1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjykata Kushtetuese urdhëron të rivotohet në Berlin

19 Dhjetor 2023

Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë vendosi të martën se zgjedhjet federale të vitit 2021 duhet të përsëriten pjesërisht në Berlin.

https://p.dw.com/p/4aLLA
Karlsruhe Bundesverfassungsgericht verkündet Urteil zum Nachtragshaushalt
Fotografi: Uli Deck/dpa/picture alliance

Ishte prej kohësh e qartë se në Berlinduhej të përsëriteshin jo vetëm zgjedhjet komunale, por edhe zgjedhjet e Bundestagut të vitit 2021, të paktën pjesërisht. Megjithatë, çështja se në sa zona zgjedhore duhet të bëhet kjo ishte e diskutueshme.

Në nëntor të vitit të kaluar, Bundestagu deklaroi se ishte e nevojshme të votohej sërish në 431 nga 2000 zonat elektorale. CDU/CSU në Bundestag mendoi se kjo ishte shumë pak dhe donte që njerëzit të votonin përsëri në rreth gjysmën e zonave zgjedhore.

Gjykata Kushtetuese verifikoi vendimin e Bundestagut për përsëritjen e zgjedhjeve, pra shqyrtoi në mënyrë të detajuar procesverbalet e zonave zgjedhore individuale nga viti 2021. Dhe siç njoftoi sot nënkryetarja e Gjykatës, Doris König "Vendimi i Bundestagut Gjerman i datës 10 nëntor 2022 është, në thelb, në përputhje me ligjin”.

Gjykata tha se në vend të 431 zonave– siç vendosi Bundestagu – duhet votuar sërish në 455 zona. Por jo në 1000 zona, siç kishte kërkuar grupi parlamentar CDU/CSU në Bundestag. Zgjedhjet duhet të përsëriten në 455 njësi zgjedhore dhe në zonat përkatëse të votimit me postë, tha kryetarja e Gjykatës, Doris Köng.

Katedralja e Berlinit
Fotografi: Alex Anton/Zoonar/picture alliance

Gjykata tha se kishte pasur gabime të shumta në numërimin e votave në disa zona zgjedhore të Berlinit. Prandaj, një pjesë e zgjedhjeve duhet të përsëritet, si në raundin e parë, përkatësisht me votën e parë dhe të dytë. Zgjedhje të reja në mbarë Berlinin nuk janë të nevojshme, sipas Gjykatës Kushtetuese Federale, sepse gabime zgjedhore kishte pasur vetëm në rreth 15 përqind të zonave zgjedhore.

Zgjedhje kaotike

Zgjedhjet në Berlin u karakterizuan nga radhë të gjata dhe mungesa të fletëvotimeve.

Votimi, i cili u zhvillua më 26 shtator 2021, kishte të bënte me zgjedhjet e landit federal të Berlinit, me 12 asambletë e qarqeve të qytetit, zgjedhjet kombëtare gjermane si dhe një referendum lokal.

Një difekt i lejonte të miturit të votonin në zgjedhjet shtetërore dhe federale duke përdorur një fletë votimi me postë të porositur nga dikush 18 vjeç e lart, dhe fletëvotimet e dërguara me postë për zgjedhje të ndryshme duhej të vendoseshin në një zarf të vetëm.

Autoritetet e Berlinit nxituan të korrigjojnë gabimet disa ditë përpara ditës së zgjedhjeve duke paralajmëruar qendrat e votimit vendore që të ndryshojnë procedurat, për të shmangur mashtrimin gjatë numërimit. Por një difekt tjetër, që lejonte shtetasit gjermanë që jetojnë jashtë Gjermanisë të votojnë në zgjedhjet lokale duke përdorur të njëjtin truk, nuk u mbyll në kohë.

Maratona 2021 -Guye Adola
Fotografi: Lisa Leutner/AP Photo/picture alliance

Maratona e Berlinit u zhvillua gjithashtu në të njëjtën ditë, gjë që e bëri më të vështirë dërgimin e fletëvotimeve zëvendësuese në zona të caktuara.

Kryetari i Komisionit të zgjedhjeve për landin e Berlinit, Stephan Bröchler, njoftoi në Karlsruhe se zgjedhjet e pjesshme do të zhvillohen më 11 shkurt. Planifikimi i filluar tashmë mund të zbatohet.

U përsëritën edhe zgjedhjet në nivel landi

Gjykata Kushtetuese anuloi zgjedhjet në land dhe ato komunale. Zgjedhjet komunale të vitit 2021 u rizhvilluan në fillim të vitit 2023. Partia konservatore CDU mori pjesën më të madhe të votave dhe arriti të rrëzonte kryebashkiaken e mëparshme, e cila i përkiste Partisë Social Demokrate të qendrës së majtë (SPD).

aud (dw, ag)