat e krizës, tërhoqi vëmendjen prerazi Schäuble. Këtu bëjnë pjesë edhe spekulimet për shkëputjen e vendeve të veçanta nga zona e euros, deklaroi ministri i Financave.

… dhe ç'bëhet me demokracinë?

Krahas aspekteve financiare në Karlsruhe shtrohen edhe çështje parimore të demokracisë. Sepse përmes ESM-së shfuqizohet mekanizmi i të ashtuquajturit parimi bail-out, pra parimi themelor, që asnjë shtet nuk duhet të mbajë përgjegjësi për borxhet e tjetrit, siç theksojnë përfaqësuesit e palës ankimuese.  Gjithashtu shtetet do të mbanin përgjegjësi pakufizim, sepse në marrëveshjen ESM është përcaktuar, që këshilli i guvernatorëve, instanca qendrore e ESM-së, mund ta rrisë brenda kompetencave të veta kapitalin bazë ndërkohë në vlerën e 700 miliardë eurove. Nga ana tjetër marrëveshja ESM - të paktën sipas formulimit - nuk mund të anulohet.  Pakti Fiskal i krijon BE-së kompetenca të zgjeruara kundrejt buxheteve kombëtare. Të gjitha këto rrethana tkurrin të drejtën buxhetore të parlamentit, e në këtë mënyrë shtetet nuk do të mund të dispononin lirisht ndaj buxheteve të tyre.

Në radhët e përfaqësuesve të të ankimuarve në proceset e ndryshme, të cilat do të shqyrtohen bashkarisht, bëjnë pjesë edhe tashmë të njohur ndërkombëtarisht si skeptikët e euros, mes tyre edhe profesorët Starbatty dhe Schachtschneider, të cilët në mënyrë të përsëritur janë paraqitur në Karlsruhe në procese të ngjashme.  Joachim Starbatty vlerëson se janë të mira shanset, që marrëveshjet e brishta të bllokohen në procesin e përshpejtuar: "Gjykata do të bëjë atë çfarë përcakton kushtetuta."

"Skenarë apokaliptikë"

Drejtuesja e të ankimuarve ish-ministrja e Drejtësisë Herta Däubler-Gmelin në seancën dëgjimore deklaroi, se këto procese prekin të drejtat e të gjithë qytetarëve me të drejtë vote në Republikën Federale të Gjermanisë. Christoph Degenhart tërhoqi vëmendjen, se nënshkrimi i marrëveshjeve të diskutueshme do të çonte në një ndryshim kursi pakthim në BE. Ai kritikoi ndryshimin që i është bërë më pas marrëveshjes ESM për mbështetjen direkte ndaj bankave. Ai tërhoqi vëmendjen, se "skenarët apokaliptikë", të parashtruara në seancën dëgjimore, për të ndaluar një vendim në Karlsruhe kundër ESM dhe paktit fiskal, nuk kanë bazë.

ESM-a duhej të hynte më 1 korrik 2012 në fuqi, ndërsa pakti fiskal në vitin 2013. Por plani kohor tashmë është shtyrë: Në fund të korrikut pritet vendimi paraprak i Gjykatës Kushtetuese. Në seancën dëgjimore u diskutua gjatë lidhur me çështjen, nëse gjykata duhet të merret më gjatë me procesin e përshpëjtuar, në mënyrë që edhe pse i përkohshëm të merret një vendim, i cili të ketë efekt tregues në seancën kryesore.

Vorbereitung Klage gegen ESM und Fiskalpakt Bundesverfassungsgericht
tFotografi: picture alliance / dpa

Derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë në seancën kryesore, do të kalojnë muaj. Se çfarë pasojash do të ketë vendimi, në se ESM dhe pakti fiskal janë antikushtetues, kjo nuk mund të parashikohet. Sidoqoftë Gjermania është përgjegjëse për gati një të tretën e kapitalit të ESM-së: Rreth 22 miliardë euro paguan ajo direkt në fondin e përhershëm të shpëtimit, ndërsa 168 miliardë euro duhet t'i mbajë në dispozion si fond sigurimi. Vendi me barrën më të madhe të pagesës në rrethana të caktuara do të detyrohej të mbante një referendum popullor, për ta ndryshuar ligjin në atë mënyrë, që të mund të zbatohen ESM-ja dhe pakti fiskal. E pastaj shtrohet pyetja, nëse Gjermania do ta miratonte një bartje të tillë të kompetencave buxhetore të parlamentit.

Gjykata kushtetuese i ka kushtuar shumë rëndësi peshimit të këtyre pasojave - qysh tani në seancën dëgjimore edhe më shumë vëmendje do t'i kushtohet atyre në seancën kryesore. Ky nuk është një vendim i lehtë, deklaroi presidenti i Gjykatës Kushtetuese Voßkuhle, por për këto kërkesa do të gjykohet duke u mbështetur fort tek ligji themelor. "Eshtë detyrë e gjykatave kushtetuese, t'u përmbahen rregullave edhe kur ato nuk duken se nuk janë politikisht të favorshme."