1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Grekët zgjedhin grekët" - Priten rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve komunale të landit gjerman Hesen

Stamatis Assimenios4 Prill 2006

Më 26 mars u zhvilluan zgjedhje komunale në landin gjerman të Hesenit. Interesi i rreth 24.000 votuesve grekë ishte i madh, sepse në zgjedhjet komunale të Hesenit kandiduan shumë politikanë grekë

https://p.dw.com/p/Ar0z
Emblema e landit, Hesen
Emblema e landit, Hesen

Mbi 140 grekë kandiduan për zgjedhjet komunale të landit të Hesenit. Dhe ndonëse rezultatet përfunditmare të këtyre zgjedhjeve priten më datën 5 prill, 25 deri 30 nga këta kandidatë kanë fituar.

"Një rezultat i mirë, grekët zgjedhin grekët" - kështu i komentoi Grigoris Zarkadas rezultatet paraprake të këtyre zgjedhjeve. Ai është anëtar i partisë socialdemokrate SPD dhe është zgjedhur për të tretën herë në parlamentin e qytetit të Frankfurtit. Pensionisti 65 vjeçar është një ndër migrantët më të njohur në këtë rajon dhe një njeri i respektuar nga bashkatdhetarët e tij grekë.

Zarkadas thotë se grekët në Gjermani i kushtojnë rëndësi të veçantë pjesëmarrjes së tyre aktive në zhvillimet politike: "Në Greqi pjesëmarrja në zgjedhje është e detyrueshme. Grekët e sollën këtë zakon me vete në Gjermani dhe kur zhvillohen zgjedhje, ata votojnë. Grekët e brezit të parë të migrantëve, janë njerëz politikë që angazhohen në zhvillimet e këtushme. Kështu që mendoj se kjo është arsyeja për pjesëmarrjen e lartë të votuesve grekë në këto zgjedhje."

Rreth 7500 grekë jetojnë në Frankfurt. Pas spanjollëve, ata vlerësohen nga Zyra për Çështjet Multikulturore, si kombi më i suksesshëm i migrantëve në sistemin arsimor gjerman. Zarkadas thekson se shoqata e grekëve ka kryer një punë të rëndësishme për mobilizimin e votuesve në landin e Hesenit:

"Grekët janë të organizuar në mënyrë perfekte në Frankfurt dhe ky fakt luan një rol shumë të rëndësishëm. Së dyti: Ne bashkëpunojmë shumë mirë me komunat ortodokse greke dhe aty u përmend shpesh rëndësia që kanë zgjedhjet komunale për Hesenin. Kjo ishte arsyeja përse kemi pasur që në fillim, pra që nga vitet 70, shumë kandidatë dhe fitues grekë në landin e Hesenit."

Pjesëmarrja e lartë në votime dhe interesi i grekëve për çështjet politike në vend, vlerësohet nga Zarkadas si puna e frytshme e shoqatave greke në Gjermani.

Por në zgjedhjet komunale të Hesenit kandiduan edhe njerëz, të cilët e quajën veten përfaqësues të grekëve dhe migrantëve të tjerë në Gjermani. Falë të ashtuquajturave "Listat e Evropës" në Frankfurt, Kelsterbach dhe në zona të tjera të Hesenit, shumë migrantë të tjerë u përpoqën të hyjnë në parlamentet e qyteteve përkatëse. Rreth 6 prej tyre mundën të zgjidhen falë "Listave të Evropës".